Post i ri për Lajçakun

Në katërvjetorin e mandatit si lehtësues i dialogut mes Kosovës e Serbisë, emisari evropian Miroslav Lajçak është përzgjedhur që të jetë ambasador i Bashkimit Evropian në Zvicër. Detyrën e re Lajçaku pritet që ta marrë nga 1 shtatori i këtij viti, teksa në BE nuk kanë bërë të ditur se kush do ta pasojë atë […]

Post i ri për Lajçakun
Mirosllav Lajçak ( emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi) në Forumin Strategjik të Bledit. Foto: Portalb.mk

Në katërvjetorin e mandatit si lehtësues i dialogut mes Kosovës e Serbisë, emisari evropian Miroslav Lajçak është përzgjedhur që të jetë ambasador i Bashkimit Evropian në Zvicër. Detyrën e re Lajçaku pritet që ta marrë nga 1 shtatori i këtij viti, teksa në BE nuk kanë bërë të ditur se kush do ta pasojë atë në postin e ndërmjetësit të dialogut, raporton Koha.net.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, pritet që nga 1 shtatori i këtij viti të bëhet ambasador i Bashkimit Evropian në Zvicër.

KOHA mëson nga burimet diplomatike se pikërisht në katërvjetorin e mandatit të tij në cilësinë e lehtësuesit të dialogut, Lajçaku është përzgjedhur që të jetë ambasador i BE-së në Zvicër.

Po ashtu, kjo do të thotë se në fund të gushtit ai do të largohet nga posti i tashëm.

Në BE, për momentin, nuk thonë se kush mund të jetë pasardhës i Lajçakut në postin e lehtësuesit të dialogut, pasi thonë se kjo lidhet edhe me qasjen që Bashkimi Evropian do ta ketë në të ardhmen në dialog.

Lidhur me Kosovën edhe një emërim tjetër i rëndësishëm pritet që të bëhet formal nga Bashkimi Evropian. Në vend të ambasadorit aktual të BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, të cilit i skadon mandati, nga 1 shtatori i këtij viti në postin e tij pritet të vendoset ambasadori i tashëm i Estonisë në BE, Aivo Orav.

Në kuadër të një rotacioni të madh në postet kryesore diplomatike të BE-së, që është në vazhdim e sipër, Orav është përzgjedhur që të jetë përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për Kosovën, që është njëherësh edhe shef i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Ky diplomat i lartë estonez ka një përvojë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor por edhe nga BE-ja.

Ai më herët ka shërbyer edhe si shef i delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut dhe si shef i delegacionit të BE-së në Mal të Zi.

Ai ka qenë po ashtu edhe ambasador i vendit të tij në Turqi. Njohuria e tij për rajonin por në të njëjtën kohë edhe e procedurave të brendshme të BE-së është konsideruar nga diplomatët si përparësi gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatit për postin e shefit të zyrës së BE-së në Prishtinë.

Zyra e BE-së në Prishtinë dhe delegacioni në Sarajevë janë ndër zyrat më të mëdha që Bashkimi Evropian ka në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe shefat e këtyre zyrave kanë edhe rol të dyfishtë – atë të shefit të zyrës por në të njëjtën kohë edhe atë të përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian.