Kriza në veri, Kurti nuk tërhiqet: Beogradi ta bëjë hapin e parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe gjatë ditës së sotme ka lënë të kuptohet se Qeveria e tij nuk do të tërhiqet, pavarësisht presionit në rritje nga SHBA dhe BE-ja rreth çështjes së veriut. Kurti ka këmbëngulur se duhet të jetë Beogradi, ai që duhet të bëjë hapin e parë. “Serbia duhet të ndërpresë mbështetjen […]

Kriza në veri, Kurti nuk tërhiqet: Beogradi ta bëjë hapin e parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe gjatë ditës së sotme ka lënë të kuptohet se Qeveria e tij nuk do të tërhiqet, pavarësisht presionit në rritje nga SHBA dhe BE-ja rreth çështjes së veriut.

Kurti ka këmbëngulur se duhet të jetë Beogradi, ai që duhet të bëjë hapin e parë.

“Serbia duhet të ndërpresë mbështetjen për milicinë që shkaktoi protesta në veri të Kosovës muajin e kaluar dhe përgjegjësit duhet të ndiqen penalisht përpara se qeveria të shqyrtojë lehtësimin e qëndrimit të saj,” tha kryeministri Albin Kurti në një intervistë telefonike për Bloomberg.

“Ne nuk mund t’i nënshtrohemi si një republikë demokratike kësaj milicie të dhunshme,” tha ai. “Ne duam që gjërat të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur, por ju e dini se kjo nuk varet vetëm nga ne”, ka thënë Kurti.

Qëndrimi i Kurtit për veriun nuk ka ndryshuar edhe pas vizitave të kësaj jave në Kosovë të ndërmjetësit evropian në dialog Miroslav Lajçak dhe të emisarit amerikan, Gabriel Escobar.

Ai edhe gjatë ditës së djeshme tha se Kosovës i duhet sundimi i ligjit dhe një datë për zgjedhje, teksa shtoi se ndërkohë Kosova mund të zvogëlojë praninë e njësive speciale të policisë nëse “ekstremistët e dhunshëm” i japin fund trazirave.

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog ishin tri kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin gjatë kësaj jave.