Toshkovski: Problemi me pasaportat mund të zbutet me organizim të mirë, ambasadorja e Greqisë ishte e qartë për afatin

Bllokimi me lëshimin e dokumenteve personale mund të zbutet me menaxhimin e duhur dhe rialokimin e burimeve njerëzore që ka Ministria e Punëve të Brendshme. Nuk mund të pritet një zgjatje e mundshme e periudhës në të cilën qytetarët duhet të zëvendësojnë dokumentet e personale me emrin e ri kushtetues, sepse pala greke këmbëngul në […]

Toshkovski: Problemi me pasaportat mund të zbutet me organizim të mirë, ambasadorja e Greqisë ishte e qartë për afatin
Pançe Toshkovski, ministër i MPB-së në Qeverinë teknike. Foto printscreen nga video e TV Sitel

Bllokimi me lëshimin e dokumenteve personale mund të zbutet me menaxhimin e duhur dhe rialokimin e burimeve njerëzore që ka Ministria e Punëve të Brendshme. Nuk mund të pritet një zgjatje e mundshme e periudhës në të cilën qytetarët duhet të zëvendësojnë dokumentet e personale me emrin e ri kushtetues, sepse pala greke këmbëngul në respektimin e afateve për zbatimin e dispozitave që dalin nga Marrëveshja e Prespës, transmeton Portalb.mk.

Kështu është përgjigja e ministrit të Punëve të Brendshme në Qeverinë teknike nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Pançe Toshkovski, të cilën e ka dhënë në lidhje me këtë çështje në intervistën e sonte në “Tema e ditës” në Ditarin e TV Sitel.

Toshkovski dje ka pasur takim me ambasadoren e Greqisë në vend, Sofia Filipidou, në të cilën, siç informojnë nga MPB, ka prezantuar problemin me mungesën e formularëve për pasaporta dhe ka propozuar masa për zgjidhjen e tij.

Toshkovski në takim me ambasadoren greke – propozoi masa për problemin me mungesën e formularëve për pasaporta.

Mirëpo, në takim, siç tha ai në intervistë, ambasadorja ishte e qartë për afatin deri në të cilin qytetarët duhet t’i zëvendësojnë dokumentet e udhëtimit.

“Ambasadorja e bëri të qartë. Më falni ministër, por marrëveshja ka hyrë në fuqi më 02.12.2019, skadon pesë vjet më 02.12.2024, kaq”, tha ministri i Brendshëm.

Siç tha ai, dje nga ambasadorja është njoftuar se institucionet tona disa herë kanë treguar se nuk do ta kemi këtë problem.

“Sot, ambasadorja më njoftoi se institucionet tona disa herë kanë lënë të kuptohet se nuk do ta kemi këtë problem që kemi, se nuk do ta kemi këtë kaos që po ndodh dhe është fakt që është e përditshme dhe se do të zbusë procedurën për lëshimin e pasaportave në të ardhmen për faktin se tashmë janë lëshuar një milion e dyqind e pesëdhjetë mijë, por çfarë të bëjmë me një milion e dyqind e pesëdhjetë mijë të mbetura që do të lëshohen. Çfarë të bëjmë me faktin që marrëveshja ka hyrë në fuqi, dhe për dy vjet nuk kanë bërë asgjë dhe kanë nxjerrë pasaporta me emrin e mëparshëm. Çfarë të bëjmë me këtë?”, tha Toshkovski.

Ministri i cili dje ka vizituar sallën e fotografimit për dokumentet personale në stacionin policor “Prolet”, në intervistë ka thënë se ajo që mund të premtojë është se do të ulë afatin për fotografimin e dokumenteve.

Kjo, siç tha më herët në bisedë, mund të bëhet me një organizim të mirë dhe duke rritur numrin e njerëzve që punojnë në shërbimet administrative të MPB-së.

“Po, mund të zbutet. Me një organizim të mirë, duke shtuar numrin e njerëzve që punojnë atje, me menaxhimin e duhur dhe rishpërndarjen e burimeve njerëzore që ka Ministria e Punëve të Brendshme, situata mund të përmirësohet, si në fushën e fotografimit, si ndër hapat e parat në procedurë, ashtu edhe në pjesën e dhënies”, tha ministri.

Në atë drejtim, siç tha ai, tashmë ka lëshuar urdhra për tërheqjen e një numri të caktuar të personave nga sektorët e tjerë ku nuk ka nevojë të veprimit të tillë dhe shpërndarja e tyre në këtë pjesë ku gjendja është alarmante.

Por, theksoi, atyre personave që do të zhvendosen do t’u duhen të paktën shtatë e tetë ditë për t’u trajnuar në mënyrë që të vendosen në ato pozita për të lehtësuar procesin.

Sipas tij, potenciali njerëzor që ka Ministria nuk është shpërndarë si duhet dhe personat që punojnë në këtë sektor, sipas informacioneve që ai ka marrë, janë dërguar atje për të punuar si ndëshkim.

“Njerëzit i dërguan atje nën dënim, të paktën kështu thonë. Kur është dashur të dënohet dikush është dërguar që t’i zbatojë këto procedura administrative dhe në fund ju keni efektin që keni”, tha Toshkovski.

Problemi, tha ai, nuk është vetëm te fotografimi dhe dhënia e pasaportave, por problemi më i madh sipas tij është planifikimi.

“Kur e kanë planifikuar nuk kanë planifikuar procesin sipas numrit të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, por kanë planifikuar procesin sipas numrit të atyre që janë efektivisht të pranishëm në Republikën e Maqedonisë. Gabimi i parë katastrofik. Së dyti, ata kanë hyrë shumë vonë në procesin e realizimit të marrëveshjes dhe tashmë nga pozicioni i ambasadores së vendit të tyre (ambasadorja greke në vend), është normale që ajo të insistojë në respektimin e dispozitave të marrëveshjes”, tha ministri.

Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.

Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Në mars të vitit të kaluar, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.