S’dihet kur fillon regjistrimi i popullsisë/ Opozita: Dështim i Qeverisë, po tentojnë t’i mbulojnë shifrat reale

Qeveria me vendimin e fundit pati vendosur që procesi i regjistrimit të popullsisë të nisë më 1 nëntor dhe të zgjasë deri më 15 dhjetor. Mirëpo një gjë e tillë, me kërkesë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është shtyrë. Kjo për shkak që Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të sigurojë deri me atë […]

S’dihet kur fillon regjistrimi i popullsisë/ Opozita: Dështim i Qeverisë, po tentojnë t’i mbulojnë shifrat reale
s’dihet-kur-fillon-regjistrimi-i-popullsise/-opozita:-deshtim-i-qeverise,-po-tentojne-t’i-mbulojne-shifrat-reale

s’dihet-kur-fillon-regjistrimi-i-popullsise/-opozita:-deshtim-i-qeverise,-po-tentojne-t’i-mbulojne-shifrat-reale

Qeveria me vendimin e fundit pati vendosur që procesi i regjistrimit të popullsisë të nisë më 1 nëntor dhe të zgjasë deri më 15 dhjetor.

Mirëpo një gjë e tillë, me kërkesë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është shtyrë.

Kjo për shkak që Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të sigurojë deri me atë datë, tabletët e nevojshëm.

Megjithatë, ky proces ende nuk dihet se kur do të fillojë, ani pse tani tabletët janë siguruar.

Këtë e ka konfirmuar për Front Online, Avni Kastrati, ushtrues detyre i Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Ai thotë se tabletët janë siguruar aq sa i kanë kërkuar.

“Teknikisht ne jemi në rregull, të gjitha i kemi siguru, sa nevojiten aq i kemi. I kemi kërku 3500 tabletë, aq i kemi”, deklaroi ai.

Ani pse tanimë i kanë tabletët, ende nuk kanë filluar me trajnimin e personave për të realizuar këtë proces.

E, kjo nuk mund të bëhet pa u caktu data për nisjen e procesit të regjistrimit të popullsisë.

“Jo nuk mundet me fillu m’u trajnu pa u caktu data e procesit. Ta kemi datën pastaj ne  për tri javë, katër, e fillojmë trajnimin”, u shpreh Kastrati për Front Online.

E këtë situatë, njohësit po e konsiderojnë dështim të Qeverisë.

 

Deputeti i PDK-së: Qeveria po e zvarritë regjistrimin e popullsisë qëllimisht

 Në një prononcim për Front Online, deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka thënë se Qeveria po e zvarrit qëllimisht procesin e regjistrimit të popullsisë.

Kjo, sipas tij për t’a mbuluar shifrën reale.

“Këtë proces po e zhagit qëllimisht me strategjitë dhe parametrat e caktuar në mënyrë që të mbuloj shifrën reale të popullsisë së Kosovës por edhe të mbuloj dështimin e vet menaxherial në sektorin në të cilin po flasim”, deklaroi ai.

Ai thotë se Qeveria për arsye politike, po hedh qindra euro që janë dhënë për ta kryer këtë proces.

“Parimisht qeveria është dashur t’i kryej të gjitha obligimet përgatitore, sepse ka kryer një pjesë të tyre, ka marr objekte me qira, ka angazhu staf profesional dhe civil, parimisht janë bërë shpenzime qindra mijëra euro në përgatitjen e saj, dhe tanimë qeveria për arsye politike po e zhagit dhe po e neglizhon këtë situatë”, u shpreh ai për Front Online.

 

Shtyrja e regjistrimit të popullsisë/ Shatri: Dështim i Qeverisë, po merren me punë të tjera të kota

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri për Front Online thotë se vonesa për ta nisur regjistrimin e popullsisë, është e dëmshme për shtetin.

“Tek ne është shtyrë prej 21, tani më 23, tash u shtye në afat të pa caktuar është shumë e dëmshme dhe shumë e papërgjegjshme. Këta njerëz nuk kanë ide për gjërat e domosdoshme që duhet me i pas si shtet, për një vend saç është Kosova brenda një rrafshi, që duhet me pas evidenca, statistika, të dhëna për me mund me programu ecurinë më tutje”, ka thënë ai për Front Online.

Ai e quan dështim pasi sipas tij, është tejet e rëndësishme që vendi me i pas këto të dhëna.

Shatri thotë që Qeveria po merret me punë që janë të parëndësishme.

“Kjo është dështim në organizmin të punës dhe në menaxhim. Që tre vjet prej vitit 2021 po vonohet ditë pas dite për arsye se nuk ia ka vu askush mendjen, se mua më duket se këta njerëz nuk e din as rëndësinë e regjistrimit, se çka domethënë për një vend. Po merren me punë të tjera, fushata, do far ideologji të kota, pa mbështetje materiale kërkun”, u shpreh ai.

 

Lekaj: Zhvillimet negative në raportet mes Kosovës dhe Serbisë kanë ndikuar që regjistrimi si proces të bllokohet

Kurse deputeti i AAK-së, Pal Lekaj thotë se procesi i regjistrimit të popullsisë është zvarritur tani e sa kohë nëpër procedurat  e brendshme të ASK-së dhe të Qeverisë së Kosovës.

Ai tregon se kush ka ndikuar që procesi i regjistrimit të popullsisë të bllokohet.

“Zhvillimet negative në raportet mes Kosovës dhe Serbisë kanë ndikuar që regjistrimi si proces të bllokohet.Mbi të gjitha mendojë që janë dy arsye kryesore pse kemi një gjendje të tillë: E para, Qeveria Kurti me manovrat e saj politike ka krijuar pasiguri politike dhe administrative në komunat veriore, ku serbët nuk dëshirojnë ti nënshtrohen këtij procesi pasi nuk i njohin institucionet e Kosovës; e dyta supozohet që Qeveria Kurti po e zvarritë me qëllim procesin e regjistrimit të qytetarëve pasi i frikësohet shifrave që do të dalin nga ikja e kosovarëve nga vendi ynë për punë dhe jetë më të mirë në perëndim”, ka thënë Lekaj për Front Online.

Lekaj e vlerëson dështim të Qeverisë vonimin e këtij procesi të rëndësishëm për zhvillimin e shtetit të Kosovës.

Procesi i regjistrimit, fillimisht, ishte paraparë të zhvillohej në vitin 2021, por u shty për shkak të pandemisë COVID-19.

Më pas u planifikua për datën 1 shtator, por në fund të muajit gusht, Qeveria e Kosovës vendosi që ta shtynte për dy muaj.

Vendimi për shtyrje, sipas kryeministrit Albin Kurti, u mor për shkak të pamundësisë së ASK-së që t’i planifikonte detajet.

Kujtojmë se regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011./FrontOnline