Zbulimi i krimit të organizuar në RMV, kërkohet koordinim më i madh mes Prokurorisë dhe Policisë

Komisioni Evropian, në raportin vjetor për Maqedoninë e Veriut e vlerësoi vendin me një nivel përgatitjeje dhe me njëfarë përparimi në sferën e luftimit të krimit të organizuar. Por, në këtë drejtim, përmendet nevoja për koordinim më të madhe ndërmjet institucioneve, këtu është fjala për Prokurorinë dhe Policinë. Prandaj, me theks të veçantë në raport […]

Zbulimi i krimit të organizuar në RMV, kërkohet koordinim më i madh mes Prokurorisë dhe Policisë
Arrestim, foto nga Ministria e Punëve të Brendshme, RMV

Komisioni Evropian, në raportin vjetor për Maqedoninë e Veriut e vlerësoi vendin me një nivel përgatitjeje dhe me njëfarë përparimi në sferën e luftimit të krimit të organizuar. Por, në këtë drejtim, përmendet nevoja për koordinim më të madhe ndërmjet institucioneve, këtu është fjala për Prokurorinë dhe Policinë. Prandaj, me theks të veçantë në raport është kërkuar që vendi të përmirësojë historikun e tij në hetimet, ndjekjet penale dhe dhënien e dënimeve në rastet e krimit të organizuar dhe pastrimit të parave me fokus në konfiskimin e aseteve të fituara nga krimi, raporton Portalb.mk.

raportin e Ministrisë së Brendshme thuhet se gjatë vitit 2023, në sferën e krimit të organizuar janë zbuluar 242 (239) vepra penale, për të cilat janë ndërmarrë masa të ndjekjes penale ndaj 393 (342) personave. Numri i krimeve të zbuluara është pothuajse në të njëjtin nivel, ndërsa rritje prej 15% vërehet nga personat e kallëzuar penalisht.

“Në vitin 2023 u kryen operacione komplekse policore – zbulimi i aktiviteteve kriminale të grupeve të organizuara kriminale, të cilat rezultuan në shtypjen e 14 grupeve të organizuara kriminale, në të cilat ishin përfshirë 123 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Numri më i madh  i grupeve (pesë) ishin grupe polikriminale të përfshira njëkohësisht në më shumë fusha të krimit: tregti e paligjshme e drogës dhe armëve, krim ekonomik, krime kundër trashëgimisë kulturore, mashtrime tatimore dhe pastrim parash”, thuhet në raport.

Në tregtinë e paligjshme e drogës, janë shtypur nëntë grupe të organizuara kriminale, të cilat vepronin në nivel ndërkombëtar ose kombëtar, tre prej të cilave polikriminale, të përfshira edhe në tregtinë e paligjshme të armëve. Në kuadër të grupeve të shtypura janë kallëzuar penalisht 65 persona, dy prej tyre shtetas shqiptarë.

U arrestuan bosët më të mëdhenj të drogës në Ballkan. Foto: Printscreen nga video në Faceook në profilin e Europol.
U arrestuan bosët më të mëdhenj të drogës në Ballkan. Foto: Printscreen nga video në Faceook në profilin e Europol.

Lufta kundër krimit të organizuar ndërkombëtar rezultoi në kryerjen me sukses të hetimeve të përbashkëta ndërkombëtare, gjatë të cilave u sekuestruan 590 kilogramë kokainë dhe 85.4 kilogramë marijuanë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë. Ministria e Punëve të Brendshme, në një hetim të përbashkët ndërkombëtar me Shërbimin Kundër Drogës nga Selaniku, Republika e Greqisë, Shërbimi Amerikan Kundër Drogës DEA dhe Qendra e Zbatimit të Ligjit të Evropës SELEK, kryen një operacion të përbashkët të trafikut të paligjshëm të kokainëa, ndërsa në Selanik, në dy veprime të koordinuara, u sekuestruan 265.6 gramë kokainë. Krahas kësaj, në një grup të përbashkët hetimor me Republikën e Shqipërisë, janë iniciuar aktivitete të koordinuara policore, gjatë të cilave dy shtetas maqedonas, anëtarë të grupit të organizuar kriminal ndërkombëtar të përfshirë në organizimin e transportit të lëndës narkotike kokainë nga Amerika e Jugut në vendet e BE-së. Në kuadër të këtij aksioni janë sekuestruar 324.4 kilogramë kokainë në R. Shqipërisë.

Në fushën e kontrabandës së migrantëve, u shtyp një grup kriminal i organizuar ndërkombëtar prej 24 anëtarësh, pjesë e një kanali ndërkombëtar, i cili prej një periudhe të gjatë planifikonte dhe organizonte kontrabandën e emigrantëve nga Republika e Greqisë në Republikën e Hungarisë dhe nga Republika e Bullgarisë në Republikën e Serbisë, me destinacion përfundimtar në vendet e BE-së.

Në fushën e keqpërdorimeve korruptive është shtypur një grup i organizuar kriminal katër anëtarësh, i përbërë nga një ish-kryetar i komunës së Negotinës dhe punonjës të komunës. Të denoncuarit në kundërshtim me dispozitat e ligjit për prokurimin publik, pa marrë pëlqim, kanë lëshuar një shpallje për racionalizimin dhe përmirësimin e rrjetit publik të ujësjellësit, në të cilin kanë ofruar kritere dhe teknologji që i referohet prodhimit specifik. Të njëjtët, me lidhjen e kontratës u kanë mundësuar personave të tretë të fitojnë përfitim pasuror të kundërligjshëm prej 21,2 milionë denarë.

Në fushën e mashtrimit tatimor dhe pastrimit të parave, u shtyp një grup i organizuar kriminal në të cilin janë kallëzuar penalisht 15 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Grupi i organizuar kriminal përdorte personat juridikë si garanci tatimore për t’i lëshuar njëri-tjetrit fatura false, pa veprimtari reale biznesi. Në bazë të këtyre faturave, deklaratat tatimore janë dorëzuar në Drejtorinë e të Hyrave Publike, me qëllim të pretendimeve të pabazuara për rimbursim tatimor. Në këmbim, organizatorët merrnin mallra, pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme dhe më pas ua rishisnin të tretëve, duke përfituar në mënyrë të paligjshme përfitime materiale dhe pasurore.

Në një aksion të koordinuar policor, është shuar një grup polikriminal i organizuar kriminal shumë anëtarësh i përbërë nga persona nga Shkupi dhe një person nga Tetova, i cili për një kohë të gjatë ishte i përfshirë në vepra penale kundër trashëgimisë kulturore dhe krimit ekonomik.

Në kuadër të veprave penale kundër drejtësisë është shtypur një grup prej katër punonjësve të INP Idrizovë, të cilët janë kallëzuar penalisht për veprën penale “lirim i paligjshëm i personit të privuar nga liria”. Të denoncuarit, në cilësinë e policëve të burgut – komandantë dhe mbikëqyrës të burgjeve, në kundërshtim me ligjin, kanë liruar një person të dënuar për vrasje dhe trafik të paligjshëm droge, i cili iu besua për ruajtje dhe e ndihmuan të arratisej, në atë mënyrë nuk kanë vepruar sipas procedurave për shoqërimin e të dënuarit.

Arrestim, foto nga Ministria e Punëve të Brendshme, RMV
Arrestim, foto nga Ministria e Punëve të Brendshme, RMV

Sa i përket krimit të organizuar, edhe Bashkimi Evropian e ka vlerësuar Maqedoninë e Veriut me një nivel përgatitjeje, duke shtuar se është bërë njëfarë përparimi në fushën e luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Megjithatë, disa forma të krimit, si pastrimi i parave dhe krimet financiare, konsideron se duhet të trajtohen në mënyrë më efektive.

“Vendi vazhdon të ketë një nivel të mirë bashkëpunimi operacional me shtetet anëtare të BE-së, vendet fqinje jo-BE, Europol dhe Eurojust. Një ligj i ri për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit ka hyrë në fuqi në korrik 2022. Disa forma të krimit, si pastrimi i parave dhe krimet financiare duhet ende të trajtohen në mënyrë më efektive”, thuhet në raportin e KE-së.

Kapaciteti i Qendrës Kombëtare të Koordinimit për Luftën kundër Krimit të Organizuar duhet të përmirësohet. Koordinimi mbetet thelbësor për të gjithë aktorët e përfshirë në luftimin e krimit të organizuar, duke përfshirë koordinimin ndërmjet prokurorëve dhe policisë, vlerëson BE.

Shumica e rekomandimeve të vitit të kaluar mbeten të vlefshme.
Në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti:

  • të përmirësojë historikun e tij në hetimet, ndjekjet penale dhe dhënien e dënimeve në rastet e krimit të organizuar dhe pastrimit të parave me fokus në konfiskimin e produkteve të krimit;
  • të miratojë dhe zbatojë legjislacionin e nevojshëm për një Zyrë të Rikuperimit të Pasurive;
  •  të forcohen kapacitetet njerëzore dhe financiare të agjencive të zbatimit të ligjit që hetojnë krimet e organizuara dhe të rënda, krimet financiare dhe pastrimin e parave

Kur jemi te institucioni MPB, kujtojmë se KE-ja kërkoi që Maqedonia e Veriut të bëjë përpjekje thelbësore në fushat ku është arritur përparim i kufizuar, si transporti, rrjetet trans-evropiane dhe mjedisi јetësor. Vendi vazhdon të ketë numër të lartë të viktimave në komunikacionin rrugor, kjo duke iu referuar raportit të Komisionit Evropian. Sipas raportit të MPB-së, gjatë këtij viti ka pasur rritje prej 2.4% të numrit të personave me pasojë vdekjen në aksidente trafiku. Përkatësisht në vitin 2023 kemi 127 viktima nga trafiku rrugor.