Ofertën e Haradinajt për koalicion parazgjedhor e refuzojnë LDK-ja dhe PSD-ja

Ndonëse ende nuk dihet nëse do të ketë zgjedhje parlamentare në Kosovë gjatë këtij viti, megjithatë partitë politike po bëhen gati. Dje ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka nënshkruar marrëveshje koalicioni me ish-zëvendësin e tij në Qeveri dhe liderin e NISMA-s, Fatmir Limajn. Përpos me NISMA-n, ftesë për koalicion parazgjedhor Haradinaj […]

Ofertën e Haradinajt për koalicion parazgjedhor e refuzojnë LDK-ja dhe PSD-ja
oferten-e-haradinajt-per-koalicion-parazgjedhor-e-refuzojne-ldk-ja-dhe-psd-ja

oferten-e-haradinajt-per-koalicion-parazgjedhor-e-refuzojne-ldk-ja-dhe-psd-ja

Ndonëse ende nuk dihet nëse do të ketë zgjedhje parlamentare në Kosovë gjatë këtij viti, megjithatë partitë politike po bëhen gati.

Dje ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka nënshkruar marrëveshje koalicioni me ish-zëvendësin e tij në Qeveri dhe liderin e NISMA-s, Fatmir Limajn.

Përpos me NISMA-n, ftesë për koalicion parazgjedhor Haradinaj i ka bërë edhe drejtuesve të subjekteve tjera politike.

 

Kuçi e PSD-së: E falënderojmë AAK-në për ftesën, por refuzimi jonë është konceptual dhe ideologjik

Megjithatë, PSD-ja e Dardan Molliqajt e ka refuzuar një ftesë të tillë.

“PSD-ja ka marrë ftesë nga AAK-ja që t’i bashkohet koalicionit AAK – NISMA, por është refuzuar nga ana jonë. Fillimisht e falënderojmë AAK-në për këtë ftesë, por refuzimi jonë është konceptual dhe ideologjik. Gjithashtu, ne si subjekt politik gjykojmë që, një koalicion strategjik që synon vetëm përfaqësim më të lartë në Kuvend nuk është i nevojshëm. Situata aktuale politike ka nevojë për një kundërshtim me alternativë që ofron zgjidhje karshi situatave të krijuara tashmë nga Qeveria Kurti”, ka thënë për Front Online Natyra Kuçi, zëdhënëse e PSD-së.

Kuçi për Front Online tha që do të garojnë të vetëm në zgjedhjet e ardhshme.

“PSD-ja me partitë aktuale në kuvendin e Kosovës nuk do të ketë bashkëpunime elektorale për arsye ideologjike dhe parimore. Ne do të garojmë si të vetëm në zgjedhjet e ardhshme, dhe jemi te hapur për bashkëpunime me grupe shoqërore dhe parti tjera politike që kanë interes dhe botëkuptim të përafërt me ne”, ka thënë ajo.

 

Rukiqi i LDK-së: Jo Ramushit, LDK-ja ecën vetëm

 

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj tha se janë të hapur për zgjerim të koalicionit edhe me partitë e tjera politike duke shtuar se do t’i ofrojnë bashkëpunim edhe PDK-së e LDK-së dhe të tjera partive, por që nuk do t’i presin gjatë.

Berat Rukiqi nga LDK-ja për Front Online konfirmoi se si parti në zgjedhjet e ardhshme do të garojnë të vetëm.

 

“Jo absolutisht, ne jemi në rrugën tonë, në rrugën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, garojmë vetëm, me platformën tonë “Rruga e re”. Kështu që çdo koalicion tjetër që e bëjnë të tjerët është i mirëseardhur në garën politike, por ne vazhdojmë rrugëtimin vetëm, në këtë proces zgjedhor”, ka thënë ai.

 

Analistët: Mund të rikthehet koalicioni VV- AAK-Nisma për Qeverinë e re

Analistët politik thonë se nuk do të ketë koalicione mes partive të mëdha për zgjedhjet e ardhshme. Arton Demhasaj thonë për Front Online se nëse Lëvizja “Vetëvendosje” do të del e para zgjedhje, atëherë mund të ketë koalicion me AAK-në dhe NISMA, me të cilat kishte bashkëpunuar sa ishte në opozitë.

“Jo nuk besoj që ka me pas koalicione të tilla të mëdha. LDK,PDK nuk besoj që do të shkojnë bashkë. Me gjasë edhe Vetëvendosja ka me garu vet, PDK-ja vet, LDK-ja vet, AAK-ja me Nisman bashkë. Me shumë gjasë, nëse zgjedhjet mbahen, atëherë ka me u kthy situatat e vitit 2017 kur me shumë gjasë nëse VV-a vazhdon kështu del e para, pastaj bashkë me AKK-në dhe Nisma munden me kriju Qeverinë. PDK-ja dhe LDK-ja mbesin në opozitë, pra kemi një ndërrim të roleve”, ka thënë ai.

Njëjtë mendon edhe analisti tjetër, Arbnor Sadiku.

Ai madje thotë që opsion tjetër është koalicioni VV- LDK me Abdixhikun kryeministër.

“Sa i përket qeverisë së ardhshme pas zgjedhjeve mund të kemi një qeveri ndërmjet VV-së dhe AAK-së nëse kalon pragun zgjedhor. Por, nëse ndodh e kundërta mund të kemi koalicion ndërmjet VV-së dhe LDK-së, me kushtin që kryeministri t’i takojë LDK-së, por, kjo mund ta dëmtojë rritjen e kësaj të fundit në afatgjatë”, potencon Sadiku.

 

Ndërsa, koalicioni mes VV-PDK për analistin Sadiku është i pamundur.

“Kurse, sa i përket një koalicioni ndërmjet VV-së dhe PDK-së, në bazë të raporteve që kanë aktualisht këto dy parti është i pamundur, veç nëse do të kemi zgjedhje në PDK dhe mund të vijë një kryetar i ri, pasi që z.Krasniqit i ka kaluar mandati dhe ndoshta në zgjedhjet e reja partiake mund të vijë kryetar i ri i PDK-së, Uran Ismajli, ku edhe mund të ndryshonin raportet PDK-VV”, thekson analisti.

/FrontOnline/