Rama në konferencën me Stoltenberg flet për situatën në veri: Çdo përshkallëzim mund të sjellë fund katastrofik

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka shfrytëzuar minutën e tij që të flasë për situatën në veri të Kosovës, gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Kryeministrin e Holandës, Belgjikës dhe Norvegjisë si dhe me Presidentin e Rumanisë, Polonisë dhe Lituanisë. Rama ka thënë se shtensionimi i situatës […]

Rama në konferencën me Stoltenberg flet për situatën në veri: Çdo përshkallëzim mund të sjellë fund katastrofik

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka shfrytëzuar minutën e tij që të flasë për situatën në veri të Kosovës, gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Kryeministrin e Holandës, Belgjikës dhe Norvegjisë si dhe me Presidentin e Rumanisë, Polonisë dhe Lituanisë.

Rama ka thënë se shtensionimi i situatës duhet të nis sa më shpejt sepse çdo përshkallëzim mund të sjellë fund katastrofik.

“Dua të përdor këtë minutë që kam për të shtuar se ne mund të diskutojmë edhe për situatën shqetësuese në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë më precize në veri të Kosovës, ku disa ditë më parë ushtarët e KFOR u lënduan. Shpresojmë shumë që logjika të mbizotërojë dhe që ulja e përshkallëzimit të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur sepse çdo përshkallëzim mund të sjellë fund katastrofik dhe ne nuk duam të shohim thyerje në rajonin tonë që ka bërë shumë punë të mira deri tani. Në të njëjtën kohë, duam të shohim që dialogu të ketë sukses dhe do kemi mbështetjen e NATO që është përgjegjës për KFOR”, tha Rama në konferencë.

Ndryshe, Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borell, tha të martën se vendet anëtare të bllokut po e humbin durimin me situatën në veri të Kosovës dhe kërkojnë nga palët hapa për shtensionimin e saj.

“E kam bërë të qartë edhe pas takimit të djeshëm të ministrave të Jashtëm të BE-së se, palët duhet t’i ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje sipas planit që u është paraqitur atyre javën e kaluar në Bruksel. Situata kërkon hapa të shpejtë, shtensionim dhe zgjidhje të shpejtë, dhe mund t’ju them që vendet anëtare janë duke e humbur durimin me situatën që po përkeqësohet, prandaj kërkojnë veprime të shpejta”, tha Borrell.

Komisioni Evropian ka paralajmëruar se do të ndërmarrë një numër masash kundër Kosovës, të cilat do të komunikohen në këtë javë. Ato do të përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalëshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment.