Kosova pajtohet të zvogëlojë praninë policore dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri

Qeveria e Kosovës informoi se është pajtuar që të zvogëlojë praninë policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën, transmeton REL. Ky pajtim u arrit gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratisllavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, […]

Kosova pajtohet të zvogëlojë praninë policore dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri
Kosovë, komunat veriore, Mitrovica, komunat serbe

Qeveria e Kosovës informoi se është pajtuar që të zvogëlojë praninë policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën, transmeton REL.

Ky pajtim u arrit gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratisllavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Pas takimit të 10 korrikut, Bislimi dhe Lajçak njoftuan se ka pajtim për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës, por nuk saktësuan se për çfarë bëhet fjalë.

Bashkimi Evropian kishte paraqitur disa kërkesa për uljen e tensioneve në veri, që nisën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Kërkesat e BE-së për Kosovën dhe Serbinë

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, më 22 qershor ka paraqitur kërkesat e bllokut evropian për Kosovën dhe Serbinë, lidhur me shtensionimin e situatës në veri:

  • Kosovës i kërkohet që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët komunalë përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative
  • Serbisë i kërkohet të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës
  • Të dyja shteteve u kërkohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme lokale, sa më shpejt që të jetë e mundur, në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në to

Në të kaluarën, Beogradi ka luajtur rol kyç në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e organizuara në Kosovë

Që atëherë, serbët lokalë po protestojnë në veri, duke kërkuar që përveç kryetarëve, të tërhiqen edhe njësitë speciale policore nga veriu.

Edhe më herët, krerët shtetërorë në Kosovë janë shprehur të gatshëm që të organizojnë zgjedhje të reja në komunat në veri, por kanë kërkuar që ato të përgatiten, në mënyrë që të mos ketë bojkotim.

Zgjedhjet e 23 prillit, nga të cilat dolën kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri, ishin bojkotuar nga partitë dhe popullata serb.