Ish-kryeministrat, kritikues për qeverisjen e Kurtit

Albin Kurti përmbyll edhe një vit duke qenë kryeministër i Qeverisë së Kosovës. Para tij këtë institucion e kanë drejtuar edhe shtatë politikanë të tjerë: Avdullah Hoti, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Agim Çeku, Bajram Kosumi dhe Bajram Rexhepi. Ata kanë qeverisur në dy periudhat – para dhe pas pavarësisë. Por mëvetësia nuk është […]

Ish-kryeministrat, kritikues për qeverisjen e Kurtit
ish-kryeministrat,-kritikues-per-qeverisjen-e-kurtit

ish-kryeministrat,-kritikues-per-qeverisjen-e-kurtit

Albin Kurti përmbyll edhe një vit duke qenë kryeministër i Qeverisë së Kosovës.

Para tij këtë institucion e kanë drejtuar edhe shtatë politikanë të tjerë: Avdullah Hoti, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Agim Çeku, Bajram Kosumi dhe Bajram Rexhepi.

Ata kanë qeverisur në dy periudhat – para dhe pas pavarësisë. Por mëvetësia nuk është vija që ndan gjithçka, pasi edhe rrethanat qeverisëse të tyre janë krejtësisht të ndryshme.
Bajram Rexhepi është kryeministri inaugurues. Albin Kurti, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj e kanë drejtuar ekzekutivin nga dy herë ndërkaq.

Avdullah Hoti, Isa Mustafa dhe Agim Çeku kanë treguar se cilat kanë qenë vlerat e tyre si kryeministra, të arriturat, sfidat dhe pikëpamjet që kanë për qeverinë aktuale që sot përmbyll edhe një vit kalendarik së qeverisuri me vendin.

Avdullah Hoti, kryeministër, 4 qershor 2020 – 22 mars 2021

Sipas Avdullah Hotit, qeveria e drejtuar prej tij do të mbahet mend për sjelljen e normalitetit në qeverisje në një kohë të vështirë, forcimin e aleancave euro-atlantike dhe përpjekjet për konsensus të brendshëm për proceset e rëndësishme.

“Ne kemi qeverisur në periudhën më të vështirë nga shpallja e pavarësisë. Veprimi i parë i imi si kryeministër ka qenë rivendosja e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët. Si rezultat i veprimeve tona, menjëherë pas mbledhjes së parë të Qeverisë u zhbllokuan rreth 200 milionë euro fonde të MCC-së dhe arritëm dakordim me aleatët për një fillim të ri të dialogut me fqinjin verior, por i fokusuar në njohje reciproke”, ka thënë Hoti për KlanKosova.tv.

“Situata shëndetësore ishte e rënduar për shkak të pandemisë COVID-19, e cila kishte krijuar frikë dhe paparashikueshëri. Një pjesë të madhe të energjisë e shpenzonim në menaxhimin e kësaj pandemie. E themeluam një komitet gjithëpërfshirës, i cili mblidhej rregullisht dhe zhvillonte dhe rishikonte protokollet e sjelljes së institucioneve shëndetësore dhe të tjera sipas udhëzimeve të organizatave ndërkombëtare përkatëse. Kur kthehem prapa dhe analizoj ato veprime, ndjehem falënderues për ekipin  e jashtëzakonshëm të mjekëve, specialistëve e infermierëve, si dhe të stafit tjetër mbështetës, të cilët punuan në kohë të jashtëzakonshme për mbarë njerëzimin”.

Hoti thekson se në periudhën kur ai qeveriste, ekonomia ishte e bllokuar në masë të madhe për shkak të masave për mbrojtje nga pandemia.

“Masat për mbështetje ekonomike që kemi zbatuar janë vlerësuar gjerësisht nga partnerët tanë, sepse kanë qenë të qarta, të shpejta, gjithëpërfshirëse dhe pa efekte shtrembëruese në ekonomi. Ndihmuam masivisht njerëzit në nevojë, bujqit, bizneset dhe të tjerët. Falë këtyre masave, rënia ekonomike e parashikuar prej 10 përqind, u zvogëlua në vetëm 5 për qind. Në muajt e parë të vitit 2021, kur ende vazhdonte pandemia, aktiviteti ekonomik në Kosovës u kthye në nivelin e para pandemisë”.

Dialogu me Serbinë e përmend ai si një sfidë tjetër.  “Ky proces ishte i bllokuar për dy vjet për shkak të veprimeve të pakoordinuara të qeverive të kaluara. Nga dita e parë kishte kërkesë nga aleatët për rinisje të dialogut. Pas një dialogu për stabilizim të situatës në veri dhe integrim të komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës gjatë periudhës, i cili kishte filluar nga viti 2011, ishte koha të fokusoheshim në përmbyllje të këtij procesi. Ishte e qartë se ky proces përmbyllej vetëm me marrëveshje për njohje reciproke”.

“Në këtë drejtim, kemi pasur komunikime intensive me aleatët tanë për të siguruar mbështetjen për platformën e re të dialogut, të cilën e zhvilluam me një proces të gjerë konsultativ. Sot ndihem krenar që në një kohë të shkurtër arritëm të sigurojmë konsensusin me aleatët për të hyrë në dialog për njohje reciproke, duke respektuar parimet se: (1) rendi kushtetues i Kosovës është i paprekshëm, (2) integriteti, sovraniteti dhe karakteri unitar i shtetit të Kosovës nuk diskutohen, (3) marrëveshja duhet të përmbyllet me njohje reciproke, (4) nuk pajtohemi për asgjë pa u pajtuar për të gjitha çështjet dhe se (4) marrëveshja duhet t’i hapë rrugë Kosovës për integrime euro-atlantike. Ne gjithashtu prioretizuam çështjet në dialog, duke e vendosur çështjen e të pagjeturve si të parën”, vazhdon Hoti.

Ish-kryeministri Hoti potencon arritjen e një konsensusi me aleatët për një proces të dialogut të strukturuar, të kufizuar në kohë dhe që do të përmbyllej me njohje reciproke, bazuar në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme e me garancitë ndërkombëtare.

“Kjo ka qenë qasja jonë në dialog, e cila u braktis plotësisht nga qeveria pasuese që fatkeqësisht vazhdon të jetë në pushtet. Qasja jonë në dialog na çoi në Shtëpinë e Bardhë, ku në shtator 2020 e nënshkruam marrëveshjen më të favorshme për Kosovën nga shpallja e pavarësisë më 2008 dhe nënshkrimi i MSA-së me BE-në më 2015. Kjo marrëveshja historike do të sillte rrjetin e gazit në Kosovë, do të lidhte Kosovën me rrjetin hekurudhor dhe rrugor me rajonin dhe Evropën Qendrore dhe përtej, do të sillte miliona euro për bizneset vendore përmes kredive të favorshme dhe përfitime të tjera”.

Në kërkesën e KlanKosova.tv për të bërë krahasim mes periudhash – qeverisjes së tij dhe asaj së tanishmes së Albin Kurtit, Hoti thotë se “Çfarëdo treguesi që përdoret për të krahasuar kualitetin dhe rezultatet e qeverisë aktuale me qeveritë paraprake vijmë tek një përfundim i vetëm: se kjo është qeveria më e dobët nga shpallja e pavarësisë”.

“Binomi fatkeq për Kosovën Kurti-Osmani, të cilën erdhën në krye të shtetit me propagandë mashtruese shumëvjeçare: (1) i kanë sjellë Kosovës sanksione nga BE-ja; (2) e kanë instaluar diskursin polarizues në shoqëri; (3) kanë instaluar frikë dhe presion tek zyrtarët publikë; (4) kanë shtypur organizimin sindikal; (5) kanë mbytur dialogun social; (6) kanë zhvilluar ushtrinë e shantazhin publik përmes militantëve partiakë të mbështetur nga komisarët politikë; (7) kanë paralizuar rolin e Kuvendit si institucion mbikëqyrës parlamentar; (8) zhvillojnë luftë të rregullt me organet e drejtësisë në përpjekje për t’i vënë nën kontroll”.

Premtimet e kryeministrin Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, shton ai se janë vërtetuar se kanë qenë pjesë e propagandës mashtruese si në kohën e komunizmit, duke vazhduar, kur premtohej barazi e drejtësi, por më pas vendosej dorë e hekurt e qeverisjes dhe diktaturë nga një grup i ngushtë.

Në fushën e arsimit, premtimi për 160 çerdhe mbetet mashtrim i madh, sipas Hotit, si cili thotë se investimet në arsim janë më të ulëtat për shumë vite.

“Për tri vite me radhë, mësimi nuk ka nisur në kohë. Në shtator 2021 u shty mësimi pasi nuk i bënë përgatitjet për masat ndaj pandemisë, siç ishin zhvilluar në qeverinë paraprake. Në shtator 2022, nisën luftën me sindikatat dhe humbën shumë javë të mësimit. Në shtator 2023, ndryshuan mënyrën e furnizimit me libra duke i lënë fëmijët pa libra për javë të tëra. Rezultati nga testi PISA ishte edhe më i dobët se ai i mëparshmi. E fajësuan pandeminë, se ajo ka pasur ndikim në gjithë botën. Por në rastin e Kosovës, rezultatet e testit kishin dyfish më shumë rënie se në vendet e tjera”.

Një tjetër sektor ku sipas tij kanë rënë investimet është shëndetësia, po ashtu edhe politika e jashtme shton se qëndron keq, sikurse ekonomia e drejtësia.

“Dështimi në këtë sektor e detyroi kryeministrin të vendoset vetë në krye të një komiteti, që sot e kësaj dite nuk dihet përse u themelua dhe çfarë rezultate pati. Ministrat e Shëndetësisë u ndërruar, por situata vazhdon të jetë e njëjtë. Asnjëri nga ta nuk la gjurmë në shëndetësi. Premtimi për sigurimet shëndetësore as nuk është në perspektivë se kur do të zbatohet”.

“Politikë të jashtme sot Kosova nuk ka. Ka ambasada dhe rrjet konsullorë, por diplomaci jo. Shumë ambasada përballen me mungesë të stafit për shkak të masave arbitrare në organizimin e stafit diplomatik. Grevat e zyrtarëve brenda Ministrisë së Jashtme e kanë paralizuar funksionimin normal të diplomacisë së Kosovës. Gafat e vazhdueshme të bartëseve të këtij dikasteri na kanë nxjerrë joserioz në shumë raste. Mandati po përmbyllet pa asnjë njohje dhe pa asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare”.

“Në fushën e ekonomisë kurrë nuk ka qenë gjendje më e pa perspektivë. Asnjë politikë fiskale përmbajtësore nuk është zbatuar. Asnjë investim madhor publik nuk ka ndodhur. Sipas FMN-së, investimet kapitale publike gati janë përgjysmuar nga rreth 7 përqind e PBB-së në rreth 4 të PBB-së. Dialogu me komunitetin e biznesit është mbytur. Asnjëherë nuk është takuar Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. Dialogu social është mbytur me metoda komuniste të presionit dhe shantazhit”.

Hoti, i cili është profesor i ekonomisë, në Universitetin e Prishtinës sqaron se norma e papunësisë ka rënë, por norma e punësimit dhe norma pjesëmarrjes në tregun e punës kanë mbetur të pandryshueshme.

“Kjo nënkupton se mijëra individë kanë emigruar dhe kanë gjetur punë jashtë Kosovës. Buxheti i shtetit që miratohet në Kuvend nuk ka asnjë kuptim pasi: projektet nuk realizohen siç janë të planifikuara në buxhet, të hyrat e komunave bllokohen dhe qeveria me vendime ri-shpërndan buxhetin siç i teket. Norma e rritjes ekonomike ka rënë në rreth 2 përqind, që për Kosovën është pothuajse zero. Dy herë u rrit çmimi i energjisë në mënyrë jo transparente dhe pa konsultime gjithëpërfshirëse. Kriza e inflacionit është menaxhuar në mënyrë katastrofale. Pagat, pensionet dhe asistenca sociale nuk janë mbrojtur nga inflacioni. Si rezultat, sot ka më shumë familje të varfra dhe familjet shpenzojnë një pjesë shumë më të madhe të të ardhurave të tyre për ushqime, duke lënë anash shpenzime të tjera që prekin standardin e jetës dhe zhvillimin afatgjatë të fëmijëve”.

“Në fushën e drejtësisë, reformat e premtuara kanë dështuar plotësisht pasi kanë qenë kundërkushtetuese. Këtë po e konstatojnë aktgjykimet e njëpasnjëshme të Gjykatës Kushtetuese dhe opinionet e vazhdueshme të Komisionit të Venecias. Tani shihet qartë se në këtë reformë nuk kanë pasur asnjë qëllim fisnik, por janë bërë për të vendosur kontrollin mbi organet e drejtësisë, që është shtylla e vetme e pushtetit që binomi Kurti-Osmani ende nuk kanë vënë nën kontroll”.

Isa Mustafa, kryeministër nga 10 dhjetor 2014  – 10 shtator 2017

Për afro tre vjet Qeverinë e Kosovë e ka drejtuar Isa Mustafa, duke qenë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai për KlanKosova.tv nuk përshkruan aspak këndshëm, jo qeverisjen e tij, por ato që po ndodhin përreth saj.

“Kur ia kam dorëzuar mandatin e qeverisë, Ramush Haradinaj në shtator të vitit 2017 i kam uruar që të mos ketë asnjëherë rrethana dhe probleme me të cilat unë isha ballafaquar. Pjesa më e madhe e mandatit tim nga fundi i vitit 2014 deri në vitin 2017, sidomos në vitin 2015 dhe pjesën e parë të vitit 2016, për shkak të dhunës që ushtronte opozita e udhëhequr nga Vetëvendosje,  përngjante më shumë në luftë civile”.

“Ishte kohë shumë e rëndë, në të cilën opozita shërbehej me të gjitha mjetet e dhunës për ta përmbysur qeverinë. Gazin lotsjellës, bombat molotov, sferat e hekurta, iriqët e metaltë, sulmet në ndërtesat qeveritare e në shtëpi private, sulme në automjete të kryeministrit dhe ministrave, gaz lotsjellës në Parlament deri te gjuajtja e kuvendit me predha.

Për Mustafën, synimi ishte që qeveria e tij të rrëzohej përmes dhunës dhe revolucionit.

“Ne nuk i kualifikuam si akte terroriste, por në fakt terrori i ushtruar atëherë përmes instrumenteve dhe mekanizmave opozitar, sulmet dhe lëndimet e policëve tanë,  nuk kishte brirë. Ata që e ushtronin ishin shqiptarë”.

Koalicioni me PDK-në që ishte arritur në dhjetor, derisa zgjedhjet parlamentare ishin mbajtur në qershor të 2014, Mustafa kujton se kishte shumicë absolute në kuvend, por që edhe caqet qeverisëse ishin vendosur.

“Kishim program të qartë dhe u punua shumë edhe përkundër dhunës dhe rrezikut të paparë dhe të papërjetuar në historinë e re të Kosovës.   Në politikat e brendshme, synimi ynë ishte konsolidimi ekonomik, financiar dhe buxhetor i Kosovës, fuqizimi i sektorit privat të ekonomisë, dhe reformat fiskale. Ishim shumë afër rrumbullakimin dhe aktivizimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore, por mbeti punë e pakryer pasi u rrëzua qeveria nga partneri ynë i koalicionit PDK”.

Megjithëse koalicioni ishte prishur nga PDK, Mustafa numëron disa prej suksese të atij bashkëpunimi politik, në krye të të cilit ishte ai, si kryeministri i parë i LDK-së pas pavarësisë.

“Kur e kam marrë qeverinë në vitin 2014, rritja ekonomike ka qenë 3.3 për qind dhe shkalla e inflacionit 0.4 për qind. Në vitin 2015 rritja ekonomike ka arritur në 5.9 për qind, kurse inflacioni ka rënë në -0.5 për qind (ose në deflacion); në vitin 2016 rritja ekonomike ishte 5.6 për qind, kurse inflacioni 0.3 për qind dhe në vitin 2017 rritja ekonomike ishte 4.8 për qind kurse  inflacioni ishte 1.4 për qind. Praktikisht arritëm të kemi një rritje të shëndoshë ekonomike, ku të ardhurat e qytetarëve kishin pothuajse fuqi të barabartë nominale dhe reale”.

“Pakoja e Parë fiskale e miratuar në vitin 2015, duke ndryshuar pragun e TVSH-së dhe duke ndërmarrë një varg tjetër të reformave ka ndihmuar shumë në rritjen e formalizimit të bizneseve dhe rritjen e qarkullimit në ekonominë e vendit si rezultat i lirimeve të shumta të lëndëve të para dhe të makinerisë prodhuese nga taksat e importit. Pakoja e Dytë fiskale e aprovuar në vitin 2017 ka krijuar kushte të barazimit të plotë të ambientit për bizneset e Kosovës karshi konkurrencës në tregun e jashtëm. Në këtë periudhë është arritur anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare të sportit, deri në UEFA dhe FIFA. Kosova përmbushi të gjitha kriteret e BE-së, dhe nënshkroi marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim (MSA) e cila hyri në fuqi në vitin 2016”.

Mustafa flet edhe për regjimin e vizave, që nuk do të vlejë nga e hëna, por që kujton se sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian Kosova kishte përmbushur në kohën e qeverisë së tij 93 nga 95 kriteret e kërkuara.

Ai sqaron edhe ngecjen e mëpastajme të procesit, derisa nuk heziton që ta adresojë fajin për këtë.

“Kishte mbetur vetëm ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi si kriter kushtëzues për liberalizim të vizave në vjeshtën e vitit 2016, por kjo u pengua jo vetëm nga opozita e atëhershme që sot është në pushtet por edhe nga disa deputet të LDK-së që sot janë në Parlament. Pasi ra qeveria jonë, të njëjtit e votuan demarkacionin, por treni kishte ikur për liberalizim, për çfarë u nevojitën edhe 7 vite tjera”.

Kryetari i nderit i LDK-së, që dha dorëheqje nga drejtimi i partisë pas zgjedhjeve të shkurtit 2021, tregon se në periudhën e viteve 2014-2017 u punua për zbatimin e Ligjit për Marrëveshjen e Parë për Normalizim me Serbinë.

“Në Parimet themelore përcaktuam si kriter që Asociacioni do të themelohet atëherë kur Gjykata Kushtetuese konstaton se Statuti dhe çdo ndryshim i mëvonshëm i tij janë në pajtim me Kushtetutën. Morëm garanci me shkrim nga BE që Asociacioni sipas pikëpamjeve të tyre nuk do të jetë pushtet i tretë dhe nuk do të ketë fuqi ekzekutive. PDK, në vitin 2017, përkundër se e kishte nënshkruar marrëveshje të koalicionit me zotim se nuk do t’i bashkëngjitej asnjë iniciative të opozitës për rrëzimin e qeverisë, e organizoi vetë mocionin e votëbesimin dhe rrëzimin e saj. Opozita bashkëpunoi ngushtë me të. Dhe, ja ku jemi sot!”.

Edhe Mustafa ka dhënë vlerësimin për Qeverinë Kurti 2, por është pyetur edhe për bashkëpunimin që LDK kishte me Vetëvendosjen në “Qeverinë e Shpresës”, që nuk qëndroi gjatë në pushtet.

“Në Qeverinë Kurti 1, LDK ka pasur njerëz me kompetencë, përvojë dhe dije në krye të dikastereve qeveritare, kanë filluar të punojnë mirë, por nga dita e fillimit të punës, VV filloi të bëjë sondazhe dhe propagandë partiake, duke mos respektuar zotimet për punë dhe rezultate të përbashkëta. VV acaroi  marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me SHBA-të, duke këmbëngulur në tarifa tregtare ndaj Serbisë, për çfarë kishte kërkesa të qarta të SHBA-së dhe vendeve të BE-së që të hiqen, në mënyre që të rikrijoheshin mundësitë për dialog. Situata eskaloi me shkarkimin e ministrit Veliu, pa konsultim dhe njoftim të LDK-së, që së bashku me mospajtimet dhe divergjencat tjera qoi në prishje të koalicionit. VV nuk e kishte hallin për cilësinë e qeverisjes së vendit dhe as për fatin e shtetit por promovonte politika popullsitë që pinin ujë te ata që nuk kishin qenë asnjëherë aksionarë të themelimit të shtetit të Kosovës, por të kontestimit dhe të pengimit të tij”.

Mustafa shprehet se Qeveria Kurti 2 e futi Kosovën nën sanksione ndërkombëtare dhe e amnistoi Serbinë nga krimet e saj.

“E shkeli pareshtur Kushtetutën, përmes ligjeve që Gjykata Kushtetuese i konstatoi në mënyre eksplicite si jokushtetuese dhe vazhdon të prodhojë ligje të tilla, sepse e pengon Kushtetuta, siç e pengon çdo pushtet që instalohet me mashtrime dhe dhunë. Dialogun me Serbinë e barti nga dialogu politik për zgjidhje përfundimtare me njohje reciproke në dialog për siguri, me zgjidhje autonomi politike dhe territoriale të serbeve të veshur me petkun e vetëmenaxhimit”, thotë ai tutje.

“Është qeveri e vetme në rajon që mburret me rritjen ekonomike të vitit 2021 prej 10.7 për qind (pas vitit pandemik 2020, kur kishte rënie -5.3 për qind). Në këtë vit edhe Mali i Zi pati rritje prej rreth 14 për qind, por nuk u mburr asnjëherë me këtë rezultat. Në fakt kjo ishte shpërfaqje e strukturës fragjile ekonomike; në rastin e Kosovës të varshmërisë nga diaspora e në rastin e Malit të Zi, të varshmërisë nga turizmi. Dështimet në ekonomi janë të mëdha, sikurse edhe në arsim, në shëndetësi, në investime publike; ka rritje të lartë të çmimeve dhe rënie të fuqisë blerëse të euros, mungesë të politikave aktive sociale duke mashtruar me pako të ndihmave të kohëpaskohshme”.

Pasojat e kësaj qeverisjeje të Albin Kurtit, për Mustafën, do të jenë afatgjata për vendin.

“Fluksi i ikjes së të rinjve nga Kosova është i lartë. Të dhënat e Barometrit Ballkanik, flasin se këtë vit 57 për qind e të anketuarve kanë treguar gatishmëri të ikin  jashtë për të kërkuar punë (14 pikë përqindje më shumë sesa në vitin 2020, para ardhjes së kësaj qeverie)”, ka thënë Mustafa.

Agim Çeku, kryeministër, 11 mars 2006 deri më 9 janar 2008

Për dallim prej Hotit dhe Mustafës, Agim Çeku ka qeverisur në rrethana krejt të tjera. Duke qenë në krye të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, Çeku kishte marrë qeverinë e koalicionit LDK-AAK, bashkëpunim prej së cilit paraprakisht kishte dy kryeministra të tjerë, Ramush Haradinaj, i cili kishte dhënë dorëheqje pas akuzave nga ish-Tribunali i Hagës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, e brenda 12 muajsh mes Haradinajt dhe Çekut, qeveria ishte në drejtimin e Agim Çekut.

Faktin që mandatin e kishte marrë në gjysmë, e përmend edhe Çeku, i cili tregon qartë cili ishte misioni i tij parësor dhe pse pikërisht atij po i besohej detyra.

“Dua të ju rikujtoj se unë e kam marr qeverinë në gjysmë të mandatit dhe e kam çuar atë deri në fund. Dhe me gjithë faktin se kam pasë veç një gjysmë mandati qeverisje dhe nuk kam pasë mundësi ta dizajnoj vetë ekipin dhe faktin se UNMIK-u ka qenë mbi qeverinë unë asnjëherë nuk jam ankuar por e kam çuar deri në fund misionin që kisha si kryeministër. Dhe ndonëse unë kisha ardhur në krye të qeverisë pa kaluar në një proces elektoral votimi dua të rikujtoj se TMK-ja si institucion dhe unë si drejtues i saj në të gjitha vlerësimet e institucioneve kredibile vendore e ndërkombëtare kam qenë një ndër personat më të besuar dhe të vlerësuar në Kosovë”.

“Kjo besueshmëri dhe profili im i ka shtyrë aktorët e procesit te pavarësisë së Kosovës që të kërkojnë nga unë që të udhëheq me qeverinë e Kosovë në atë periudhë kyçe. Kryeprioriteti im si kryeministër ka qenë ta bëjë gati Kosovën për pavarësi. Unë bashkë me qeverinë dhe të gjithë akterët kemi prodhuar argumentet e nevojshme për pavarësi dhe kemi përgatitur të gjithë infrastrukturën e nevojshme ligjore e cila kur Kosova e shpalli pavarësinë ka qenë e gatshme. Prioritet tjetër imi ka qenë ruajtja e kohezionit dhe unitetit të brendshëm politik, të jemi proaktivë dhe të besueshëm për minoritet në Kosovë veçanërisht për minoritetin serb i cili ka qenë i përfaqësuar, konstruktiv dhe aktiv në qeverisjen time”.

Bashkërendimi me faktorët ndërkombëtar për të shpallur pavarësinë, ishte një nga shtyllat e tij, derisa Ceku përmend edhe vizitën zyrtare të kishte bërë në Rusi, shtet i cili tash është nën sanksionet e botës demokratike pas agresionit të saj mbi Rusinë.

“Si qeveri ne kemi ndërtuar raporte shumë të mira me fqinjët duke dëshmuar veten si faktorë stabiliteti në rajon. Unë kam pasur vizita të nivelit të lartë në Maqedoni, Mal të Zi, Greqi , Bullgari ku jam pritur si partner. Të mos flasim për raportet me Shqipërinë që kanë qenë më shumë se vëllazërore. Edhe unë si kryeministër por edhe si grup uniteti i kemi pasur dyert e hapura në Uashington, Bruksel, Berlin, Paris, NATO dhe të gjitha qendrat vendimmarrëse. Në javët e para si kryeministër jam pritur në selinë e NATO-s nga sekretari i NATO-s. Unë kam vizituar zyrtarisht edhe Moskën ku jam pritur nga zëvendësministri i jashtëm rus Titov në përpjekje për ta bindur edhe Moskën të jetë konstruktive në procesin e pavarësisë së Kosovës”.

“Ndonëse mua si kryeministër dhe qeverise time pjesën më të madhe të energjisë na ka marrë procesi Ahtisaari dhe bisedimet e Vjenës, ne nuk e kemi humbur fokusin as te problemet e brendshme.

Në qeverisjen time janë bartur nga UNMIK-u te qeveria e Kosovës kompetencat në dy fusha të rëndësishme atë të drejtësisë dhe të sundimit të rendit dhe ligjit. Në një afat optimal i kemi ndërtuar Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Rendit, i kemi kompletuar me infrastrukturën e nevojshme dhe i kemi bërë funksionale”.

Me gjithë mungesën e madhe të buxhetit, Çeku për KlanKosova.tv ka theksuar se kanë punuar si qeveri për përmirësim të infrastrukturës, ekonomisë, arsimit.

“Jo rastësisht qeverinë time e kemi dizajnua si qeveri të 3 E-ve: Edukim, Energji, Ekonomi.

Në fokusin tim kanë qenë edhe kategoritë e dala nga lufta dhe në qeverisjen time janë vënë bazat e mbështetjes institucionale dhe ligjore për këto kategori. Institucionet e sigurisë veçanërisht TMK-ja prej nga vija ka qenë lart në prioritet e mia. TMK ja kishte arritur një nivel të lartë profesionalizmi dhe ajo ka qenë institucioni i parë që e kishte plotësuar standardin 8 si pjesë e procesit Standardet para Statusit që iu kishin caktuar Kosovës në kohën e Administratorit Shtajner. Për të gjitha të arriturat në atë periudhë vendimtare në Kosovë kanë merita të gjithë aktorët qeveria, pozita dhe opozita. Por një kontribut të veçantë kanë dhënë dy administratoret  e UNMIK-ut në atë periudhë Petersen dhe Ryker dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Goldberg me të cilët kam pasur një bashkëpunim të shkëlqyer!.

“Prioriteti im kryesor si kryeministër ka qenë ta bëjmë gati Kosovën për pavarësi dhe t’i bindim partnerët tanë se Kosova është gati për shtet. Dhe besoj se këtë ia kemi arritur. Vetë fakti se Kosova u shpall e pavarur vetëm pak javë pasi unë kam dorëzuar mandatin tregon se ne ia kishim arritur qëllimit. Edhe me dorëzimin e mandatit jam munduar të ndërtoj një standard të ri. Unë i kam dorëzuar mandatin Hashim Thaçit me ceremoni zyrtare me gardën e TMK-së. Kam dashur të japë edhe një shembull të bartjes demokratike te pushtetit”.

Sikurse Hoti dhe Mustafa, edhe Çeku, ka kritika të shumta për mënyrën si qeveriset tash Kosova.

“Çdo qeveri dhe çdo kryeministër duhet të ndërtojnë mbi atë që kanë ndërtuar të tjerët para tyre. Mohimi i gjithçkaje dhe mentaliteti rrënues janë shumë te dëmshme sidomos për shtete dhe shoqëri si kjo e jona.

Kam përshtypjen se Qeveria dhe z. Kurti ndonëse kanë marrë besimin e shumicës nuk po sillen me mentalitetin e fituesit. Fituesit janë zemërgjerë , unifikues, bashkëpunues, jo arrogantë dhe jo hakmarrës. Asnjë nga këto vlera nuk i kemi parë deri më tani te z.Kurti dhe Qeveria e tij”.

“Ajo që kemi parë është arrogancë e theksuar, raporte jo të mira dhe gjuhë konfliktuoze me shumë kategori të shoqërisë. Po ashtu kemi një ndarje të madhe të shoqërisë që nuk e kemi parë kurrë deri më tani. Deri më tani nuk kemi parë ndonjë projekt madhor ose ndonjë pune që ka lënë shenjë. Me shume kemi parë zhurmë dhe propagandë. Propaganda, premtimet e mëdha dhe fjalët e bukura janë mjet i mirë për të ardhur në pushtet. Por ato nuk ndihmojnë shumë në qeverisje. Më shumë se rrugëzgjidhje për problemet reale nga qeveria kemi pare ankesa të tipit jo këtë e kanë bërë ata para nesh jo ata të tjerët. Ata që duan të kryejnë punë gjejnë zgjidhje kurse ata që nuk mund të kryejnë punë gjejnë justifikime. Qeveria dhe kryeministri Kurti për gjithçka vetëm ankohen dhe gjejnë justifikime. Me një fjalë kemi një Qeveri justifikuese dhe një kryeministër justifikues”.

Më poshtë gjeni listën me të gjithë kryeministrat që ka pasur Kosova nga paslufta dhe kohën kur ata kanë qeverisur:

– Bajram Rexhepi, kryeministri i parë i Kosovës – i cili ka vdekur më 2017 – ka drejtuar qeverinë e parë të Kosovës nga 4 marsi 2002 deri më 3 dhjetor 2004. Ai ka qenë kryeministër i PDK-së nga koalicioni me LDK-në e Ibrahim Rugovës.