Prej 1 maji do të hyjë në fuqi marrëveshja ndërmjet RMV-së dhe Malit të Zi për liberalizimin e transportit

Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë nënshkruar Protokollin për liberalizimin e transportit të mallrave për dhe nga vendet e treta, protokoll që do të hyjë në fuqi prej 1 majit, transmeton Portalb.mk. “Në përputhje me Protokollin, liberalizimi do të hyjë në fuqi prej 1 majit të vitit 2024 dhe do të vlejë një […]

Prej 1 maji do të hyjë në fuqi marrëveshja ndërmjet RMV-së dhe Malit të Zi për liberalizimin e transportit
Dogana në Mal të Zi. Foto nga Faton Curri - Portalb.mk

Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë nënshkruar Protokollin për liberalizimin e transportit të mallrave për dhe nga vendet e treta, protokoll që do të hyjë në fuqi prej 1 majit, transmeton Portalb.mk.

“Në përputhje me Protokollin, liberalizimi do të hyjë në fuqi prej 1 majit të vitit 2024 dhe do të vlejë një vit, periudhë kur do të bëhet analizë e gjendjes në transportin rrugor ndërkombëtar, me qëllim që të arrihet lirimi përfundimtar nga sistemi i lejeve edhe në periudhën në vijim”, sqaroi Ministria për Transport dhe Lidhje në Maqedoninë  Veriut.

Vlerësohet që përmes liberalizimit do të largohen procedurat administrative, duke e rritur efikasitetin në transport dhe bashkëpunimin ndërmjet RMV-së dhe Malit të Zi.

“Në takim u harmonizuan edhe procedurat në pjesën e transportit të udhëtarëve ndërmjet dy vendeve”, sqaroi Ministria.

Ndryshe, të dy vendet shkëmbejnë gjithsej 300 leje për dhe nga vendet e trete për transportin e mallrave.