BE-ja më lehtë do ta përballonte financiarisht integrimin e Ballkanit sesa të Ukrainës

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, tha se Bashkimit Evropian i duhet një buxhet më ambicioz në të ardhmen, në mënyrë që të realizojë qëllimet e veta politike. Ndërkaq, sa i përket ndikimit që do të ketë zgjerimi i bllokut në buxhetin e BE-së, Pllenkoviq tha se “pranimi i vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk […]

BE-ja më lehtë do ta përballonte financiarisht integrimin e Ballkanit sesa të Ukrainës
Ballkani Perëndimor. Foto: Arman Fazlic në Canva

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, tha se Bashkimit Evropian i duhet një buxhet më ambicioz në të ardhmen, në mënyrë që të realizojë qëllimet e veta politike. Ndërkaq, sa i përket ndikimit që do të ketë zgjerimi i bllokut në buxhetin e BE-së, Pllenkoviq tha se “pranimi i vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk do të jetë ndonjë barrë e madhe financiare për BE-në, por pranimi i Ukrainës do të jetë ndryshe”, raporton Radio Evropa e Lirë.

Pllenkoviq tha se duke pasur parasysh faktin që Ukraina ka një territor shumë të madh, ka një varësi të madhe nga bujqësia, ndërsa është një vend që aktualisht po përballet me agresionin rus. Andaj, sipas tij, për Ukrainën, procesi i anëtarësimit në BE duhet të ndjekë një rrugë të veçantë, ku do të merrej parasysh edhe aspekti financiar.

Të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor së bashku kanë më pak banorë sesa Ukraina.

Të hënën, më 29 prill, në Bruksel u mbajt konferenca e parë kushtuar strategjisë buxhetore të BE-së.

Zyrtarë të tjerë të bllokut evropian thanë se integrimi i Ukrainës do të ketë ndikim të dukshëm në rrjedhat buxhetore të BE-së.

Më herët, instituti Bruegel kishte vlerësuar se në një periudhë shtatëvjeçare, anëtarësimi i Ukrainës në BE, sipas rregullave të tanishme, do të kushtonte rreth 132 miliardë euro, pa llogaritur shpenzimet që do të duhen për rindërtimit e Ukrainës për shkak të luftës.

Në procesin e zgjerimit të BE-së ndodhen dhjetë shtete. Prej tyre nëntë kanë statusin e vendit kandidatë ndërsa vetëm Kosova nuk e ka këtë status. Pos gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Yi, Serbia dhe Kosova) në këtë proces janë edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Turqia vazhdon të ketë formalisht statusin e vendit kandidat, por negociatat e saj për anëtarësim në BE janë ngrirë tash e disa vite.

Ndryshe, Parlamenti Evropian (PE) dhe Këshilli i Bashkimit Evropian, të cilat përfaqësojnë 27 vendet anëtare të bllokut, kanë arritur marrëveshje më 4 prill për tekstin e vendimit për planin e BE-së për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Plani për rritje për Ballkanin Perëndimor është 6 miliardë euro. Ky Plani ishte miratuar nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.