A do ta dëgjojë Lista Srpska QUINT’in për të votuar më 21 Prill

Lista Serbe, të dielën, tha se nuk do të marrë pjesë në votimin e 21 prillit për shkarkimin e kryetarëve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Kryetari i kësaj partie, Zlatan Elek, e konsideroi “jolegjitim” këtë votim, pasi sipas tij kryeministri Kurti “bëri gjithçka që referendumi të mos ketë sukses”. Ai u […]

A do ta dëgjojë Lista Srpska QUINT’in për të votuar më 21 Prill
a-do-ta-degjoje-lista-srpska-quint’in-per-te-votuar-me-21-prill

a-do-ta-degjoje-lista-srpska-quint’in-per-te-votuar-me-21-prill

Lista Serbe, të dielën, tha se nuk do të marrë pjesë në votimin e 21 prillit për shkarkimin e kryetarëve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Kryetari i kësaj partie, Zlatan Elek, e konsideroi “jolegjitim” këtë votim, pasi sipas tij kryeministri Kurti “bëri gjithçka që referendumi të mos ketë sukses”. Ai u ankua edhe për vendimin e KQZ’së për vendosjen e kamerave në vendvotime.

Pas kësaj deklarate, kanë pasuar reagimet e ndërkombëtarëve.

Dje, shtetet e QUINT’it dhe BE kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, ku thonë se ju vjen keq për “deklaratat e Listës Srpska dhe aktorëve të tjerë politikë serbë të Kosovës që bëjnë thirrje për tërheqje nga pjesëmarrja në këtë votim për tërheqjen e kryetarëve të komunave”.

“Pjesëmarrja demokratike është thelbësore për të siguruar që institucionet e zgjedhura të jenë përfaqësuese të popullatës që u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike.”

Ato i kanë bërë thirrje Listës Serbe që të rishqyrtojnë vendimin për të mos marrë pjesë në votimin e 21 prillit.

“Ne e pranojmë se zgjedhjet e 23 prillit 2023 nuk dhanë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna dhe se qeverisja përfaqësuese në veri do të rikthehet kur të mbahen zgjedhjet për kryetarë komunash me pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve. Mirëpo, bojkotimi i votimit të 21 prillit nuk do të sjellë këtë rezultat dhe as nuk do të sjellë ndonjë përfitim për qytetarët që jetojnë në veri. Prandaj, i bëjmë thirrje Listës Srpska dhe të gjithë të tjerëve që kanë bërë thirrje për tërheqje, të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe të përdorin plotësisht mjetet demokratike në dispozicion për të avancuar demokracinë efektive dhe përfaqësuese.”

Ndërkaq, ditë më parë, janë deklaruar për Express edhe nga ambasada e SHBA’së në Kosovë dhe Bashkimi Evropian.

Të hënën, ambasada e SHBA’së në Prishtinë tha se është e rëndësishme që qytetarët të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre për të larguar zyrtarët e zgjedhur në përputhje me ligjin në Kosovë, nëse ata vendosin ta bëjnë një gjë të tillë.

“Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar: Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime që e mbështesin atë. Në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë një votim për largimin e kryetarëve më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës. Siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë.”

Ambasada ka thënë se pret që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve në veri gjatë procesit. Tutje, në përgjigje thuhet se SHBA dhe partnerë tjerë do ta ndjekin këtë proces nga afër.

Ndërkaq, BE në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se ka marrë parasysh shqetësimet e serbëve të Kosovës dhe i ka bërë thirrje Listës Serbe që ta rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë në votimin e 21 prillit.

“Ne kemi marrë parasysh shqetësimet e serbëve të Kosovës sa i përket procesit që mundëson zgjedhje të reja lokale. Megjithatë, ne i bëjmë thirrje Listës Serbe ta rishqyrtojë vendimin për mos të marrë pjesë, pasi demokracia ka të bëjë me pjesëmarrjen, dhe elektoratin e serbëve të Kosovës që të shfrytëzojë të drejtat e tyre dhe të shprehin opinionet e tyre politike në kutitë e votimit.”

BE ka thënë se është kritike që zgjedhjet lokale të mbahen në Veri dhe që serbët të marrin pjesë dhe ka shtuar se është i domosdoshëm kthimi i serbëve në institucione.

Më i ashpër në reagim ka qenë ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde. Ai ka thënë se është shqetësuese qasja e Listës Serbe.

“Më 21 prill, organet zgjedhore kosovare do të mbajnë votimin për tërheqjen e kryetarëve të komunave në katër komunat veriore. Është jashtëzakonisht për të ardhur keq dhe më duhet të them shqetësuese që Lista Serbe ka vendosur sërish që të mos marrë pjesë në votim. Është një rast i qartë këtu që qytetarëve në veri janë përsëri duke u bërë presion që të mos marrin pjesë në proceset demokratike”, tha ambasadori për Telegrafin.

Politika e këtij subjekti, Rohde ka thënë se mund të përmblidhet me dy fjale “bojkot dhe dorëheqje”, duke e cilësuar edhe si një tjetër autogol nga Lista Serbe.

“Për mua, politika e Listës Serbe në 18 muajt e fundit mund të përmblidhet fare sinqerisht në dy fjalë: ‘bojkot dhe dorëheqje’. Kjo është katastrofike, një dëmtim për të gjithë qytetarët e komunave veriore dhe një tjetër autogol nga Lista Serbe, sigurisht që kjo nuk ndihmon për të siguruar që ne do të kemi në veri kryetarë që përfaqësojnë plotësisht elektoratin të cilit i shërbejnë”, tha ai.

Lidhur me të njëjtën çështje, deklaratë ka lëshuar edhe misioni i OSBE’së në Kosovë.

OSBE ka thënë se këto deklarata janë zhgënjyese dhe i dekurajojnë votuesit të marrin pjesë në votim, mirëpo, sipas OSBE’së është në dorën e votuesve nëse duan apo jo të votojnë për shkarkimin e kryetarëve.

“Pavarësisht deklaratave zhgënjyese partiake politike që i ka dekurajuar votuesit të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, do të jetë në dorën e votuesve në secilën komunë të vendosin nëse duan apo jo të votojnë për shkarkimin e kryetarëve më 21 prill. Pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve në procese demokratike dhe institucione është thelbësore në lehtësimin e normalizimit”, thuhet në deklaratën e OSBE-së.

OSBE ka folur edhe për vendimin e KQZ’së për vendosjen e kamerave nëpër vendvotime, duke e këshilluar KQZ’në që të shmangë “qasjet inovative, si përdorimi i kamerave në vendvotime, të cilat do të kërkonin shqyrtim më të plotë dhe konsultim të duhur”.

Çka thonë në Kosovë?

Të martën, presidentja Osmani tha se bojkoti i Listës Serbe vjen me urdhër të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ajo, në një prononcim për media, ka kërkuar që serbët në veri të vendit të mos i dëgjojnë thirrjet e Listës serbe, të cilët kërkuan që të bojkotohet procesi i referendumit të 21 prillit për shkarkimin ose jo të katër kryetarëve në veri.

“Natyrisht Kushtetuta jonë dhe ligjet e kanë krijuar bazën ligjore se bashku me një udhëzim administrative të nxjerrë nga ministria përkatëse që qytetarët e komunave tona të kenë të drejtë të fillojnë procedurat për largimin e kryetarëve. Republika e Kosovës në bashkëpunim me aleatë ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohet kjo e drejtë, të mos ju cenohet në as një moment kjo e drejt dhe ata ta realizojnë këtë të drejtë të lirë dhe pa presione”, ka thënë Osmani të martën pas homazheve në përvjetorin e Betejës së Koshares.

Osmani tha se edhe kësaj radhe Vuçiqi është ai që nuk po e mbanë fjalën që ua ka dhënë aleatëve.

“Për fat të keq edhe kësaj radhe është Aleksandër Vuqiq ai që nuk e mbanë fjalën që e ka dhënë para aleatëve edhe në takime ku kanë qenë prezent edhe kancelari Scholz edhe presidenti Macron por edhe në takime të tjera ku ai kishte garantuar se nuk do të bëjë presion të pa ligjshme ndaj serbeve që mos të marrin pjesë në një proces të tillë”, u shpreh Osmani.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje Listës Serbe që, siç tha, të mos përhapë dezinformata dhe të mos u bëjë presion qytetarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës “që duan të jenë pjesë e procesit demokratik të 21 prillit”.

“Ai [votimi i 21 prillit] është rezultat i kërkesës dhe nënshkrimeve të mbledhura nga qytetarë të Republikës së Kosovës, banorë të këtyre katër komunave. Udhëzimi administrativ që parasheh mundësinë e largimit të kryetarëve të komunave, respekton vullnetin politik të qytetarëve”, tha Qeveria e Kosovës përmes një përgjigjeje dërguar Radios Evropa e Lirë.

“Me veprimet e tyre, po dëshmojnë se në fokus nuk i kanë interesat e qytetarëve. Nga metodat e Listës Serbe e të Beogradit zyrtar, nuk ka përfituar qytetari privat, përkundrazi”, u tha në përgjigjen dërguar nga Qeveria e Kosovës.

Çka ndodhë nëse Lista Serbe dhe qytetarët serbë bojkotojnë votimin e 21 prillit?

Të gjitha procedurat për organizimin e peticionit dhe votimit për shkarkimin e kryetarëve në Veri janë përcaktuar nga Udhëzimi Administrativ i hartuar verën e kaluar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ky udhëzim parasheh që për largimin e kryetarëve shqiptarë nevojiten shumica e votuesve të komunës përkatëse nga lista përfundimtare e votuesve, pra 50 për qind + 1 votë.

Mirëpo, pas vendimit të Listës Serbe për të mos marrë pjesë në këtë votim, nuk dihet saktë se cili është ndikimi aktual i kësaj partie te serbët e Kosovës, dhe se sa do të afektohet ky proces.

Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se nëse “në votimin e 21 prillit në veri nuk marrin pjesë më shumë se gjysma e trupës elektorale në secilën komunë, atëherë iniciativa do të konsiderohet e dështuar”.

Mirëpo udhëzimi parasheh edhe se çka ndodh nëse dështon votimi i 21 prillit.

“Nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largimin e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh nga dita e konstatimit përfundimtar për dështimin”, thuhet në udhëzim.

Sa qytetarë duhet të marrin pjesë që votimi të ketë sukses?

Sipas të dhënave të KQZ’së në Leposaviq janë 13 mijë e 674 votues. Që votimi për shkarkimin e Lulzim Hetemit të ketë sukses, duhet të dalin 6 mijë e 838 votues e të votojnë pro.

Në komunën e Zubin Potokut janë 6 mijë e 877 votues, e për rrëzimin e Izmir Zeqirit duhet të dalin dhe të votojnë pro minimalisht 3439,5 persona.

Ndërkaq, në Zveçan janë 7 mijë e 209 votues dhe për ta larguar Ilir Pecin nag funksioni i kryetarit duhet të marrin pjesë dhe të votojnë të paktën 3606,5 votues.

Në Mitrovicën e Veriut ka më së shumti votues, 18 mijë e 797. Për ta shkarkuar kryetarin nga VV, Erden Atiq, në votimin e 21 prillit duhet të marrin pjesë dhe të votojnë pro minimalisht 9399,5 votues.

Kryetarët e vjetër serbë patën dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022 pas vendimit të Qeverisë për targat. Pas disa muajsh, më 23 prill 2023, zgjedhje të reja u mbajtën në Veri, por të njëjtat u bojkotuan nga Lista Serbe dhe qytetarët serbë të asaj zone. Kjo ndikoi që të ketë dalje të ulët të qytetarëve në votime dhe rezultatet nxorën fitues kandidatët shqiptarë të PDK’së e VV’së. Më pas, me kërkesë të ndërkombëtarëve, MAPL hartoi një udhëzim administrativ, i cili fillimisht parasheh mbledhjen e nënshkrimeve të peticionit. Faza tjetër është votimi, i cili është paraparë për 21 prill. Nëse pro largimit të kryetarëve votojnë 50% +1 votë atëherë brenda afateve ligjore mbahen zgjedhje të reja.