NjSI proteston nesër, kërkohet që sot të gjendet zgjidhje e të ndalohet dalja e tyre në rrugë

Pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese sërish do të protestojnë nesër para objektit të Qeverisë së Kosovës. Kjo pasi që këta të fundit nuk kanë arritur marrëveshje me kryeministrin Albin Kurti lidhur me kërkesat e tyre. Kërkesat kanë të bëjnë me shtesat e rrezikshmërisë. Protesta pritet të fillojë në ora 12:00 deri në 12:30.   Ish-drejtori […]

NjSI proteston nesër, kërkohet që sot të gjendet zgjidhje e të ndalohet dalja e tyre në rrugë
njsi-proteston-neser,-kerkohet-qe-sot-te-gjendet-zgjidhje-e-te-ndalohet-dalja-e-tyre-ne-rruge

njsi-proteston-neser,-kerkohet-qe-sot-te-gjendet-zgjidhje-e-te-ndalohet-dalja-e-tyre-ne-rruge

Pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese sërish do të protestojnë nesër para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Kjo pasi që këta të fundit nuk kanë arritur marrëveshje me kryeministrin Albin Kurti lidhur me kërkesat e tyre.

Kërkesat kanë të bëjnë me shtesat e rrezikshmërisë.

Protesta pritet të fillojë në ora 12:00 deri në 12:30.

 

Ish-drejtori i Policisë: E lus Qeverinë qysh sot ta ndryshojë vendimin që NJSI mos të del nesër në protestë

Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj ka thënë për Front Online ka thënë se i vie keq që Njësitë Policore po detyrohen të dalin në rrugë duke kërkuar të drejta, të cilat do të duhej t’u takonin edhe me ligj.

Qalaj, ka pasur një apel për Qeverinë e Kosovës.

“I bëj apel Qeverisë të mos lejoj që për shkak të shtesave Policia e Kosovës të detyrohet të dal në rrugë për shkak se ata janë duke u kujdesur për sigurinë e këtij vendi për mbrojtjen territoriale dhe integritetin territorial të këtij vendi, prandaj i kisha lut Qeverinë edhe njëherë që të merr masa urgjente gjatë ditës së sotme, ta ndryshoj vendimin në mënyrë që Policët mos të dalin nesër në protestë”, është shprehur Qalaj, për Front Online.

Ish-drejtori i Policisë Rashit Qalaj, tani deputet i PDK-së, deklaron se është gabim që shtesat për Policinë e vendit të trajtohen me vendimin e fundit të Qeverisë.

“Mendoj që është gabim, mendoj që është e pafalshme, mendoj që nuk ka ndonjë logjikë që shtesat e rrezikshmërisë për Policët e Kosovës të trajtohen ashtu siç janë trajtuar me vendimin e fundit të Qeverisë, mirëpo mendoj që Qeveria duhet urgjentisht të ulet së bashku me menaxhmentin e Policisë dhe me Sindikatën e Policisë dhe të gjej një zgjidhje të kënaqshme për të dyja palët”, ka thënë ai.

 

Qalaj: Në takimin e fundit me Kurtin, NJSI u përbuz dhe u fye

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj për Front Online ka folur edhe për takimin e fundit që kryeministri Albin Kurti kishte me NJSI-në, duke thënë se jo që nuk u arrit ndonjë ujdi, por se këta të fundit janë përbuzur dhe fyer nga Qeveria.

“Jo që në takimin e kaluar nuk është realizuar asnjë përfitim për shtesat e rrezikshmërisë, mirëpo me informatat që kemi Njësit i parë Intervenues që ka qenë në takim së bashku me disa prej menaxhmentit të Policisë nuk kanë kaluar mirë fare, përkundrazi janë fyer dhe përbuzur për punën  që kanë bërë. Mirëpo, kjo qasje është plotësisht e gabueshme”, është shprehur Qalaj.

Sipas tij, Qeveria duhet të realizoj sa më shpejtë ndonjë takim me të gjithë akterët e Policisë dhe të gjente ndonjë zgjidhje.

“Mendoj që Qeveria duhet të mbushet mend dhe duhet sa më shpejtë ta realizoj takimin me strukturat e Policisë, me Sindikatën e Policisë, Ministrinë e Brendshme dhe të gjej një zgjidhje e cila do të ishte zgjidhje e cila do të kënaqte sado pak nevojat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovë”, ka thënë ai.

 

Valdet Hoxha: Qasja e Qeverisë karshi kërkesave të Policisë është injorante

Ish-zv.ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha ka thënë për Front Online se realizimi i kërkesave të Policisë është i domosdoshëm.

Ndërsa, e kritikon qasjen e Qeverisë karshi kërkesave të Njësive Speciale.

“Qasja e Qeverisë karshi kërkesave të Njësive Speciale dhe në përgjithësi ndaj punonjësve të Policisë është thjesht injorante sepse po i injoron kërkesat e arsyeshme, të domosdoshme të cilat iu takojnë në bazë të autorizimeve specifike policore të cilat i kanë ata”, është shprehur Hoxha.

Njëjtë sikurse Qalaj, edhe Hoxha ka thënë se një takim i Qeverisë me akterë të Policisë është i nevojshëm.

“Po, besoj që është i nevojshëm një takim qoftë me Sindikatën e Policisë apo edhe me përfaqësues të Njësive Speciale të Republikës së Kosovës dhe jo vetëm për ta gjetë një rrugë të përbashkët se nëse nuk është i mundshëm realizimi qind për qind i kërkesave të tyre, të paktën mos mundësia buxhetore për t’i realizuar këto kërkesa do të duhej që të diskutohej dhe nga takimi të dalin të bindur njësitë speciale, e jo të injorohen dhe të luhet me deklarata politike për atë se çdo pjesëtar i Njësisë Speciale i ka pajisje mbi 10 mijë euro”, ka shtuar ndër të tjera Hoxha për Front Online.

Qeveria e Kosovës ka miratuar shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në një mbledhje të mbajtur më 16 nëntor.

Ekzekutivi kosovar e ka ndarë shumën e shtesave në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve në Policinë e Kosovës.

Qeveria i kishte prezantuar më 27 tetor shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë.

Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria ka thënë se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj.

Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, përkatësisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë./Front Online/