Rasti “Monstra”, u arrestua Alil Demiri në Kosovë

U arrestua Alil Demiri në Kosovë. Sipas informacioneve nga A1on, 38 vjeçari Demiri u arrestua në bashkëpunim me Policinë e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk. A1on ka marrë konfirmim edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut. “Sot Policia e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Maqedonisë, në Kosovë e […]

Rasti “Monstra”, u arrestua Alil Demiri në Kosovë
Rasti "Monstra"

U arrestua Alil Demiri në Kosovë. Sipas informacioneve nga A1on, 38 vjeçari Demiri u arrestua në bashkëpunim me Policinë e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

A1on ka marrë konfirmim edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut.

“Sot Policia e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Maqedonisë, në Kosovë e kanë arrestuar 38 vjeçarin Alil Demiri, në bazë të fletearrestit ndërkombëtar të dhënë nga MPB-ja në RMV, kërkuar në lidhje me urdhrin e Gjykatës Themelore Shkupi 1”, deklarojnë nga MPB-ja.

Policia sqaroi që ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “Terrorizëm”, e dënueshme në bazë të nenit 394 nga Kodi Penal, për vrasjen në Liqenin e Smilkovit, i njohur si “Rasti Mostra”.

Ndryshe, në Gjykatën Supreme të Maqedonisë së Veriut në muajin qershor u mbajt seanca publike për rastin “Monstra”, në të cilën mbrojtja kërkoi që të kthehet në rigjykim rasti për shkak të shkeljeve procedurale dhe mungesës së fakteve.

Mbrojtja konteston pretendimin për grup të përbashkët kriminal, ndërkaq dëshmitarin “E1” e quan të montuar dhe të rrejshëm. Ata kanë vërejtje për ekspertiza e dheut, por edhe të gëzhojave, ndërkaq siç theksuan, është skandaloze se si është humbur çelësi i veturës “Opel Omega”, të cilën, Prokuroria pretendon se e kanë përdorur të akuzuarit gjatë kryerjes së veprës.

Prokuroria nga ana tjetër, i hodhi poshtë pretendimet e mbrojtjes dhe tha se ka vepruar sipas udhëzimeve të Gjykatës Supreme. Sipas tyre, vrasja është kryer me qëllim që të shkaktohet ndjenjë pasigurie dhe frike te qytetarët.

Rikujtojmë që në vitin 2017-të, Gjykata Supreme e riktheu në shkallë të parë lëndën, pasi i pranoi ankesat e palës mbrojtëse.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë gjatë rigjykimit, i shqiptuar më 23 shkurt 2021, për rastin “Monstra”, gjegjësisht vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, ashtu siç propozoi Prokuroria u shpallën fajtorë gjithsej 5 persona. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq (të cilët janë në arrati në Kosovë) bashkë me Agim Ismailloviqin, u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë”, ndërkaq Haki Aziri u dënua me 9 vjet burg, gjithashtu për “ndihmë”. I akuzuari Sami Luta u shpall i pafajshëm, pasi që Prokuroria e tërhoqi akuzën në mungesë të provave.

Më 6 shtator 2022, Gjykata e Apelit në Shkup u shpall vendimi për rastin “Monstra” dhe sipas të njëjtit, janë hedhur poshtë ankesat e të akuzuarve dhe njëkohësisht është miratuar vendimi i shkallës së parë, gjegjësisht Gjykatës Penale të Shkupit.

Të dënuarit dhe familjarët e tyre e mohojnë përfshirjen e tyre në këtë ngjarje dhe akuzojnë funksionarë shtetërorë për inskenim.

Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës ku mbetën të vrarë Filip Sllavkovski (18), Aleksandar Nаqevski (18), Cvetanço Acеvski (18), Kire Tërpkovski (20) dhe Borçe Stevkovski (45) ka ndodhur më 12 prill 2012-të dhe është njëri prej rasteve më makabre dhe më të mistershme që kanë ndodhur ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.

PËR MË SHUMË LIDHUR ME TEMËN LEXO: