Shpjegues: Ky është Prigozhini, “kuzhinieri i Putinit” që tani synon të rrëzojë atë nga froni

Shefi i mercenarëve Yevgeny Prigozhin sot në mëngjes konfirmoi se ka marrë kontrollin e qytetit rus Rostov-on-Don në përpjekje për të rrëzuar udhëheqësinë ushtarake ruse, akt që Putini e quajti kryengritje të armatosur, shkruan Reuters, transmeton Portalb.mk. Më poshtë ju sjellim disa fakte për biznesmenin dhe themeluesin e Grupit Wagner. Me një fushatë të PR-it […]

Shpjegues: Ky është Prigozhini, “kuzhinieri i Putinit” që tani synon të rrëzojë atë nga froni
Yevgeny Prigozhin, foto nga TV NEXTA në Twitter

Shefi i mercenarëve Yevgeny Prigozhin sot në mëngjes konfirmoi se ka marrë kontrollin e qytetit rus Rostov-on-Don në përpjekje për të rrëzuar udhëheqësinë ushtarake ruse, akt që Putini e quajti kryengritje të armatosur, shkruan Reuters, transmeton Portalb.mk.

Më poshtë ju sjellim disa fakte për biznesmenin dhe themeluesin e Grupit Wagner.

  • Me një fushatë të PR-it agresiv, gjuhë të neveritshme dhe prani të shpeshtë pranë vijës së frontit, Prigozhin me kokë të rruar është një nga fytyrat më të dukshme të luftës Rusi-Ukrainë, pasi ka rekrutuar mijëra të burgosur rusë për të luftuar për Wagnerin dhe është përplasur hapur me ministrinë ruse të Mbrojtjes për planet ushtarake dhe furnizimet me municione.
  • Prigozhin, 62 vjeç, ka qenë prej dekadash i njohur si “kuzhinieri i Putinit” për shkak të kontratave për shërbime të keteringut (furnizim me ushqim) të kompanisë së tij në Kremlin. Është e paqartë se sa miqësorë janë ai dhe presidenti rus Vladimir Putin, por ata e njohin njëri-tjetrin dhe të dy kanë lindur dhe janë rritur në Shën Petersburg.
  • Pasi kreu një dënim të gjatë me burg në vitet 1980, Prigozhin filloi të shiste hot-dog në qytetin e tij të lindjes. Ai më pas ka blerë një pjesë të një zinxhiri supermarketesh dhe përfundimisht hapi restorantin dhe kompaninë e tij të hotelierisë.
  • Restoranti i tij u bë i njohur në Shën Petersburg për ushqimin e tij të mirë dhe shumë shpejtë kishet mysafirë personalitete të njohura të qytetit, duke përfshirë dhe nënkryetarin e atëhershëm të komunës, Vladimir Putin.
  • Më pas, kompania e hotelierisë së Prigozhin me emrin “Concord” filloi të fitonte tenderë nga qeveria, duke e rritur kështu veprimin e saj në një nivel shumë më të madh.
  • Në shtatorin e vitit të kaluar, Prigozhin e pranoi se ai e kishte themeluar grupin ushtarak privat në vitin 2014, vitin kur Rusia e aneksoi Krimenë nga Ukraina. Ishte konfirmimi i tij i parë publik i një lidhjeje që më parë e kishte mohuar dhe paditur gazetarët që kishin raportuar për të. Grupi Wagner mes vendeve tjera, ka luftuar në Libi, Siri, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Mali.
  • Grupi gjithashtu ofroi mbështetje për separatistët e mbështetur nga Rusia, të cilët e pushtuan një pjesë të rajonit lindor të Donbasit në Ukrainë në 2014.
  • Muajin e kaluar grupi e pushtoi qytetin lindor të Ukrainës, Bakhmut pas luftimeve që njihen si më brutale të luftës me Ukrainën. Megjithatë, gjatë sulmit, Prigozhini theu tabutë e sistemit politik të kontrolluar fort nga Putini, duke ofenduar keq kryesinë e Moskës.
  • Më pas, ai publikoi një video duke falënderuar Kremlinin, por sërish duke sulmuar krerët ushtarak të Moskës për tradhtinë e tyre, veçanërisht të ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov.
  • Në videon më të paharrueshme të Prigozhinit, më 5 maj, ai tregoi një fushë mercenarësh të vdekur të Wagner-it, të cilët ai tha se kishin pësuar vdekjen për shkak të mungesës së municioneve, gjë e shkaktuar nga Shoigu dhe Gerasimov.
  • Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e përcaktuan grupin Wagner si Organizatë Kriminale Ndërkombëtare dhe kanë vendosur sanksione ndaj Prigozhinit për rolin e tij në Wagner. Ata gjithashtu e akuzojnë atë për financimin e një ferme të troll-ëve (persona të paguar të komentojnë në Internet me qëllime të këqija) të njohur si “Internet Research Agency” (Agjencia e Kërkimeve në Internet) që Uashingtoni thotë se u përpoq të ndikonte në zgjedhjet në SHBA.

Për më shumë lexo: Lideri i Wagnerit ka marrë kontrollin nga ushtaret rus, panik në Moskë