IRI: Kosova dhe Shqipëria vendet më pro-perëndimore, ndërsa në Maqedoninë e Veriut u zbut përkrahja

Në një anketë të zhvilluar së fundmi në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Instituti Ndërkombëtar Republikan, gjeti një përkrahje të gjerë pro-Perëndimore tek shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe shtete tjera të rajonit ku jetojnë ata. Por, sipas drejtorit për Evropën të kësaj organizate këtu në Uashington, në kontrast të madh ndaj këtij orientimi pro-Bashkimit Evropian […]

IRI: Kosova dhe Shqipëria vendet më pro-perëndimore, ndërsa në Maqedoninë e Veriut u zbut përkrahja
Ballkani Perëndimor. Foto: Arman Fazlic në Canva

Në një anketë të zhvilluar së fundmi në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Instituti Ndërkombëtar Republikan, gjeti një përkrahje të gjerë pro-Perëndimore tek shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe shtete tjera të rajonit ku jetojnë ata. Por, sipas drejtorit për Evropën të kësaj organizate këtu në Uashington, në kontrast të madh ndaj këtij orientimi pro-Bashkimit Evropian dhe NATO-s, qëndron Serbia, ndërkohë që përkrahja për kursin pro-evropian është zbutur edhe në vendet si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, të dyja shtete anëtare të NATO-s, raporton VOA.

Kosova dhe Shqipëria janë shtetet më pro-perëndimore në Ballkan.

Në një rajon ku përkrahja për orientimin euro-atlantik po lëkundet përballë vonesave të integrimit apo sentimentit pro-rus, brenda publikut shqiptar kursi perëndimor vazhdon të konsiderohet si drejtimi i vetëm.

Në Kosovë, 87 për qind e të anketuarve shprehen se shteti i tyre duhet të ndjekë një politikë të jashtme që përputhet me Bashkimin Evropian dhe Perëndimin, ndërsa në Shqipëri, ku anketa është realizuar për herë të parë, ky drejtim mbështetet nga 82 për qind e të anketuarve.

Në fund të listës qëndron Serbia, ku opinion publik është i polarizuar, me vetëm 10 për qind të të anketuarve që janë për një kurs pro-perëndimor dhe një shumice që synon një politikë të balancuar mes BE-së dhe Rusisë.

Drejtori McCarthy thotë se pëkrahja për anëtarësimin në NATO mbetet po ashtu e fuqishme, me përjashtim të Serbisë, dhe përkrahjes më të zbehur se ç‘është pritur për NATO-n në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi, si dhe për rolin që NATO-ja ka luajtur për këto vende anëtare. Në Shqipëri, 64 për qind e të anketuarve mendojnë që anëtarësimi në NATO është shumë pozitiv për vendin, ndërkohë që në Maqedoninë e Veriut një vlerësim të tillë e japin 32 për qind të të anketuarve, ndërsa në Malin e Zi vetëm 28 për qind e tyre.

Por kush është aleat e kush armik?

Për Shqipërinë dhe Kosovën, aleati në i rëndësishëm janë Shtetet e Bashkuara, ndërsa për Maqedoninë e Veriut, aleati më i rëndësishëm është Serbia, sikurse edhe për Malin e Zi. Për Bosnjën, Turqia është tani aleati më i rëndësishëm, ndërsa për Serbinë është Rusia.

Për shumicën dërmuese të të anketuarve në Kosovë, Serbia mbetet kërcënimi kryesor, ndërsa në Shqipëri shumica sheh si kërcënim Serbinë dhe Rusinë. Në Maqedoninë e Veriut, rrezik kryesor shihet Bullgaria, ndërsa në Mal të Zi, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia. Në Bosnjë rrezik përbën Serbia dhe në Serbi Shtetet e Bashkuara dhe Kosova e Shqipëria.

Ndryshe, sondazhi i publikuar në vitin 2023 i zhvilluar nga Qendra për Hulumtime Anketuese të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) në Maqedoninë e Veriut tregoi mbështetjen në rritje për anëtarësim në BE, nivel të ulët të besimit në sundimin e së drejtës dhe dallim në drejtimin e lëvizjes në nivel lokal dhe kombëtar.