Nëse vazhdon ndërtimi i pakontrolluar, nga liqeni i Ohrit do të zhduken disa lloje endemike

Urbanizimi intensiv dhe mungesa e menaxhimit të duhur të ujërave të zeza janë kërcënim për ekosistemin e Liqenit të Ohrit në Maqedoninë e Veriut. Djegia e kallamit çon në mbushjen e ekosistemit me substanca organike, gjë që më pas krijon një reaksion zinxhir me ndryshime negative në sistem. Kështu u tha në takimin e 15-të […]

Nëse vazhdon ndërtimi i pakontrolluar, nga liqeni i Ohrit do të zhduken disa lloje endemike
Liqeni i Ohrit, foto: Suad Bajrami

Urbanizimi intensiv dhe mungesa e menaxhimit të duhur të ujërave të zeza janë kërcënim për ekosistemin e Liqenit të Ohrit në Maqedoninë e Veriut. Djegia e kallamit çon në mbushjen e ekosistemit me substanca organike, gjë që më pas krijon një reaksion zinxhir me ndryshime negative në sistem. Kështu u tha në takimin e 15-të evropian diatomologjik që u mbajt në Ohër disa ditë më parë, ku morën pjesë 140 shkencëtarë nga 30 vende nga Evropa dhe bota, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.

“Duke filluar nga viti 1950, kur kënetat u shkatërruan me programin kundër malaries, filloi degradimi i liqenit. Por, sot degradimi i tij është më intensiv për shkak të urbanizimit të madh që është problem kyç për liqenin dhe mungesës së menaxhimit të duhur, të ujërave të zeza komunale dhe industriale. Gjëja e parë që çdo qeveri, pavarësisht nëse është qendrore apo lokale, duhet të zgjidhë është pikërisht menaxhimi i ujërave të zeza. Problemi i dytë është lumi Sateska, i cili sjell sasi të mëdha sedimentesh në liqen dhe ky është një tjetër problem i madh”, thotë Prof. Dr. Zlatko Levkov nga Instituti i Biologjisë në Fakultetin Shkencave Matematike-Natyrore në Shkup.

Sipas tij, deri më tani nuk është regjistruar zhdukje e plotë e disa llojeve endemike në Liqenin e Ohrit, por rreziku është i pranishëm dhe për një kohë të shkurtër situata mund të bëhet më dramatike.

“Nëse vazhdojmë me këtë ritëm të rrezikimit të liqenit, ka disa parashikime se në dhjetë vjet mund të presim zhdukjen graduale të disa specieve endemike. Megjithatë, po flasim për një periudhë relativisht të shkurtër nga sot. Tani për tani situata është ende stabile, nuk është aq dramatike, por nëse vazhdohet me këtë trend, realisht do të bëhet dramatike”, thotë Levkov.

Sipas tij, trofta endemike e Ohrit si lloj peshku grabitqar është kontrolluesi më i madh i llojeve të tjera në liqen.

“Reduktimi i tij do të çojë në përhapjen e vrullshme të specieve të tjera, të cilat do të kontribuojnë në shfaqjen e llojeve të tjera të problemeve në vetë ekosistemin. Të paktën për momentin, probleme të tilla nuk janë shprehur në mënyrë dramatike, por sigurisht që duhet pasur kujdes në të ardhmen, duke pasur parasysh ndryshimet e kushteve klimatike”, thotë ai.

Ekspertët nga Evropa dhe bota, të cilët debatuan për cilësinë e ujit dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike, besojnë se ndotja me ujëra të zeza, urbanizimi, djegia e kallamishteve, pakësimi i stokut të peshkut të troftës, shfaqja e të ashtuquajturave specie invazive dhe fenomeneve të tjera negative, çojnë në ndryshime në përbërjen e botës së gjallë dhe mund të kontribuojnë në shkatërrimin e një prej eko-sistemeve më të rëndësishme në botë.

Sipas Prof. Jelena Krizmaniq nga Fakulteti i Biologjisë në Universitetin e Beogradit, duhet të ketë bashkëpunim mes shtetit dhe komunitetit shkencor dhe me ligje të caktuara për të kontrolluar cilësinë e ujit dhe për të mbajtur ekosistemin në gjendje të mirë.

Për ndotjen e liqenit të Ohrit dhe problemet e ngjashme, ka disa vite që shkruan Portalb.mk. Kohë më parë organizatat joqeveritare reaguan se me miratimin e tekstit të Ligjit për shpalljen e Liqenit të Ohrit monument natyror, Qeveria dhe Ministria e Mjedisit kanë shkelur legjislacionin vendor dhe atë ndërkombëtar dhe kanë vepruar në kundërshtim me Kushtetutën. Ata mbetem të pakënaqur edhe me zgjedhjen e NP “Sistemi kolektor” nga Ohri për organ menaxhues të Liqenit të Ohrit.