Stojanovski në “Poligraf”: Të gjithë faktorët në shoqëri duhet të kontribuojnë në luftën kundër dezinformatave

Cilat janë dezinformatat më me ndikim në vend dhe si duhet qytetarët, mediat dhe institucionet të ballafaqohen me to? Për këto tema, në “Poligraf” bisedojmë me Filip Stojanovskin nga Fondacioni Metamorfozis, i cili së fundmi ka publikuar hulumtimin “Efekti i dezinformatave dhe ndikimeve të huaja në proceset demokratike në Maqedoninë e Veriut në vitin 2023”. […]

Stojanovski në “Poligraf”: Të gjithë faktorët në shoqëri duhet të kontribuojnë në luftën kundër dezinformatave
Drejtor për partneritete dhe zhvillimin e resurseve, në Fondacionin Metamorfozis, Filip Stojanovski. Foto: Vanço Xhambaski

Cilat janë dezinformatat më me ndikim në vend dhe si duhet qytetarët, mediat dhe institucionet të ballafaqohen me to? Për këto tema, në “Poligraf” bisedojmë me Filip Stojanovskin nga Fondacioni Metamorfozis, i cili së fundmi ka publikuar hulumtimin “Efekti i dezinformatave dhe ndikimeve të huaja në proceset demokratike në Maqedoninë e Veriut në vitin 2023”.

Poligraf: Cilat janë dezinformatat më aktuale, për cilat tema hasim më shumë dezinformata?

Stojanovski: Përgjithësisht, atë që shohim si tema të dezinformatave janë temat që sjellin ndarje të mëdha në shoqëri. Dhe, pikërisht për këtë shfrytëzohen edhe nga faktorë të huaj, si dhe nga ata që janë forca antidemokratike në vendin tonë, e këto janë, mes tjerash, lufta në Ukrainë, natyra e integrimeve euroatlantike – cilat do të jenë pasojat, si dhe mbjellja e frikës nga disa kërcënime të shpikura…Dhe, shumë shpesh, lloje të ndryshme të dezinformatave çojnë në nxitje të frikës dhe përçarje në baza etnike me qëllim të njollosjes të ndonjë grupi të caktuar etnik, ose në ndonjë bazë tjetër diskriminimi, si p.sh. barazisë gjinore apo shfaqjes së grupeve të caktuara në shoqëri si një lloj kërcënimi, që nuk mbështetet me asnjë provë.

Poligraf: A dinë qytetarët të njohin dezinformatat?

Stojanovski: Në përgjithësi, qytetarët janë të vetëdijshëm se janë të ekspozuar ndaj dezinformatave, sipas rezultateve të hulumtimit tonë, dhe një pjesë e madhe e qytetarëve besojnë se janë në gjendje t’i njohin ato. Fatkeqësisht, nëse e krahasojmë atë opinion për vetveten me faktin se një pjesë e madhe e qytetarëve kanë përvetësuar disa qëndrime që bazohen në dezinformata, mund të konstatojmë se shumë qytetarë në të vërtetë duhet të rrisin më tej njohurinë e tyre, të rrisin aftësitë e tyre për të njohur dhe për t’u ballafaquar me dezinformatat, sepse këtu ka shumë ndikim edhe atmosfera në shoqëri, ku, nëse inkurajohet ballafaqimi me dezinformatat, do të jetë një nxitje për vetë qytetarët që të luftojnë kundër tyre.

Poligraf: Çfarë mund të bëjnë institucionet apo Qeveria në lidhje me dezinformatat?

Stojanovski: Ajo që kemi si rekomandime, të cilat bazohen në këto rezultate, është se është e nevojshme një përgjigje sistemore, sepse shumica e arsyeve pse qytetarët janë kaq të ndjeshëm ndaj dezinformatave janë të natyrës sistemore. Ato varen nga cilësia e sistemit arsimor, nga mënyra se si institucionet ballafaqohen me këto probleme, јo vetëm institucionet shtetërore, por edhe institucionet e shoqërisë demokratike, si mediat, si komuniteti shkencor, akademik, arsimor etj., por edhe institucionet shëndetësore. Një sërë prej tyre ndeshen me këto probleme dhe duhet të bashkëpunojnë shumë më mirë mes tyre, veçanërisht me mediat.

Por, edhe vetë mediat, një pjesë e madhe e tyre ende nuk janë kyçur në mënyrë aktive në informimin dhe edukimin e qytetarëve për ekzistimin e dezinformatave, në ekspozimin e tyre dhe për t’u mundësuar qytetarëve që përmes edukimit nga mediat të aftësohen për t’i njohur dhe për t’u ballafaquar vetë me ato.

Pra, është vërtet e nevojshme – një nga hapat që ne e konsiderojmë logjik është krijimi i një strategjie nacionale për forcimin e rezistencës shoqërore ndaj dezinformatave, e cila do të përfshinte një sërë hapash të tjerë që do të rezultonin nga debati publik dhe konsultimi me të gjitha palët e përfshira. Sepse, ky është një problem që prek të gjithë dhe të gjithë duhet të përfshihen. Natyrisht, nëse nuk përfshihen të gjithë faktorët në shoqëri, çfarëdo zgjidhje që do të miratohet nuk do të jetë mjaftueshëm e mirë, prandaj është e nevojshme që të kontribuojnë të gjithë.

Intervistoi: Era Gjakova