Zelensky: Sa më gjatë që Rusia i mban trupat e saj në tokën tonë, aq më shumë kaos për të

Grupi mercenar rus Wagner, i udhëhequr nga Yevgeny Prigozhin, u deklarua mëngjesin e sotëm se i ka pushtuar objektet ushtarake në qytetin e Rusisë, Rostov-on-Don. Presidenti rus, Vladimir Putin, aktin e tillë e ka quajtur “tradhti” dhe e ka akuzuar atë për “rebelim të armatosur”. Në përgjigje të kësaj, Prigozhin, është zotuar se do t’i […]

Zelensky: Sa më gjatë që Rusia i mban trupat e saj në tokën tonë, aq më shumë kaos për të
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, foto profili FB

Grupi mercenar rus Wagner, i udhëhequr nga Yevgeny Prigozhin, u deklarua mëngjesin e sotëm se i ka pushtuar objektet ushtarake në qytetin e Rusisë, Rostov-on-Don. Presidenti rus, Vladimir Putin, aktin e tillë e ka quajtur “tradhti” dhe e ka akuzuar atë për “rebelim të armatosur”. Në përgjigje të kësaj, Prigozhin, është zotuar se do t’i provojë të gjitha mënyrat për të rrëzuar udhëheqësinë ushtarake të Rusisë, shkruan Portalb.mk.

Më poshtë ndiqni zhvillimet e reja për këtë rast në mënyrë kronologjike.


13:15
Zelensky: Sa më gjatë që Rusia i mban trupat e saj në tokën tonë, aq më shumë kaos për të

Ngjarjet e fundit lidhur me rebelimin e grupit Wagner kundër ushtrisë ruse, i ka komentuar edhe presidenti i Ukrainës Volodimir Zelensky, i cili ka thënë se Rusia, duke i mbajtur trupat e saj në Ukrainë po shkakton më shumë kaos për veten e saj.

“Dobësia e Rusisë është e dukshme. Dobësi e plotë. Dhe sa më gjatë që Rusia të mbajë trupat dhe mercenarët e saj në tokën tonë, aq më shumë kaos, dhimbje dhe probleme do të ketë për veten e saj. Kjo gjithashtu është e qartë. Ukraina mund ta mbrojë Evropën nga përhapja e së keqes dhe kaosit rus”, komentoi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy për ngjarjet e fundit.


12:00
Prigozhin Putinit: Gabuat kur më akuzuat për tradhti

Në mesazhin e tij të fundit, Prigozhin iu drejtua Vladimir Putinit dhe i tha se kishte gabuar që e akuzonte për tradhti. Ai shtoi se “Wagnerët” nuk planifikojnë të dorëzohen me urdhër të Putinit.

“Rusët nuk duan më një vend në të cilin ka korrupsion, gënjeshtra, burokraci,” tha Prigozhin.


11:30
Historia e mosmarrëveshjeve mes drejtuesve rusë që dëmtojnë kontrollin e Putinit

 

Videoja e muajit maj e Prigozhin dhe sulmet e tij ndaj drejtuesve ushtarakë janë pritur në heshtje nga Presidenti Putin dhe udhëheqësit kryesorë. Disa e shohin mosndërhyrjen e tij për të shuar mosmarrëveshjet e brendshme si një shenjë për ndryshime të mundshme në skenën politike ruse, të cilat do të përgatisin terrenin për beteja të mëtejshme brenda radhëve.

Mosmarrëveshjes së Prigozhin me ushtarakët nuk i është kushtuar vëmendje nga televizioni shtetëror, nga ku informohen shumica e rusëve, megjithëse ato u ndoqën nga afër nga lexuesit ultra-patriotikë dhe aktivë të jetës politike, si dhe në rrjetet e mediave sociale, ku ekziston një ndjesi e njëjtë mosvlerësimi për drejtuesit ushtarakë.

Megjithëse nuk ka ndonjë tregues se Putini po humb kontrollin, “ka shenja në rritje të keqfunksionimit të thellë, ankthit, shqetësimit për luftën dhe problemet e vërteta në mbledhjen e burimeve të nevojshme për të luftuar me efektshmëri”, tha Nigel Gould-Davies, studiues për Rusinë dhe Euroazinë në Institutin Ndërkombëtar për Studimet Strategjike.

LEXO MË SHUMË: Historia e mosmarrëveshjeve mes drejtuesve rusë që dëmtojnë kontrollin e Putinit


10:30

Policia ka hyrë në selinë e Wagner në Shën Peterburg

Forcat ruse të rendit mësohet se kanë kryer një bastisje në zyrën e Wagner në Shën Petersburg.

“Zbatuesit e ligjit kanë hyrë në Qendrën PMC Wagner në rrugën Zolnaya të Shën Petersburgut,” thuhet në mediat vendase.

Sipas mediave dy autobusë me polici të trazirave dhe roje kombëtare kanë mbërritur në ndërtesë, raportohet se kanë hyrë së bashku me njerëz me rroba civile.

Sipas informacioneve pretendohet se “njerëz me maska dhe me pushkë automatike” janë vendosur pranë urës Blagoveshchensky të Shën Petersburgut, ku ndodhen një hotel dhe një restorant i lidhur me shefin e Wagner, Yevgeni Prigozhin.


10:00

Putin: E  ardhmja e Rusisë është rrezikuar

Presidenti rus, Vladimir Putin, i tha kombit se disa rusë janë “mashtruar në aventurë kriminale” – pa i përmendur në mënyrë specifike luftëtarët e Wagnerit.

Ai ka thënë se e ardhmja e Rusisë është rrezikuar, duke i përshkruar veprimet e kryengritësve si “thikë pas shpine”.

Pa e përmendur as emrin e Prigozhinit, Putin ka thënë se “ambiciet” e mëdha, kanë çuar në “tradhti”.

Presidenti rus ka paralajmëruar për “ndëshkim të pashmangshëm” për ata që e ndajnë shoqërinë ruse.

Ai ka thënë se gjendja shtetërore kundër terrorizmit është duke u zbatuar në Moskë dhe në disa rajone tjera.

Putin e ka përfunduar adresimin duke thënë se i ka marrë të gjitha vendimet e duhura për t’u përballur me krizën, dhe është zotuar se do ta mbrojë Rusinë.


7:30

Yevgeny Prigozhin, ka bërë thirrje për rrëzim të shefave të ushtrisë ruse

Prigozhin tha sot se forcat e tij janë duke e pushtuar selinë e ushtrisë ruse në qytetin Rostov-on-Don, dhe do ta marrin kontrollin e zonave ushtarake dhe aeroportit të këtij qyteti.

Sipas tij, burrat e Wagnerit do ta shkatërrojnë secilin që u del përpara.

“Ne jemi brenda selisë ushtarake, është ora 7:30 e mëngjesit”, ka thënë Prigozhin.

“Zonat ushtarake në Rostov, përfshirë një aeroport, janë nën kontroll”, duke shtuar se pajisjet luftarake janë duke u nisur si zakonisht në luftën kundër Ukrainës, dhe se forcat e tij e kanë marrë kontrollin e aeroportit “që aeroplanët të mos na sulmojnë neve, por ukrainasit”.

Rostov-on-Don është baza kryesore logjistike për operacionet luftarake të Rusisë në Ukrainë.

Prigozhin ka thënë se përkrahet nga mijëra ushtarë që ta rrëzojë nga pushteti ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe shefin e shtabit të forcave të armatosura ruse, Valery Gerasimov.

Guvernatori lokal u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë dhe të qëndrojnë në ambiente të brendshme.

Prigozhin ka pretenduar se forcat e tij e kanë rrëzuar një helikopter ushtarak rus, që “ka nisur zjarr ndaj një konvoji me civilë”.

Ai nuk ka dhënë hollësi për lokacionin dhe këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Wagner ka marrë kontrollin në Rostov, thotë se së shpejti do të ketë president të ri rus

Grupi Wagner është një ushtri private mercenarësh, që është duke luftuar bashkë me ushtrinë e rregullt ruse në Ukrainë.

Tensionet mes dy ushtrive janë rritur rreth mënyrës se si është duke u zhvilluar lufta në Ukrainë – e nisur nga Rusia më 24 shkurt 2022.

Të premten, Prigozhin, 62-vjeçar, e ka akuzuar ushtrinë për lansim të sulmeve vdekjeprurëse me raketa kundër trupave të tij dhe është zotuar për ndëshkim.

Yevgeny Prigozhin, foto nga TV NEXTA në Twitter
Yevgeny Prigozhin, foto nga TV NEXTA në Twitter

Autoritetet ruse kanë mohuar të kenë kryer sulme të tilla, dhe kanë kërkuar që Prigozhin t’iu japë fund “veprimeve ilegale”.

Prigozhin ka thënë se udhëheqësia “djallëzore” në ushtrinë ruse duhet të ndalohet dhe është zotuar se “do të marshojë për drejtësi”.

“Ata që kanë vrarë pjesëtarët tanë, dhe që kanë marrë dhjetëra mijëra jetë të ushtarëve rusë [në luftën në Ukrainë] do të ndëshkohen”, ka thënë ai përmes një audio-mesazhi të publikuar në platformën Telegram.

“U kërkoj të mos rezistoni. Secili që reziston do të konsiderohet kërcënim dhe do të shkatërrohet”.

“Pushteti në presidencë, qeveri, polici dhe roje kufitare, do të punojë si zakonisht. Ky nuk është puç ushtarak, por marsh për drejtësi. Veprimet tona nuk përfshijnë trupat ushtarake, në asnjë mënyrë”.


Siguria në Moskë është rritur në orët e vona të së premtes

Shtëpia e Bardhë ka thënë se është duke e monitoruar situatën dhe do të konsultohet me aleatët.

Gjenerali Sergei Surovikin, zëvendësshef i forcave ruse në Ukrainë – udhëheqësinë e të cilit Prigozhin e ka lavdëruar në të kaluar – i ka bërë thirrje shefit të Wagnerit “që t’i ndalojë konvojet dhe t’i kthejë në baza”.

“Ne e kemi një gjak, ne jemi luftëtarë. Mos bjerni në duart e armikut në këtë kohë të vështirë për shtetin tonë”.

Një tjetër komandant i lartë rus, Vladimir Alekseyev, i ka përshkruar veprimet e shefit të Wagnerit si “thikë pas shpine ndaj shtetit dhe presidentit”.

Mediat ruse kanë thënë se Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) në Rusi, e ka hapur një rast penal kundër Prigozhinit, duke e akuzuar për “thirrje për rebelim të armatosur”, dhe tentime për të nisur konflikt të armatosur civil në Rusi.

Raportohet se FSB-ja u ka bërë thirrje luftëtarëve të Wagnerit që të mos pranojnë urdhrat e Prigozhinit dhe të marrin masa për kapjen e tij.

Ministria ruse e Mbrojtjes, ka thënë se “të gjitha raportimet e Prigozhinit, të shpërndara në rrjetet sociale” për sulme ruse në kampet e Wagnerit “nuk janë të vërteta dhe janë provokime”.

Këto deklarata vijnë pas një video-mesazhi të publikuar nga Prigozhini në maj, i cili është parë atëbotë i rrethuar me trupa të ushtarëve të vdekur.

Në atë material, ai i ka kritikuar shefat e ushtrisë së Rusisë, që nuk po i ofrojnë WagnerIt municion të mjaftueshëm në luftën kundër Ukrainës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.