Petrovska: Gjykata solli vendim që Kovaçki ka shpifur në mënyrë të padrejtë për mua

Gjykata Themelore Civile Shkup ka vendosur në favor të ministres së Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska në procesin gjyqësor kundër deputetit të VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki, të cilin e ka paditur për fyerje dhe shpifje, transmeton Portalb.mk. Gjykata ka konstatuar përgjegjësinë civile të deputetit Dragan Kovaçki dhe ka nxjerrë aktgjykim sipas të cilit ai ka thënë gënjeshtra dhe […]

Petrovska: Gjykata solli vendim që Kovaçki ka shpifur në mënyrë të padrejtë për mua
Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, foto: Anadolu Agency

Gjykata Themelore Civile Shkup ka vendosur në favor të ministres së Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska në procesin gjyqësor kundër deputetit të VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki, të cilin e ka paditur për fyerje dhe shpifje, transmeton Portalb.mk.

Gjykata ka konstatuar përgjegjësinë civile të deputetit Dragan Kovaçki dhe ka nxjerrë aktgjykim sipas të cilit ai ka thënë gënjeshtra dhe shpifje ndaj Petrovskës. Vendimin e gjykatës, ministrja Petrovska e ka bërë të ditur sot në profilin e saj në Facebook, duke thënë se premtimin për transparencë e kanë realizuar nga fillimi deri në fund të procesit.

“Siç kam premtuar transparencë nga fillimi deri në fund të procesit ndaj gënjeshtrave, shpifjeve dhe fyerjeve të shprehura nga Dragan Kovaçki ndaj meje dhe dua t’ju njoftoj se Gjykata Themelore Civile në Shkup, pas të gjitha provave të paraqitura nga unë, ka marrë vendim me të cilin vërtetohet se i pandehuri Dragan Kovacki ka shprehur të pavërteta dhe gënjeshtra, gjegjësisht ka shpifur në mënyrë të padrejtë në publik për të dëmtuar reputacionin dhe nderin tim në sytë e publikut”, ka shkruar Petrovska.

Ky, siç shkruan Petrovska, është vetëm një nga një sërë shembujsh të sjelljeve të papërgjegjshme, të pandershme dhe të pista në skenën politike nga Kovaçki.

“Të gjithë bëjnë atë që dinë më mirë, ata me gënjeshtra, unë me mund dhe punë të përgjegjshme dhe të ndershme”, shton Petrovska.

Në aktgjykim është konstatuar se paditësja Petrovska heq dorë nga kërkesa për kompensim të dëmit jomaterial në vlerë prej 610 mijë denarë.

Për këtë vendim të saj, Petrovska ka shkruar se paraprakisht ka thënë “Nuk dua para nga njeriu i pandershëm”.

Vendimi i gjykatës vjen pasi ministrja e mbrojtjes Slavjanka Petrovska ngriti padi për fyerje dhe shpifje nëntorin e kaluar kundër deputetit të VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki, pas akuzave të tij se ajo zotëron një haciendë luksoze me një pishinë në lagjen Radishan të Shkupit, të cilën ministrja e Mbrojtjes e fshih nga publiku.

Kovaçki më pas në një konferencë për shtyp, e më pas nga foltorja e Kuvendit, tundte fotografitë dhe dokumentet, duke pretenduar se kishte një fletë pronësie në emër të saj dhe e akuzoi se nuk e kishte raportuar në pyetësorin në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK).

Për këtë, Petrovska edhe atëherë u përgjigj se akuzat janë gënjeshtra dhe manipulime të rënda. Pronën, të cilën Kovaçki e theksoi, siç tha Petrovska, nuk e ka pasur kurrë.

“E vetmja gjë që kam pasur në pronësi është një parcelë që është tjetërsuar, pra është shitur para më shumë se 10 vitesh, me kontrata shitblerjeje të lidhura në mënyrë të rregullt”, tha Petrovska.