Presidenti Thaçi: Vetëm Washingtoni mund ta sjellë njohjen reciproke Kosovë -Serbi

Thaçi në ngjarjen e Vitit të Ri hebraik, ka thwnw se vetëm Washingtoni mund ta sjellë njohjen reciproke Kosovë -Serbi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të sjellin marrëveshjen për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Të gjitha përpjekjet tjera, ai i ka quajtur të kota.

Në shënimin e vitit të ri hebraik, Thaçi ka thënë se me marrëveshjen për normalizim ekonomik, të arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan “arriti të pamundurën”.

“Ajo që na bën neve shumë të lumtur e krenarë, pas përpjekjeve të shumta kjo njohje reciproke ndodhi në Shtëpi të Bardhë, pra erdhi përmes Washingtonit.

Do të kemi më tepër paqe. Në kohën kur (emisari i SHBA-së për dialogun) Richard Grenell e filloi, ishim shumë skeptik.

Kur ai përpiqej të ndodhte kjo që ndodhi tani, ne kishim shpresën dhe optimizmin se ishte adresa e duhur dhe mund të finalizohej në Shtëpi të Bardhë.

Presidenti Trump bëri të pamundurën që të ndodhë e mundura. Bëri atë që tjerët për 20 vjet nuk e bënë.

Derisa shihet se po mund të ndodhë normalizimi ekonomik në Washington, kam besim se mund të ndodhë edhe normalizimi politik dhe njohja reciproke mund të ndodhë vetëm në Washington. Përpjekjet tjera janë të kota.

Janë humbje kohe”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se pret që me njohjen Kosovë – Izrael të përfitojnë dy shtetet dhe rajoni. Ka thënë se Kosova do të jetë përkrah Izraelit në luftën ndaj terrorizmit e ekstremizmit.