Kryetarët e komunave i reagojnë Qeverisë: E papranueshme ndarja buxhetore, qytetarët duhet t’i ndëshkojnë me votë padrejtësitë

Qeveria e Kosovës për vitin 2024 ka bërë ndarjen buxhetore për komunat. Kjo ndarje buxhetore sipas një analize të Institutit GAP tregon se Qeveria ka favorizuar komunat që udhëhiqen nga VV-ja. Podujeva, Gjilani, Shtimja e Kamenica janë në krye të listës sa i përket vlerës së investimeve të reja kapitale. Ndërsa, komunat që kanë ndarje […]

Kryetarët e komunave i reagojnë Qeverisë: E papranueshme ndarja buxhetore, qytetarët duhet t’i ndëshkojnë me votë padrejtësitë
vv:-s’ka-asnje-shpjegim-qe-komunat-e-drejtuara-nga-pdk,-ldk-e-aak-nuk-ua-falen-qytetareve-100-eurot-e-tatimit-ne-prone

vv:-s’ka-asnje-shpjegim-qe-komunat-e-drejtuara-nga-pdk,-ldk-e-aak-nuk-ua-falen-qytetareve-100-eurot-e-tatimit-ne-prone

Qeveria e Kosovës për vitin 2024 ka bërë ndarjen buxhetore për komunat.

Kjo ndarje buxhetore sipas një analize të Institutit GAP tregon se Qeveria ka favorizuar komunat që udhëhiqen nga VV-ja.

Podujeva, Gjilani, Shtimja e Kamenica janë në krye të listës sa i përket vlerës së investimeve të reja kapitale.

Ndërsa, komunat që kanë ndarje më së paku janë, Vitia, Drenasi, Mamusha, Vushtrria e Suhareka.

Ndarjen buxhetore e kanë komentuar për Front Online disa nga krerët e këtyre komunave.

 

Kryetari i Suharekës: Komunat e VV-së më të dobëtat, kanë pasur nevojë për ndihmën e Qeverisë

Pasi Qeveria ka ndarë për Suharekën 100 mijë euro, apo 1 euro e 77 centë për kokë banori, ka reaguar kreu i kësaj komune, Bali Muharremaj.

Muharremaj tha se komunat që udhëhiqen nga VV-ja janë më të dobëtat dhe kanë pas nevojë për ndihmë.

Ai për Front Online thotë se për diskriminimin  e komunave është marre të flasim.

“Nuk jam kryetar që ankohem, jemi komunë e zhvilluar, kështu ka vendosë Qeveria. Nuk dua të flas për diskriminim se është marre, se çdo vit buxheti po ndahet në bazë të numrit të banorëve. Komunat e VV-sa janë më të dobëta dhe kanë pas nevojë më shumë, ne kemi më shumë buxhet por e bëjmë njëfarë bilanci”, ka deklaruar Muharremaj.

 

Kreu i Vitisë: Qeveria ka favorizuar komunat e VV-së në aspektin politik, e papranueshme

Komunës së Vitisë, Qeveria i ka ndarë 200 mijë euro apo, 4 euro e 21 cent për kokë banori.

Kjo ndarje buxhetore, për Sokol Halitin, kreun e Vitisë, është e papranueshme.

Haliti tha për Front Online se komunat po dëmtohen me këso vendime.

Ai e ka kritikuar edhe ministrin Hekuran Murati për tatimin në pronë.

“Nuk ka qenë e pranueshme për mu si kryetar. Anashkalimi i Vitisë te investimet kapitale dhe tek investimet e rregullta i kemi gjysmë milioni zbritje tek projeksioni buxhetor. Kur ke parasysh që edhe tek tatimi në pronë këtë vendim ministri i Financave e ka imponu me i falë borxhet që e dëmtojnë strukturën buxhetore, komuna dëmtohet shumë”, theksoi Haliti.

Haliti tha se Qeveria ka favorizuar komunat në aspektin politik.

Tek donatorët ndërkombëtar i kanë shpresat komuna e Vitisë, thotë Haliti.

“Ne zgjidhje tjetër s’kemi përveç se me i lutë donatorët ndërkombëtarë për me i mbulu këto deficite buxhetore që kanë krijuar probleme sepse janë favorizuar komunat në aspektin politik”, thotë ai.

 

Kryetari i Vushtrrisë për ndarjen buxhetore: Qytetarët që e kanë votuar VV-në duhet të vetëdijesohen e ta ndëshkojnë padrejtësinë

 

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka folur lidhur me ndarjen buxhetore 2024 për komunat.

Ai për Front Online këtë ndarje e ka vlerësuar si jo të mirë.

Idrizi thotë se qytetarët që e kanë votuar VV-në duhet ta vetëdijesohen e ta ndëshkojnë padrejtësinë.

“Këtë çështje le ta mendojnë qytetarët që vetë e kanë votuar 64% e votave i ka marr VV në Vushtrri. Janë duke u realizuar projektet. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të dallohen në baza partiake. Anashkalimi i komunave që nuk i udhëheq VV-ja nuk është vendim i mirë, qytetarët duhet të vetëdijesohen me ndëshku ata që bëjnë këso padrejtësi në këtë rast Qeverinë”, u shpreh Idrizi.

Çështja e shpërndarjes së pabarabartë të fondeve për investime kapitale nga ministritë në komuna gjithashtu është përmendur edhe në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, theksohet tutje në analizën e GAP.