RMV, inaugurimi i presidentes së re duhet të bëhet më së voni më 12 maj

Pas zyrtarizimit të rezultateve zgjedhore, më së voni më 12 maj duhet të mbahet seanca parlamentare për inaugurimin e presidentes së sapozgjedhur Gordana Siljanovska Davkova. Ajo duhet të japë deklaratë solemne para deputetëve të përbërjes së vjetër, pas së cilës fillon mandati i saj. Më 12 maj i skadon mandati presidentit aktual, i cili ishte […]

RMV, inaugurimi i presidentes së re duhet të bëhet më së voni më 12 maj
Vila presidenciale Vodno. Foto nga profili Vila Vodno në Facebook

Pas zyrtarizimit të rezultateve zgjedhore, më së voni më 12 maj duhet të mbahet seanca parlamentare për inaugurimin e presidentes së sapozgjedhur Gordana Siljanovska Davkova. Ajo duhet të japë deklaratë solemne para deputetëve të përbërjes së vjetër, pas së cilës fillon mandati i saj. Më 12 maj i skadon mandati presidentit aktual, i cili ishte edhe kandidat për president, Stevo Pendarovski, transmeton Portalb.mk.

Seancën për inaugurimin e presidentit të ri duhet ta thërrasë kryetari aktual i Kuvendit, Jovan Mitreski. Në takimin me gazetarët në fund të marsit, Mitreski bëri të ditur se ky do të jetë një nga aktivitetet e fundit të përbërjes së vjetër të Kuvendit, para konstituimit të përbërjes së re parlamentare.

Nëse inaugurimi i presidentes së r4 bëhet më 12 maj, dhe ajo duhet t’i ndajë mandatin përbërjes së re të Qeverisë.

Në bazë të Kushtetutës, Presidenti i Republikës është Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura. Presidenti ushtron të drejtat dhe detyrat e tij në bazë dhe në kuadrin e Kushtetutës dhe ligjeve dhe zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme dhe të menjëhershme, me votim të fshehtë, për një periudhë 5-vjeçare.

President zgjidhet kandidati që ka marrë shumicën e votave nga votuesit që kanë votuar, nëse kanë votuar më shumë se gjysma e votuesve.

Zgjedhja për Presidentin e Republikës bëhet në 60 ditët e fundit të mandatit të Presidentit të mëparshëm. Në rast të përfundimit të mandatit të Presidentit të Republikës për çfarëdo arsye, zgjedhja e presidentit të ri bëhet brenda 40 ditëve nga dita e përfundimit të mandatit.

Para marrjes së detyrës, Presidenti i Republikës bën një deklaratë solemne para Kuvendit, në të cilën merr përsipër të respektojë Kushtetutën dhe ligjet.

Në rast vdekjeje, dorëheqjeje, pamundësie të përhershme për të kryer funksionin ose përfundimin e mandatit në bazë të Kushtetutës, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, funksionin e Presidentit të Republikës e kryen kyetari i Kuvendit.

Paraqitjen e kushteve për përfundimin e funksionit të Presidentit të Republikës e përcakton Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë sipas detyrës zyrtare.

Detyra e Presidentit të Republikës është e papajtueshme me kryerjen e një funksioni, profesioni ose pozicioni tjetër publik në një parti politike. Presidenti i Republikës gëzon imunitet. Gjykata Kushtetuese vendos heqjen e imunitetit të Presidentit me dy të tretat e shumicës së numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë e cakton mandatin për përbërjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë; emëron dhe shkarkon me dekret ambasadorët dhe zëvendësit e Republikës së Maqedonisë së Veriut jashtë vendit; merr kredencialet dhe letrat e revokimit të përfaqësuesve të huaj diplomatikë; propozon dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë; propozon dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor Republikan; emëron tre anëtarë të Këshillit të Sigurimit të Republikës së Maqedonisë; propozon anëtarët e Këshillit për Marrëdhënie Ndërkombëtare; emëron dhe shkarkon bartës të tjerë të funksioneve shtetërore dhe publike; jep dekorata dhe mirënjohje në përputhje me ligjin; jep falje në pajtim me ligjin dhe kryen funksione të tjera të përcaktuara me Kushtetutë.

Presidenti i Republikës i raporton Kuvendit për çështjet e kompetencës së tij të paktën një herë në vit. Kuvendi mund t’i kërkojë Presidentit të Republikës mendim për çështje që janë në juridiksionin e tij.

Presidenti i Republikës është Kryetari i Këshillit të Sigurisë, i cili përbëhet nga: Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryetari i Qeverisë, ministrat që drejtojnë organet e administratës shtetërore në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe punëve të jashtme dhe tre anëtarë të emëruar nga Presidenti i Republikës.

Këshilli shqyrton çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe mbrojtjen e Republikës dhe i bën propozime Kuvendit dhe Qeverisë.

Presidenti i Republikës është përgjegjës për shkeljen e Kushtetutës dhe të ligjeve në ushtrimin e të drejtave dhe detyrave të tij. Procedurën për përcaktimin e përgjegjësisë së Presidentit të Republikës e fillon Kuvendi me shumicën e dy të tretave të votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve. Përgjegjësia e Presidentit vendoset nga Gjykata Kushtetuese me shumicën e dy të tretave të votave të numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve.

Nëse Gjykata Kushtetuese përcakton përgjegjësinë e Presidentit të Republikës, detyra e tij pushon në bazë të Kushtetutës.

Kujtojmë se në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që u zhvilluan dje, Gordana Siljanovska Davkova mori 560.173 vota, ndërsa presidenti tashmë në largim Stevo Pendarovski mori 251.541 vota.