Punëtorët nga “Higjiena Komunale” vendosën të pastrojnë vetëm institucione shëndetësore

Vetëm disa institucione shëndetësore në territorin e qytetit të Shkupit do të pastrohen nga punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”, ndërsa vendet tjera do të refuzohen si shenjë proteste nga punonjësit për gjendjen në këtë Ndërmarrje, transmeton Portalb.mk. Punëtorët kanë vendosur që vetëm mbeturinat e spitaleve të mbledhjen, duke përfshirë Spitalin e Qytetit, Qendrën Klinike, […]

Punëtorët nga “Higjiena Komunale” vendosën të pastrojnë vetëm institucione shëndetësore
Pastrimi i mbeturinave nga punonjësit e Higjienës Komunale në institucionet shëndetësore. Foto nga Suad Bajrami - Portalb.mk

Vetëm disa institucione shëndetësore në territorin e qytetit të Shkupit do të pastrohen nga punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”, ndërsa vendet tjera do të refuzohen si shenjë proteste nga punonjësit për gjendjen në këtë Ndërmarrje, transmeton Portalb.mk.

Punëtorët kanë vendosur që vetëm mbeturinat e spitaleve të mbledhjen, duke përfshirë Spitalin e Qytetit, Qendrën Klinike, “8 Shtatorin”, “Bukureshtin”, “Kozlen” edhe institucionet tjera shëndetësore.

Ndryshe, problemet e shfaqura së fundmi në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” në Shkup, kanë krijuar probleme në mjediset e këtij qyteti, për çka ka reaguar edhe Komuna e Aerodromit dhe ajo e Qendrës.

Punëtorët e Higjienës Komunale Shkup prej 7 korrikut protestojnë në shenjë revolte ndaj menaxhmentit pasi që siç thonë ata, i kanë larguar dhjetëra punëtorë, por edhe se nuk plotësohen kërkesat e tyre për rritje të pagës, K-15 dhe stazh të beneficuar.

Siç thonë ata, derisa nuk kthehen në punë kolegët dhe nuk plotësohen kërkesat e tyre, nuk do të dalin në terren t’i mbledhin mbeturinat.

Në mesin e të përjashtuarve nga puna, sipas punëtorëve, është edhe kryetari i Sindikatës së Higjienës Komunale, Deli Dardhishta me përvojë pune mbi 30 vjet.

Sipas tyre, janë larguar nga puna me dhejtëra persona, ndërsa 50 punëtorë tjerë kanë marrë paralajmërim për përjashtim pasi kanë protestuar një javë më parë.

Ata ankohen se drejtoresha i shikon kamerat e sigurisë dhe kush shihet se ka protestuar, e largon nga puna.

Drejtoresha e Higjienës Komunale, Kosana Mazneva, rreth orës 1 të mëngjesit mbrëmë, me asistencë policore erdhi për t’i lutur punëtorët që të dalin t’i pastrojnë rrugët me disa premtime të vakta për zgjidhjen e problemit, megjithatë punëtorët njëzëri refuzuan që të dalin në terren pa u plotësuar kushtet. Ajo u ndesh drejtpërdrejtë me punëtorët, të cilët deri sot ka refuzuar t’i takojë.

Kosana Mazneva u emërua drejtoreshë nga kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska më 12 korrik të vitit 2022, pasi paraprakisht u shkarkua asokohe drejtori i vetëm shqiptarë i ndërmarrjeve publike të Qytetin e Shkupit, Zudi Koka për shkak të incidentit gjatë protestave antievropiane në Shkup, ku vëllai i tij kishte gjuajtur me armë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.