Ish-ministri i Tregtisë: Të shkarkohet ministrja Rozeta Hajdari

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, thotë se pas arrestimit të dy zyrtarëve të Ministrisë dhe një biznesmeni për shkak të dyshimeve për keqpërdorime me rezerva shtetërore duhet shkarkuar pasardhësja e tij në krye të Ministrisë, Rozeta Hajdari. Këto komente Krasniqi i ka bërë gjatë një interviste për portalin Front Online, duke shtuar se […]

Ish-ministri i Tregtisë: Të shkarkohet ministrja Rozeta Hajdari
ish-ministri-i-tregtise:-te-shkarkohet-ministrja-rozeta-hajdari

ish-ministri-i-tregtise:-te-shkarkohet-ministrja-rozeta-hajdari

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, thotë se pas arrestimit të dy zyrtarëve të Ministrisë dhe një biznesmeni për shkak të dyshimeve për keqpërdorime me rezerva shtetërore duhet shkarkuar pasardhësja e tij në krye të Ministrisë, Rozeta Hajdari.

Këto komente Krasniqi i ka bërë gjatë një interviste për portalin Front Online, duke shtuar se skandalet e tilla po e dëmtojnë Kosovën.

“Patjetër duhet të ndodhë shkarkimi i ministres. Jo vetëm që të shkarkohet, unë mendoj se përgjegjësja kryesore e skandalit është vet ministrja”, tha ai për Front Online.

Ish-ministri i Tregtisë, Vesel Krasniqi, tregon procedurat ligjore se si janë blerë rezervat shtetërore.

“Ligji thotë që përzgjedhje e operatorit ekonomik furnizuesit shkon përmes prokurimit, që një gjë të tillë nuk e kanë bërë këta, këta e kanë shti me negocim. Te rezervat shtetërore duhet me pasë informacion vetëm drejtori i departamentit dhe ministrja sa i përket vendndodhjes dhe kryeministri, ndërsa ministrja nuk ka të drejtë në asnjë mënyrë të ndërhyjë në procedura, në proces të përzgjedhjes së operatorit ekonomik dhe të zbatueshmërisë së saj. Drejtori ka të drejtë të informojë Komisionin për pranimin e mallit pas nënshkrimit të kontratës nga ana e prokurimit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhë dhe kjo ka shku krejt në pronë private të dy tre individëve që tashmë Prokuroria e ka konstatuar kush janë shkelësit”, thotë ai për Front Online.

Përndryshe, dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe një biznesmen janë arrestuar  nën dyshime për dallavere me rezervat shtetërore.

Ata janë arrestuar të premten (sot) në një aksion të Policisë që është zhvilluar në tri lokacione.

Të arrestuarit janë drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.

Gjithashtu është arrestuar edhe afaristi Ridvan Muharremi njëri nga personat e dyshuar në këtë rast. Muharremi, pronar i restoranit “Bukë e Zemër” në Prishtinë, është raportuar në medie se ka lidhje të afërta me kryeministrin Albin Kurti.