Këto janë komunat të cilat do t’ua falin tatimin në pronë qytetarëve

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në favor të Qeverisë sa i përket faljes së tatimit në pronë. Sipas këtij vendimi, komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se Ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me Ligjin e Pushtetit Lokal. E për këtë, Ministria e Financave […]

Këto janë komunat të cilat do t’ua falin tatimin në pronë qytetarëve
keto-jane-komunat-te-cilat-do-t’ua-falin-tatimin-ne-prone-qytetareve

keto-jane-komunat-te-cilat-do-t’ua-falin-tatimin-ne-prone-qytetareve

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në favor të Qeverisë sa i përket faljes së tatimit në pronë.

Sipas këtij vendimi, komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se Ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me Ligjin e Pushtetit Lokal.

E për këtë, Ministria e Financave i ka njoftuar komunat e Kosovës se kanë afat deri më 8 dhjetor për të vendosur për faljen e tatimit në pronë deri në vlerën prej 100 eurove.

Pikërisht për këtë çështje, Portali Front Online ka kontaktuar me disa komuna të Kosovës.

Një komunë që tanimë ka vendosur për faljen e tatimit në pronë prej 100 eurove është ajo e Suharekës.

Kryetari Bali Muharremaj në një prononcim për Front Online ka thënë që me shumicë votash, është vendos që të falet tatimi në pronë për qytetarët.

“Ne e kemi qit në seancën e fundit në rend të ditës, dhe me shumicë të votave të asamblistëve kanë votuar po, dhe është mbyll ky proces. Me 17 po, dhe 12 kundër kanë qenë votat e asamblistëve”, ka thënë ai për Front Online.

 

 

Komuna e Skenderajt ia falë qytetarëve 390 mijë euro nga tatimi në pronë

Njëjtë ka vepruar edhe Komuna e Skenderajt.

Zëdhënësi i kësaj komune, Amir Lushtaku ka thënë që janë falur rreth 390 mijë euro borxh të tatimit në pronë.

“Komuna e Skenderajt në mbledhjen e mbajtur me 29.11.2023 pas propozimit të kryetarit të komunës Fadil Nura ua ka falur qytetarëve rreth 390 mijë euro të tatimit në pronë! Kuvendi Komunal i Skenderajt ka mbajtur me datë 29 nëntor seancën e rregullt, ku si pikë kryesore e rendit të ditës ka qenë falja në vlerën deri në 100 euro të tatimit në pronë për vitin 2023, nga e cila përfitojnë direkt qytetarët e komunës së Skenderajt. Me këtë rast, me votat e shumicës së anëtarëve të Kuvendit është votuar propozim-vendimi për falje të tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit, që arrin vlerën afërsisht 390 mijë eurove”, ka thënë ai për Front Online

 

Edhe qytetarëve vushtrrias, komuna ka propozuar që të ju falen borxhet e tatimit në pronë deri në 100 euro.

Kryetari Ferit Idrizi përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se propozimi i tij është votuar nga të gjithë asamblistët.

“Në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë, propozova që qytetarëve vushtrrias të ju falen borxhet e tatimit në pronë deri në 100 euro. Falënderoj të gjithë asamblistët që votuan këtë propozim”, ka shkruar Idrizi.

 

Podujeva vendos javën e ardhshme nëse do t’ia falë qytetarëve tatimin në pronë

 

Optimist se do të votohet edhe në Komunën e Podujevës, shprehet zëdhënësi Fatri Zhitia.

Ai në një prononcim për Front Online ka thënë që në javën e ardhshme ka seancë, ku do të votohet për faljen e tatimit në pronë.

Megjithatë, ai thotë se deri tani nuk ka parë kundërshtime.

“Kuvendi Komunal ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për javën e ardhshme për t’a trajtuar këtë çështje, kjo i mbetet asamblistëve ta mbështesin apo jo këtë propozim nga Kryetari i Komunës. Nuk kam parë ndonjë kundërshtim. Besoj që do të miratohet”, u shpreh ai për Front Online.

 

 

Prishtina e Prizreni nuk e dinë ende nëse do ta falin tatimin në pronë prej 100 eurove

 

Pa vendim për faljen e tatimit në pronë janë dy komuna të tjera që Front Online i ka kontaktuar.

Zëdhënësja e komunës së Prishtinës, Arlinda Kastrati ka thënë që janë në diskutim, mirëpo nuk ka ende ndonjë vendim.

“E kemi pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe jemi në diskutim lidhur me këtë çështje, nuk kemi marrë ende ndonjë vendim dhe në momentin që marrim vendimin do të ju informojmë me kohë”, ka thënë ajo për Front Online.

Po ashtu edhe nga Komuna e Prizrenit nuk kanë vendim.

Drejtori i Financave, Sulltan Badalli për Front Online ka thënë që nuk e dinë ende, pasi që kryetari është në udhëtim zyrtar.

“Ende vendimin nuk e kemi marr, po e presim kryetarin një takim me bë, dhe e shohim më tutje çka. Kryetari është në udhëtim zyrtar dhe vjen në javën tjetër, pastaj do të bisedojmë të shohim se çka do të bëjmë”, ka thënë ai për Front Online.

Qeveria e Kosovës ka fituar përballje me komunat për faljen e tatimit në pronë. Gjykata Kushtetuese ka njoftuar të mërkurën se ka vendosur që komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se Ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal.

Në shtator, Kushtetuesja pati vendosur masë të përkohshme për nenin e Ligjit për tatimin në pronë, që parashihte faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët. Komuna e Prizrenit e pati dërguar ligjin për vlerësim në Kushtetuese. Kryetarët e komunave akuzonin Qeverinë për ndërhyrje në kompetenca të komunave dhe se me këtë ligj ato dëmtoheshin duke ua zvogëluar buxhetin.