30 oficerë të ardhshëm të ARM-së dhanë betimin solemn në Akademinë Ushtarake ku do të ndjekin shkollimin

Tridhjetë qytetarë të rinj, oficerë të ardhshëm të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut sot kanë dhënë betimin solemn në Akademinë Ushtarake në Shkup, pas së cilës do të fillojnë shkollimin në Akademinë Ushtarake. Në këtë ceremoni foli ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, e cila para studentëve të Kursit për aftësim profesional dhe përmirësim […]

30 oficerë të ardhshëm të ARM-së dhanë betimin solemn në Akademinë Ushtarake ku do të ndjekin shkollimin
Ushtarë, oficerë ushtarak. Foto Ministria e Mbrojtjes

Tridhjetë qytetarë të rinj, oficerë të ardhshëm të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut sot kanë dhënë betimin solemn në Akademinë Ushtarake në Shkup, pas së cilës do të fillojnë shkollimin në Akademinë Ushtarake. Në këtë ceremoni foli ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, e cila para studentëve të Kursit për aftësim profesional dhe përmirësim të oficerëve u tha se ky betim paraqet diçka shumë më tepër se fjalët e thëna dhe se simbolizon përkushtimin e tyre të palëkundur për një shkak që është më i madh se ata vetë, transmeton Portalb.mk.

“Si oficerë të ardhshëm, ju do të mbani mbi supe peshën e përgjegjësisë. Do të thirreni për të udhëhequr me guxim, integritet dhe mirëkuptim. Do t’ju besohet jeta e atyre që do të jenë nën komandën tuaj dhe vendimet që do të merrni do të kenë një ndikim të madh në mirëqenien e tyre si dhe në sigurinë e atdheut tonë. Prandaj, studioni përmbajtjet gjatë kursit me përkushtim dhe kujdes, përmirësoni aftësitë tuaja dhe lërini forcën dhe përkushtimin tuaj t’i kapërcejnë të gjitha sfidat”, tha Petrovska.

Ministrja Petrovska falënderoi oficerët e ardhshëm nga degët e ndryshme që iu përgjigjën thirrjes dhe u tha se guximi dhe përkushtimi i tyre në detyrë përfaqësojnë më të mirën e vendit tonë. 

“Ju nuk e nisni këtë udhëtim vetëm. Ju keni mbështetjen e plotë të kolegëve tuaj, profesorëve tuaj dhe vendit tonë që vlerëson thellësisht sakrificën dhe shërbimin tuaj. Bëhesh pjesë e një komuniteti, pjesë e një familjeje”, thekson Petrovska.

Dekani i Akademisë Ushtarake, kolonel Mitko Bogdanovski theksoi se Akademia e quajtur sipas gjeneralit Mihailo Apostolski është simbol i patriotizmit, guximit dhe qëndresës.

“Trashëgimia e gjeneralit Apostolski është frymëzim për të gjithë ata që janë pjesë e këtij institucioni dhe na kujton sakrificat e bëra për lirinë dhe pavarësinë tonë”, tha Bogdanovski.

Ai shtoi se duke bërë betimin solemn, oficerët tanë të ardhshëm morën me krenari përgjegjësinë dhe përkushtimin e plotë për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve dhe aleatëve tanë.

Në ceremoninë e sotme morën pjesë komandanti i Komandës së stërvitjes dhe doktrinës, kolonel Vasko Kokolanski, përfaqësues nga Akademia Ushtarake, të ftuar të tjerë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria, si dhe familjarë të ndjekësve të kursit.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut sot mbush plot 4 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.