Zyra e Borrell flet për idenë e Ramës

“Mbyllja” e Kurtit e Vuçiqit deri në marrëveshje, Zyra e Borrell flet për idenë e Ramës. Kryeministri shqiptar Edi Rama dha një ide për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, të cilën ia shpalosi personalisht më 27 qershor Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell, nën patronatin e të cilit zhvillohet dialogu. Paraprakisht Rama […]

Zyra e Borrell flet për idenë e Ramës

“Mbyllja” e Kurtit e Vuçiqit deri në marrëveshje, Zyra e Borrell flet për idenë e Ramës.

Kryeministri shqiptar Edi Rama dha një ide për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, të cilën ia shpalosi personalisht më 27 qershor Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell, nën patronatin e të cilit zhvillohet dialogu. Paraprakisht Rama mori mbështetje nga Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel. Por çfarë thotë Zyra e Borrell për këtë ide?

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se si lehtësues mirëpresin çfarëdo përkrahje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por se kjo iniciativë duhet të koordinohet me BE-në si lehtësuese dhe me palët.

“Ne mirëpresim çdo përkrahje nga niveli i lartë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në këtë moment sfidues. Megjithatë, çdo iniciativë e tillë duhet të koordinohet me Lehtësuesin dhe palët, të cilët janë bashkëpronarë të dialogut, dhe përfundimisht të vendosin për agjendën dhe ritmin e negociatave të tyre”, tha Stano.

Sidoqoftë, para nisjes së samitit të BE-së të 29 qershorit ku u diskutua edhe për situatën aktuale në rajon dhe Kosovën e Serbinë, presidenti i KE-së tha se është i mendimit që ka ardhur koha për një qasje globale për normalizimin e marrëdhënieve mes dy fqinjëve.

“Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë – së bashku me disa shtete anëtare të BE-së. Mendoj se ka ardhur koha të kemi një qasje globale dhe të bëjmë hapa të qartë drejt normalizimit. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ne kemi thënë se duam të përpiqemi maksimalisht për të bërë diçka për Ballkanin Perëndimor, së bashku me Ballkanin Perëndimor”.

Michel theksoi edhe nevojën e koordinimit me SHBA-në për këtë iniciativë.

Kryeministri Kurti që javëve të fundit nuk i ka raportet me të mira me Ramën që kulmuan dje me refuzimin për ta pritur kryeministrin shqiptar në Prishtinë, nuk është treguar entuziast as për këtë ide para pak ditësh.

“Ne kemi pasur konferenca ndërkombëtare në të kaluarën dhe tash kemi një marrëveshje bazike, nga 27 shkurti i këtij viti në Bruksel dhe gjithashtu nga 18 marsi në Ohër me aneksin e zbatimit”, tha Kurti para pak ditësh.

“Krejt çfarë duhet bërë është që pa kushte të zbatohet ajo marrëveshje bazike në tërësinë e saj dhe në mënyrë fer [të drejtë] e të balancuar. Kjo duhet të bëhet dhe ne për këtë angazhohemi në Bruksel në takimet që kemi”, shtoi ai.

E kryeministri Edi Rama edhe mbrëmë – gjatë vizitës së tij në Kosovë – ka argumentuar idenë e tij se pse nevojitet një konferencë e tillë, por jo konferencë e veçantë për Kosovën. Ai e potencoi se konferenca do të jetë për të ngritur nivelin e takimeve Kosovë-Serbi siç janë zhvilluar deri tash.

“Nuk është konferencë e re për Kosovën. Kosova dhe Serbia bëjnë konferenca rregullisht, duke ikur në Bruksel atje, të dy liderët takohen me Borrellin dhe Lajçakun dhe kanë përfunduar tani në seanca spiritizmi – njëri këndej, tjetri andej që as bashkë me një dhomë nuk rrinë. Unë them që ky nivel le të ngrihet në nivelin maksimal, jo konferencë për Kosovën, por një konferencë e një niveli më të lartë për të përfunduar marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja bazë, e cila do të ketë, sipas po asaj marrëveshje, një detajim të plotë që do të mbushet me të gjithë elementet e vet. Dhe duhet një konferencë, për mua, ku mbyllen brenda dhe mos dalin pa mbaruar secilën të detajuar dhe të marrë secili atë që do”, tha Rama dje.