Kryeministri kërkon zbatimin e vendimit – Çfarë ka në 24 hektarët përreth Manastirit të Deçanit?

Që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, Manastiri i Deçanit, i cili gjendet në pjesën perëndimore të vendit, kërkon marrjen në pronësi të një sipërfaqeje prej rreth 24 hektarësh. Kjo tokë, që ndodhet përreth këtij manastiri, në kadastër është e shënuar si pronë e dy ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko” – e para […]

Kryeministri kërkon zbatimin e vendimit – Çfarë ka në 24 hektarët përreth Manastirit të Deçanit?
kryeministri-kerkon-zbatimin-e-vendimit-–-cfare-ka-ne-24-hektaret-perreth-manastirit-te-decanit?

kryeministri-kerkon-zbatimin-e-vendimit-–-cfare-ka-ne-24-hektaret-perreth-manastirit-te-decanit?

Që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, Manastiri i Deçanit, i cili gjendet në pjesën perëndimore të vendit, kërkon marrjen në pronësi të një sipërfaqeje prej rreth 24 hektarësh.

Kjo tokë, që ndodhet përreth këtij manastiri, në kadastër është e shënuar si pronë e dy ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko” – e para hotel dhe e dyta fabrikë mjalti.

Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi këta 24 hektarë tokë u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit 2016.

Por, këtë vendim, autoritetet lokale të Deçanit nuk e zbatojnë as sot e kësaj dite, duke vlerësuar se kjo sipërfaqe u mor me dhunë në vitet ’90, nga regjimi i udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

Nga Manastiri i Deçanit i thanë REL-it se në vitin 1997, manastirit, në fakt, iu kthyen 24 nga gjithsej 700 hektarët tokë, të cilët i janë marrë në vitin 1946 nga pushteti komunist i Jugosllavisë së atëhershme.

Çfarë ka në këtë sipërfaqe dhe pse është e rëndësishme për Deçanin?

Përveç tokës bujqësore dhe pyllit, në këta 24 hektarë ndodhen edhe dy objekte hoteliere, me rreth 10 objekte të vogla përcjellëse, si dhe objekti i një ndërmarrjeje që në kohën e paraluftës njihej për prodhim të mjaltit.

Sipërfaqja prej 24 hektarësh tokë, e shndërruar në kontest midis Komunës së Deçanit dhe Manastirit të Deçanit.

Hotel “Iliria”, një objekt i shkatërruar në mes të malit

Rreth 500 metra larg Manastirit të Deçanit, i fshehur mes pishave të larta, ndodhet objekti i hotelit “Iliria”.

Hoteli “Iliria” i shkatërruar gati tërësisht.

Ky hotel ishte ndër më të njohurit e kësaj ane në vitet e 70-ta dhe 80-ta.

Përveç që punësonte mesatarisht rreth 40 punëtorë, ai kishte fluks të madh vizitorësh, sidomos gjatë sezonit të verës.

Ky objekt – tani nën mëshirën e fatit – ndaloi së punuari në vitet ’90, kur regjimi i atëhershëm serb vendosi masa të dhunshme në Kosovë, duke mbyllur shumë institucione dhe ndërmarrje.

Inventari dhe gjërat e tjera përcjellëse u vodhën apo u dëmtuan në masë të madhe pas luftës, më 1999.

Hoteli tjetër që nuk i shihet fundi

Në skaj të hotelit “Iliria” ndodhet një kompleks tjetër hotelier.

Ndërtimi i tij nisi para luftës së viteve 1998-99, por punimet nuk u finalizuan.

Objekti i ri i kompleksit ”Iliria”

Tensionimi i situatës politike atëbotë dhe fillimi i luftës bënë që punimet të ndërpriteshin.

Në hapësirat e brendshme vërehet se hoteli parashihej të kishte dhjetëra salla dhe një numër të madh dhomash.

Hapësirat brenda kompleksit janë të stërmbushura me mbetje ndërtimore.

Aty tani ka vetëm mbetje të ndërtimit.

Për këtë hotel nuk ka të dhëna për sipërfaqen, por ajo duket mjaft e madhe.

“Apiko”, një objekt i rrethuar që s’mund të vizitohet

Objekti i bletarisë “Apiko” është i boshatisur dhe i rrethuar me tela.

Aty ka vite që nuk ka shkelur këmbë punëtori.

Objekti i ish-fabrikës së mjaltit “Apiko”.

Që nga viti 1999, objekti i kësaj ndërmarrjeje është nën kujdesin e trupave të misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Hyrja në të është e ndaluar.

Për shkak të afërsisë me një pikë kontrolli të KFOR-it, fotografimi i objektit është i mundur vetëm nga një distancë e largët.

FOTO: Radio Evropa e Lirë, Shenja që tregon se kjo pjesë është në kuadër të Zonës së Veçantë të Mbrojtur.

Këtu kanë punuar rreth 30 punëtorë deri në fillim të viteve të 90-ta.

Si shumë ndërmarrje të tjera, edhe “Apiko” ndaloi së operuari për shkak të tensionimit të situatës politike.

Zona e Veçantë e Mbrojtur e fotografuar nga droni.

Të gjitha këto objekte dhe vetë objekti i Manastirit të Deçanit ndodhen brenda asaj që me ligj kualifikohet si Zonë e Veçantë e Mbrojtur dhe përfshin gjithsej 839 hektarë.

Kuvendi i Kosovës, në vitin 2008, miratoi Ligjin për Zona të Veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb, si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës.

Në zona të tilla nuk lejohen ndërtime e as zhvillim i projekteve infrastrukturore, por kjo s’e pengoi manastirin që të shtojë rrethoja guri dhe objekte të tjera përgjatë viteve.

Historia e kontestit në pak rreshta

Komuna e Deçanit dhe drejtoritë përkatëse, përfshirë Kadastrën, refuzojnë t’i lejojnë Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër këta 24 hektarë.

Ato pretendojnë se kjo sipërfaqe u takon ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i kanë takuar asnjëherë Manastirit të Deçanit.

Jo vetëm institucionet lokale në Deçan, por edhe Qeveria e tanishme e Kosovës, si dhe disa qeveri të kaluara kanë shprehur haptas bindjen se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka “legalizuar” vendimin e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ), Sllobodan Millosheviq, të vitit 1997, kur ai ka vendosur t’ia dhurojë atë pronë Manastirit të Deçanit.

Në një formë apo tjetër, këtë mendim e kanë shprehur edhe kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, si dhe presidentja Vjosa Osmani.

Por, kërkesa të vazhdueshme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese – autoritetit përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës – ka nga shtetet e QUINT-it: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.

Ky artikull ishte publikuar në tetor të 2022 nga Radio Evropa e Lirë, ndërsa sot Klan Kosova e rikthen në vazhdën e zhvillimeve të fundit me vendimin e pronave ku kryeministri Albin Kurti, urdhëroi Agjencinë Kadastrale të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.