Shqipëria nuk shkoi në finale të Eurovizionit, këto shtete kaluan

Shqipëria nuk u kualifikua në finale të Eurovizionit. Besa Kokëdhima me këngën “Titan” nuk arriti ta kalojë gjysmëfinalen e dytë. U kualifikuan dhjetë nga gjashtëmbëdhjetë shtetet që konkurruan, shkruan Portalb.mk. Shtetet që siguruan një vend në finalen e madhe: Letonia, Austria, Holanda, Norvegjia, Izraeli, Greqia, Estonia, Zvicra, Gjeorgjia dhe Armenia. Për këtë vit garën së […]

Shqipëria nuk shkoi në finale të Eurovizionit, këto shtete kaluan
Besa Kokëdhima në gjysmëfinalen e dytë të Eurovizionit. Foto: Sarah Louise Benett/Eurovision.tv

Shqipëria nuk u kualifikua në finale të Eurovizionit. Besa Kokëdhima me këngën “Titan” nuk arriti ta kalojë gjysmëfinalen e dytë. U kualifikuan dhjetë nga gjashtëmbëdhjetë shtetet që konkurruan, shkruan Portalb.mk.

Shtetet që siguruan një vend në finalen e madhe: Letonia, Austria, Holanda, Norvegjia, Izraeli, Greqia, Estonia, Zvicra, Gjeorgjia dhe Armenia.

Për këtë vit garën së bashku me Shqipërinë e ndërprenë: Malta, San Marino, Çekia, Belgjika dhe Danimarka.

Përveç shteteve konkurruese, nga pesëshja e madhe në skenë sonte u ngjitën Franca, Italia dhe Spanja.

Besa në skenë performoi e dyta. Kënga e Shqipërisë këtë vit nga kritikët është cilësuar si një nga përfaqësimet më të mira të Shqipërisë deri më tani në festival, megjithatë nuk arriti të kualifikohet për finalen e madhe. Performancën e saj mund ta ndiqni në vijim.

Në gjysmëfinalen e dytë performoi edhe fituesja e Greqisë në vitin 2005, Helena Paparizou me këngën fituese “My number one”. Performuan edhe Charlotte Perrell fituesja e Suedisë në vitin 1999 me këngën “Take me to your heaven” si dhe Sertab Eneer fituesja e Turqisë në vitin 2003 me këngën “Every way that I can”.

Derisa kaklukoheshin votat, “We just love Eurovision too much” u performua nga prezantuesja Petra Mede së bashku me Charlotte Perrelli, Lynda Woodruff. Ndërsa Käärijä nga Finlanda që vitin e kaluar doli në vendin e dytë këndoi këngën “Cha cha cha”.

Gjysmëfinalja e parë u mbajt të martën (7 maj), ku në finale kaluan dhjetë shtete: Serbia, Portugalia, Sllovenia, Ukraina, Lituania, Finlanda, Qipro, Kroacia, Irlanda dhe Luksemburgu.

Finalja e madhe do të mbahet të shtunën (11 maj) ku do të performojnë 26 shtete, njëri prej të cilëve do të fitojë.

Maqedonia e Veriut për herë të dytë radhazi nuk merr pjesë në festival.

As Kosova nuk merr pjesë në Eurovizion pasi transmetuesi i tyre publik RTK nuk është anëtar i Bashkimit Evropian të Transmetuesve (EBU).

Eurovizioni këtë vit mbahet në Malmo të Suedisë pasi Loreen vitin e kaluar fitoi me këngën ‘Tattoo’, e cila edhe në vitin 2012 Suedisë i solli fitoren me këngën ‘Euphoria’, kështu duke u bërë artistja e dytë në historinë e festivalit që fitoi dy herë.

Eurovizioni sivjet realizohet në masa të mëdha sigurie nga ankesat për pjesëmarrjen e Izraelit për shkak të bombardimit të Gazës. Në Evropë janë bërë thirrje të ndryshme për të përjashtuar Izraelin nga gara.