Dezertimi i Mehajt/Komandantët Ushtarakë: Kosova humbi shumë në fushën e mbrojtjes

Armend Mehaj nuk do të jetë më ministër i Mbrojtjes. Ai dha dorëheqje të martën zyrtarisht nga ky post, të cilin e mbajti në Qeverinë Kurti për më shumë se dy vjet. Ushtaraku e arsyetoi largimin me disa rrethana familjare, të cilat i përmendi edhe shefi i tij i deritashëm, Albin Kurti, kur e falenderoi […]

Dezertimi i Mehajt/Komandantët Ushtarakë: Kosova humbi shumë në fushën e mbrojtjes
dezertimi-i-mehajt/komandantet-ushtarake:-kosova-humbi-shume-ne-fushen-e-mbrojtjes

dezertimi-i-mehajt/komandantet-ushtarake:-kosova-humbi-shume-ne-fushen-e-mbrojtjes

Armend Mehaj nuk do të jetë më ministër i Mbrojtjes.

Ai dha dorëheqje të martën zyrtarisht nga ky post, të cilin e mbajti në Qeverinë Kurti për më shumë se dy vjet.

Ushtaraku e arsyetoi largimin me disa rrethana familjare, të cilat i përmendi edhe shefi i tij i deritashëm, Albin Kurti, kur e falenderoi për angazhimin e treguar që nga dita e para.

Arsyeja nuk po i bind dy komandantët ushtarakë, Kadri Kastrati e Hisen Berisha, të cilët kanë dyshime.

“Pse ka dhënë dorëheqje nuk e di, e dinë ai, ai por unë mendoj se më së paku është për arsye familjare”, u shpreh Kastrati për Front Online”.

“Kurti u bë sebep i largimit. Mehaj nuk ka mundur të jetë pjesë e një Qeverie që pëson sanksione nga BE dhe Amerika, aleati kryesor i Ushtrisë. Shembull është përjashtimi nga Defender Europe 23”, deklaroi Berisha, në anën tjetër.

Të dy e pranojnë se me largimin e Mehajt, Kosova ka humbur shumë në fushën e mbrojtjes.

“Me keqardhje e prita lajmin. Konsideroj që ka qenë njeriu që punoi më së shumti, ka pasë objektiva te qarta, punoi me zemër me forcu ushtrinë. Shteti ka humb shumë. Është dëm që nuk ka qëndru deri në fund me i realizu objektivat. E ka bërë modernizimin e ushtrisë, ka investuar në pajisje, infrastrukturë. E ka rrit buxhetin e ushtrisë”, u shpreh Kadri Kastrati për “Front Online”.

“Ministri Mehaj e ka kryer detyrën me perkushtim, ka pasë dëshira me realizu projektin e Forcës së Kosovës”, theksoi Hisen Berisha për “Front Online”.

Për çfarë do të mbahet në mend Armend Mehaj?

Drejtimin e dikasterit përgjegjës për formimin dhe zbatimin e sigurisë dhe rendit shtetëror, Mehaj e mori më 22 mars 2021. Shumë pak njerëz mund ta kenë njohur deri atëherë.

42-vjeçari u bë njeriu i parë në Qeverinë Kurti 2 që erdhi nga jashtë vendit (Norvegjia) për të marrë detyrën e ministrit. Duke qenë pjesë e Forcave të Armatosura të Norvegjisë nga viti 1999, me përvojë shërbimi në Afganistan dhe Chad, ai mendohej se do ta sillte në Kosovë përvojën e tij të nevojshme në fushën e mbrojtjes së vendit.

Armend Mehaj ishte votuar si ministri më i suksesshëm në një anketë të Gazetës Express vitin e kaluar. Votimi disaditor e kishte vënë Mehajn në krye të listës, me mbi 20% të votave. Ai ishte një nga ministrat me më së paku paraqitje publike. Aktivitetin e tij, kryesisht e shpaloste në rrjetet sociale.

Gjatë punës së tij, Mehaj do të mbahet në mend si ministri gjatë kohës së të cilit u formua Fondi i Sigurisë, më 1 mars 2022. Kjo lëvizje, siç kishte thënë Mehaj, u bë për shkak të rrethanave gjeopolitike në botë, por edhe për shkak luftës së Rusisë në Ukrainë.

Për shumën e parave të mbledhura në këtë fond nuk u fol asnjëherë dhe kjo ishte pika në të cilën ndoshta më së shumti u kritikua Ministria e Mbrojtjes gjatë kohës së udhëhequr prej Mehajt. Tani ish-ministri, thoshte se mjetet do të përdoreshin në përputhje me një strategji shtetërore e cila do të miratohej nga Qeveria dhe se themelimi i këtij fondi ka qenë në “koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara”. Tash, pas dorëheqjes, ai ka përmbledhur punën e tij në një postim në Facebook, ku nuk e ka përmendur Fondin e Sigurisë.

Mehaj u angazhua në rritjen e numrit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Për 2 vjet, FSK-së iu shtuan 1836 ushtarë. Në vitin 2021 diplomuan 404 rekrutë në FSK. Në vitin 2022 diplomuan 820 rekrutë të tjerë. Në vitin 2023 do të trajnohen 612 rekrutë të rinj, 316 prej të cilëve kanë filluar trajnimin bazik.

“Rritje të numrit, armatim modern dhe trajnime adekuate. Ushtria jonë është siguria e atdheut”, shkroi para katër ditësh në Facebook ish-ministri Armend Mehaj.

Ish–komandanti gjerman i KFOR-it, Ehard Bühler e pati lavdëruar Mehajn në një intervistë për Express në shkurt, duke thënë se ai “është duke bërë një punë të shkëlqyeshme në kërkimin e bashkëpunimit me NATO-n kurdo që është e mundshme”.

“..E në të njëjtën kohë po e ndërton Ushtrinë e Kosovës sipas standarteve të NATO- s. Kjo është rruga e duhur dhe pragmatike për periudhën e tranzicionit”, pati thënë Bühler.

Në njoftimin e dorëheqjes në Facebook, Mehaj tha se sa e udhëhoqi Ministrinë e Mbrojtjes, janë bërë “miliona euro blerje të armatimit dhe pajisjeve, për herë të parë përmes marrëveshjesh të drejtpërdrejta ndërshtetërore, duke i shmangur dhe parandaluar keqpërdorimet e mundshme”.

Në rritjen e kapaciteteve ushtarake, do të mbahet në mend blerja e dronëve Bayraktar TB-2 nga Turqia.