Kurti për Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Holokaustit: Ndër dyert e hapura për hebrenjtë ishin ato të familjeve shqiptare

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar 27 janarin e vitit 1945 kur u çlirua kampi i Aushvicit në Poloni, e që njihet botërisht si Dita Ndërkombëtare në Kujtim të Viktimave të Holokaustit. Kreu i qeverisë ka shpërndarë disa fotografi, në të cilat sipas tij, shihet familja hebreje Altarac, e strehuar në Prishtinë mes dhjetëra […]

Kurti për Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Holokaustit: Ndër dyert e hapura për hebrenjtë ishin ato të familjeve shqiptare
kurti-per-diten-nderkombetare-te-viktimave-te-holokaustit:-nder-dyert-e-hapura-per-hebrenjte-ishin-ato-te-familjeve-shqiptare

kurti-per-diten-nderkombetare-te-viktimave-te-holokaustit:-nder-dyert-e-hapura-per-hebrenjte-ishin-ato-te-familjeve-shqiptare

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar 27 janarin e vitit 1945 kur u çlirua kampi i Aushvicit në Poloni, e që njihet botërisht si Dita Ndërkombëtare në Kujtim të Viktimave të Holokaustit.

Kreu i qeverisë ka shpërndarë disa fotografi, në të cilat sipas tij, shihet familja hebreje Altarac, e strehuar në Prishtinë mes dhjetëra hebrenjsh të tjerë në vitet 1941-42.

“Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore (1939 – 1945), kur hebrenjtë persekutoheshin për t’u eliminuar, duke u gjurmuar dhe mbledhur një për një në tërë Evropën, ndër dyert e hapura për shpëtimin e hebrenjve, ishin ato të shtëpive të familjeve shqiptare. Megjithëse si zona e Kosovës ashtu edhe e tërë Shqipëria ishin të pushtuara fillimisht nga fashistët dhe pastaj nga nazistët, shumë hebrenjë të ikur si nga Evropa Qendrore ashtu dhe nga Evropa Lindore, por edhe nga brenda për brenda Ballkanit, u strehuan dhe u morën në mbrojtje nga shqiptarët”.

“Mungesa e çfarëdo tradite të antisemitizmit ndër shqiptarë, traditat e mikpritjes dhe zakoni i zotimit të marrjes së mikut të shtëpisë në besë, si dhe të tjera rrethana sociale dhe kulturore, ishin përcaktuese që si familjet shqiptare ashtu edhe autoritetet e shtetit shqiptar, të refuzojnë të përfshihen në fushatat dhe platformat antisemite të përndjekjes e shfarosjes së hebrenjve”, shkroi Kurti.

Më tej, Kurti tha se një relike e ruajtur nga Jasha Altarac, një hebre 7-vjeç, i strehuar bashkë me familjen në Prishtinë dhe vende të tjera duke shpërtuar nga Holokausti është edhe mindili i bardhë me simbolin kombëtar shqiptar të shqiponjës në të dhe me mbishkrimin “Kujtim nga Shqipnia”.

“Po kaq faqebardhë është historia e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët dhe si e tillë duhet kultivuar “Kujtimi nga Shqipnia” dhe shqiptarët në historinë e trishtë të Holokaustit. Plot 55 vite më vonë, kur Serbia i dëboi rreth 860 mijë shqiptarë përgjatë gjenocidit në Kosovë, në maj të vitit 1999, shteti i Izraelit i priti rreth 200 prej tyre duke i strehuar si refugjatë lufte nga Kosova”.

“Asgjë nuk mund të krahasohet me Holokaustin në histori, andaj ai duhet kujtuar dhe brezat duhen edukuar mbi të. Historia e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët, tregon se sa i fuqishëm mund të jetë vullneti i njerëzve për ta ruajtur njerëzoren edhe atëherë kur njerëzimi e arrin pikën e tij më të ulët. Kujtojmë për t’mos harruar dhe nuk harrojmë për t’mos u përsëritur”, shkroi Kurti.