Nuk do të ketë transport publik nëse Këshilli i Qytetit të Shkupit merr vendim jo të duhur për subvencionet

Sot në mëngjes qytetarët e Shkupit kanë mundur të shfrytëzojnë transportin publik të qytetit deri në orën 9 dhe më pas të gjithë duhet të gjejnë zgjidhje se si të shkojnë në punë apo në një destinacion tjetër, raporton Portalb.mk. Në ora 10:30, Sindikata e NTP-së u mblodh para Qytetit të Shkupit, ku mbahet seancë […]

Nuk do të ketë transport publik nëse Këshilli i Qytetit të Shkupit merr vendim jo të duhur për subvencionet
Bllokada e autobusëve privat në Shkup, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Sot në mëngjes qytetarët e Shkupit kanë mundur të shfrytëzojnë transportin publik të qytetit deri në orën 9 dhe më pas të gjithë duhet të gjejnë zgjidhje se si të shkojnë në punë apo në një destinacion tjetër, raporton Portalb.mk.

Në ora 10:30, Sindikata e NTP-së u mblodh para Qytetit të Shkupit, ku mbahet seancë e jashtëzakonshme për të vendosur nëse do t’i jepen subvencione NTP Shkup.

Kryetari i Sindikatës, Miço Stojanovski, thotë se nëse Këshilli merr vendim të pjesshëm apo vendim që nuk është në favor të punëtorëve, në të ardhmen nuk do të ketë transport publik urban.

“Nga ora 04:40 deri në orën 9 të mëngjesit të sotëm, transporti publik i qytetit ka funksionuar normalisht. Si do të funksionojë më tej varet nga seanca e sotme, e katërta me radhë ku nuk votohet për subvencionet e NTP-së dhe fatin tonë për vitin 2024”, tha Stojanovski.

Për këtë, thotë ai, janë mbledhur për të bërë presion mbi këshilltarët e Qytetit të Shkupit, të cilët “tash e disa muaj shmangen dhe nuk marrin vendim për subvencionimin e buxhetit”.

“Nëse seanca e sotme përfundon ashtu siç duan punonjësit dhe sindikatat, atëherë në orët e mbrëmjes dhe pasdite transporti publik urban do të funksionojë normalisht. Nëse merret vendim i pjesshëm, ose vendim muaj pas muaji, që nuk u shkon për shtat punonjësve, sepse po afrohen zgjedhjet kur nuk mund të merren vendime, atëherë transporti publik urban në të ardhmen do të bllokohet dhe nuk do të zhvillohet në rrugëve të qytetit të Shkupit”, tha Stojanovski.

NTP “Shkup” nuk mund të ndajë pagën, sepse vendimi për dhënien e subvencioneve prej 11 milionë euro nga Qyteti i Shkupit nuk ka kaluar, sepse këshilltarët nga VMRO-DPMNE nuk e kanë votuar.

Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, tha të enjten se pret përgjegjësi nga Këshilli i Qytetit të Shkupit për pagën e papaguar të dhjetorit. Ajo theksoi se të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me funksionimin e rregullt të NTP-së, e që kanë të bëjnë me buxhetin e qytetit, i janë dorëzuar Këshillit dhe Kryetarit të Këshillit.

Kujtojmë që edhe vitin e kaluar punëtorët e ndërmarrjes publike nuk dolën për të vozitur për shkak të vonesës në dhënien e pagave brenda afatit ligjor të NTP “Shkupi”, por pas zgjidhjes së problemit autobusët vazhduan të qarkullojnë nëpër rrugët e Shkupit.