Provat për sulmin në Banjskë jashtë vendit, lënë pezull ngritjen e aktakuzës
Ngritja e aktakuzës për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, nuk mund të bëhet derisa shumica e provave janë jashtë vendit për ekspertizë. Mësohet se disa nga provat që janë dërguar janë armët që ishin gjetur në vendin e ngjarjes. E në vend të kritikave për Prokurorinë Speciale, shoqëria civile i bënë thirrje qeverisë, të […]
Ngritja e aktakuzës për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, nuk mund të bëhet derisa shumica e provave janë jashtë vendit për ekspertizë. Mësohet se disa nga provat që janë dërguar janë armët që ishin gjetur në vendin e ngjarjes. E në vend të kritikave për Prokurorinë Speciale, shoqëria civile i bënë thirrje qeverisë, të përmbushë detyrimet e saj e të funksionalizojë laboratorët që mundësojnë ekzaminimet për rastet e tilla.
Gëzhojat e plumbave e vrimat në autoblindën e Policisë së Kosovës, janë disa nga dëshmitë, që u panë disa ditë pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2024 në Banjskë të Zvecanit.
Por, për ngritjen e aktakuzës ndaj atyre që organizuan sulmin terrorist në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku, nuk po mjaftojnë këto.
Një prej shkaqeve që Prokuroria Speciale e Kosovës, ende nuk ka përfunduar aktakuzën, është edhe dërgimi jashtë vendit i një numri të konsiderueshëm të provave për ekspertiza që nuk kryhen në vendin tonë.
Për këtë, siç ka mësuar RTV Dukagjini, mes provave ku përfshihen edhe disa prej armëve që ishin gjetur në vendin e ngjarjes, ato janë dërguar në shtete si SHBA e Gjermani, por edhe në rajon, në Maqedoninë e Veriut.
Për vonesat në ngritjen e aktakuzës, në veçanti pas marrjes së përgjegjësisë për sulmin nga ish-kryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, në adresë të Prokurorisë Speciale vazhdimisht kanë shkuar kritika nga ana e ekzekutivit.