14 kërkesat e Policisë/ Zeqiri: Kemi marrë përgjigje pozitive nga ministri Sveçla për takim, data nuk është caktuar ende

Që nga fillimi i dhjetorit të vitit të kaluar, Policia e Kosovës është në pritje të përgjigjes për 14 kërkesat e tyre që i kanë drejtuar Qeverisë. E, siç duket këtë përgjigje do ta marrin së shpejti. Kjo pasi që Sindikata e Policisë së shpejti do të ketë një takim me ministrin e Punëve të […]

14 kërkesat e Policisë/ Zeqiri: Kemi marrë përgjigje pozitive nga ministri Sveçla për takim, data nuk është caktuar ende
14-kerkesat-e-policise/-zeqiri:-kemi-marre-pergjigje-pozitive-nga-ministri-svecla-per-takim,-data-nuk-eshte-caktuar-ende

14-kerkesat-e-policise/-zeqiri:-kemi-marre-pergjigje-pozitive-nga-ministri-svecla-per-takim,-data-nuk-eshte-caktuar-ende

Që nga fillimi i dhjetorit të vitit të kaluar, Policia e Kosovës është në pritje të përgjigjes për 14 kërkesat e tyre që i kanë drejtuar Qeverisë.

E, siç duket këtë përgjigje do ta marrin së shpejti.

Kjo pasi që Sindikata e Policisë së shpejti do të ketë një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Kështu ka bërë të ditur për Front Online, kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.

Zeqiri, ka thënë se javën e kaluar janë njoftuar se do të kenë takim me të parin e MPB-së.

“Kemi marrë përgjigje, do ta kemi së shpejti një takim me ministrin Xhelal Sveçla që ta diskutojmë punën e kërkesave, ashtu ka mbet në takimin e fundit. Kështu që presim që këto ditë do ta kemi një takim shpresoj këtë javë apo javën e ardhshme, jo më larg se këto ditë. Javën e kaluar jemi njoftuar se do të kemi takim me ministrin. Datën nuk e ka caktuar. Besoj se së shpejti do ta caktoj datën dhe kohën”, ka treguar ai për Front Online.

Zeqiri, ka pohuar se secila prej 14 kërkesave e ka prioritetin e vet.

Por, se në takim me ministrin Sveçla do të diskutojnë se cilat prej tyre Qeveria është në gjendje t’i realizoj më herët e cilat më vonë.

“Të gjitha e kanë prioritetin e vet dhe nuk janë kërkesa të pakalueshme apo të parealizueshme. Normal nuk janë të gjitha ato që mund të realizohen menjëherë, as ne nuk po kërkojmë që të gjitha të realizohen menjëherë, mirëpo t’i vendosim prioritetet dhe të shohim se cilat janë ato që mund të realizohen tani në një kohë më të shkurtë e cilat do t’i lëm më vonë”, ka shtuar i pari i Sindikatës së Policisë.

I pyetur se çfarë hapa do të ndërmarrin në rast se nuk do të ketë ndonjë dakordim mes Sindikatës dhe Qeverisë, Zeqiri, ka thënë se për këtë do të flasin pas takimit që do të realizohet.

“Pyetje e mirë, por përgjigjen do ta japim pas takimit”, është shprehur shkurt ai.

Zeqiri: Nga janari e deri më tani 10 zyrtarë policorë kanë dhënë dorëheqje

Kushtet jo të mira dhe pagat e jo të dinjitetshme kanë bërë që edhe policët të ëlshojnë vendin e tyre të punës.

Që nga fillimi i këtij viti e deri më tani janë 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës që kanë dhënë dorëheqje.

Këtë e ka bërë të ditur për Front Online, kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.

“Në realitet kemi 10 zyrtarë policorë që kanë dhënë dorëheqje deri më tani. Kryesisht dorëheqjet janë për shkak të kushteve dhe mirëqenies, pra kështu e kemi gjendjen aktualisht”, ka thënë ai për Front Online.

Protesta e Policisë së Kosovës vitin e kaluar kishin ndodhur pasi qeveria kishte miratuar pako të re për shtesat për njësitë elitare dhe njësitë e tjera policore.

Sipas kësaj pako, për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat janë 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria ka thënë se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj.

Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, përkatësisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë.

Këto janë 14 kërkesat e Policisë për Qeverinë:

“1. Përmirësimi i kushteve të punë në përgjithësi, siç janë, veshmbathjet, mjetet e punës, mjetet logjistike, objektet policore duke pasur parasysh se disa objekte policore dhe automjete, si dhe pajisje tjera të domosdoshme për kryerjen e detyrave zyrtare, nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë.

2. Rrezikshmëria për zyrtarët policorë të jetë permanente dhe mos të varet vetëm nga një vend apo lokacion i caktuar, si dhe kërkojmë që shtesa për rrezikshmëri në punë të jetë nga 25 deri në 50% e pagës bazë dhe të formohet një komision që do të bëjë rivlerësimin e nivelit dhe kategorizimin e shtesave për rrezikshmëri.

3. Përfshirja e njësive të caktuara në shtesën për kushte të tregut të punës.

4 ligji për pensionim në moshën 55-vjeçare, e njëjtë me ligjin e FSK-së.

5. Sigurimi jetësor dhe rritjen e fondit në buxhetin e policisë për shërbimet shëndetësore me qëllim të mbulimit të shpenzimeve për barna dhe shërbime tjera.

6. Invaliditeti i pjesëtarëve të PK-së të cilët janë lënduar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kërkojmë të krijohet një fond apo caktohet një shumë e mjeteve financiare për shkallën e invaliditetit.

7. Përfshirja e stafit civil në shtesën për punë specifike.

8. Shujta ditore për të gjithë pjesëtarët e policisë së Kosovës, për të gjithë e barabartë.

9. Pagesa e udhëtimit për ata që udhëtojnë larg nga vendbanimi deri në punë.

10. shtesa për fundvit e vlerës së një page për të gjithë ata që kanë treguar performancë të mirë gjatë tërë vitit.

11. Rikthimi i përvojës së punës për vite në 0.5 siç ka qenë, po ashtu edhe njohja e kualifikimit shkollor.

12. Të rikthehen tri pagat përcjellëse për zyrtarët që pensionohen.

13. Të lejohet një pagë për të gjithë pjesëtarët e policisë që mund të kenë një rast vdekje në familjen e ngushtë,
dhe 14. Përkujdesja për mirëqenien e familjeve të pjesëtarëve të policisë së Kosovës që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare apo janë lënduar. Si psh, shkollimi i fëmijëve, punësimi i njërit nga fëmijët apo anëtarë nga familja e ngushtë, sigurimi i vendbanimit nëse nuk kanë./Front Online