Konjufca thotë se SHBA-ja nuk po i kupton drejt: Menduam se porositë e tyre për veriun ishin në atë drejtim

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka folur për masat e ashpra që u shqiptuan dje nga Amerika, për insistimin e Qeverisë për t’i vendosur kryetarët e komunave në veri në ndërtesat komunale, për çka ka nxitur trazira nga serbët lokalë. Vendimi i parë ishte për ta përjashtuar Kosovën nga stërvitja e madhe ushtarake […]

Konjufca thotë se SHBA-ja nuk po i kupton drejt: Menduam se porositë e tyre për veriun ishin në atë drejtim

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka folur për masat e ashpra që u shqiptuan dje nga Amerika, për insistimin e Qeverisë për t’i vendosur kryetarët e komunave në veri në ndërtesat komunale, për çka ka nxitur trazira nga serbët lokalë.

Vendimi i parë ishte për ta përjashtuar Kosovën nga stërvitja e madhe ushtarake “Defender Europe 2023”, ka bërë të ditur ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

Konjufca ka thënë se sanksionet e Amerikës nuk janë lajm i mirë dhe se paraqesin shqetësim edhe për Qeverinë e Kosovës. Ai ka thënë se hapat e ardhshëm të Qeverisë duhet të jenë dialogu i hapur me partnerët ndërkombëtarë.

“Sa i përket deklaratës së Blinken. Ta them të drejtën kohëve të fundit nuk është hera e parë që është duke na ndodhur kjo. Po më kujtohet edhe para dy viteve kur ishte çështja e reciprocitetit kur e aplikuam me Serbinë hasëm në një gjuhë të ashpër nga një qortim vërtet i ashpër për Republikën. Kjo nuk është një gjë e mirë, ne e pranojmë se është një gjuhë e keqe për Kosovën. Gjithçka çka duhet të bëjmë mendoj unë, është ta bëjmë një dialog të hapur e të shtruar me të gjithë miqtë e partnerët tanë që të argumentojmë më mirë pozicionet tona. Ndoshta pozicionet tona nuk po kuptohen drejt prej SHBA-ve. Pozicionet tona janë kështu që kryetarët atje në veri kanë dhënë dorëheqjen, ato nuk ishin për shkak të dhunës së Kosovës, ne nuk kemi bërë kurrfarë dhune mbi ta kur u dorëhoqën. Institucionet mbetën vakante dhe atje shteti i Kosovës spati zgjidhje tjetër, pos shpalljes së zgjedhjeve. Bile bile pas një dakordimi me SHBA-të që zgjedhjet të shtyhen pas pesë muajve. Ne i pajtuam, i dëgjuam. Kaluan pesë muaj, dhe dy opsione i kishte Kosova: ta dëgjonte Vuçiqin, apo të procedonte sipas ligjit. Lista Serbe nuk mori pjesë edhe përkundër kërkesës së Amerikës, Ata nuk morën kurrfarë sanksioni për këtë”, tha Konjufca ndër të tjera.

Konjufca, madje tha se Qeveria ka vepruar në atë drejtim, sepse ka menduar se mesazhet e Amerikës kanë qenë në atë formë.

“Fituan këta kryetarë. Kanë qenë dy alternativa: Me dëgju Vuçiqin e me nejtë në shpi ose me dalë në punë. Ndoshta SHBA-të nuk e kuptojnë kështu, dmth a jemi ne si Kosovë duke bë ndonjë shkelje të Kushtetutës. Nëse jemi krejt në rregull kushtetutshmërisht e ligjërisht, a ka ndonjë problem më të madh. A ka problem më të madh se Kushtetua. Mu po më duket se Qeveria po shkon në atë rrugë, për arsye se ka mendu që qashtu i ka marrë porositë nga Amerika. Kur nuk morën pjesë në zgjedhje, Amerika nuk tha se duhet me u anulu. Nuk i kom dëgju duke thanë këtë. Dmth qysh e kupton një politikan këtë çështje ose një zyrtar i Kosovës, kur SHBA thotë se nuk duhet me u anulu zgjedhjet dhe keni drejtë me marrë pjesë. Kur ki drejtë me marrë pjesë, ligjet e Kosovës nuk përcaktojnë ndonjë prag se sa persona duhet të marrin pjesë. Kosova nuk ka një ambient të qartë ligjor sa i përket pragut ligjor. Krejt mesazhet i kemi marrë në qit kuptim.

Veç e mendoj kështu që tash pozicioni ndërkombëtar, nuk po shoh kurrfarë dallimi SHBA -BE siç ka pasë më herët. Të gjithë janë të një goje që Serbia e përcakton statusin e asaj çka është provokim dhe bashkësia ndërkombëtare pajtohet. E kemi pa që bashkësia ndërkombëtare tash ka vija të kuqe për Serbinë, por qysh e definon Serbia provokimin, ai është provokim”, u shpreh Konjufca ndër të tjera.