Deputetët, kryetarët e komunave, kompanitë, qytetarët dhe vetë kandidatët: Kush sa para dhuroi për fushatën?

Dikush nga 500 denarë, dikush nga 100.000 denarë, dikush nga 300.000 denarë. Donacionet për fushatën për zgjedhjet presidenciale kanë ardhur nga deputetë, kryetarë komunash, anëtarë partish ose përmes llogarive të partive – paratë kanë hyrë në llogaritë bankare të parapara për fushatën zgjedhore. Meta.mk ka shqyrtuar dy raportet e dorëzuara nga shtatë kandidatët për president […]

Deputetët, kryetarët e komunave, kompanitë, qytetarët dhe vetë kandidatët: Kush sa para dhuroi për fushatën?
Foto: Fushata presidenciale e Stevo Pendarovskit

Dikush nga 500 denarë, dikush nga 100.000 denarë, dikush nga 300.000 denarë. Donacionet për fushatën për zgjedhjet presidenciale kanë ardhur nga deputetë, kryetarë komunash, anëtarë partish ose përmes llogarive të partive – paratë kanë hyrë në llogaritë bankare të parapara për fushatën zgjedhore.

Meta.mk ka shqyrtuar dy raportet e dorëzuara nga shtatë kandidatët për president në Entin Shtetëror për Revizion (ESHR) – i pari që dorëzohet 11 ditë pas fillimit të fushatës, ndërsa i dyti pas ditës së 20-të të fushatës. Disa nga kandidatët kanë dorëzuar edhe raporte boshe, ndërsa pas zgjedhjeve kandidatët për president janë të obliguar të dorëzojnë raportet përfundimtare të detajuara financiare se sa para kanë shpenzuar për fushatat që kanë zhvilluar.

Sipas analizës tonë, më së shumti donacione për fushatën zgjedhore ka pasur Gordana Siljanovska Davkova, e mbështetur nga VMRO-DPMNE, ndërsa më së paku Stevo Pendarovski, i mbështetur nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja.

Infografik: Meta.mk dhe Portalb.mk
Infografik: Meta.mk dhe Portalb.mk

Raportet më të detajuara i ka paraqitur Maksim Dimitrievski, kandidati i “Lëvizjes ZNAM – Për Maqedoninë tonë”, ku përveç donacioneve ka treguar edhe sa para ka shpenzuar për reklama në portale, televizione, radio, billborde…. Për fushatën kanë dhuruar 15 persona – rreth 750.000 denarë ose 12 mijë euro, ndërsa vetë Dimitrievski ka dhuruar 20.000 denarë.

Dimitrievski për reklamim politik të paguar ka shpenzuar 6.692.676 denarë (rreth 108 mijë euro). Këtu përfshihen transmetime nëpërmjet radios, televizionit dhe reklamave në portalet e internetit. Ndërsa për reklama në rrjetet sociale, Facebook dhe Instagram, Dimitrievski ka shpenzuar 86.520 denarë (rreth 1.400 euro).

Të hyrat e fushatës së Dimitrievskit, sipas të dy raporteve, janë 121 mijë euro.

Raporti i parë për hyrjen e mjeteve në llogarinë bankare për fushatën zgjedhore të Stevo Pendarovskit i dorëzuar në Entin Shtetëror për Revizion është bosh, gjegjësisht përmban vetëm vulë dhe nënshkrim.

Sipas raportit të dytë, të dorëzuar më 23 prill të këtij viti, për fushatën zgjedhore të Pendarovskit kanë dhuruar tre persona fizikë – secili nga 50 euro, 100 euro dhe një person rreth 350 euro, me çka numri i përgjithshëm i donacioneve nga persona fizik arrin në 31.912 denarë ose rreth 520 euro.

Për fushatën e Pendarovskit ka dhuruar edhe një kompani, KAN Kumanovë – 115.000 denarë, me çka të hyrat totale nga donacionet për fushatën arrijnë në 146.917 denarë ose rreth 2.400 euro.

Kandidatja për presidente, Biljana Vankovska, e mbështetur nga partia “E majta”, ka pasur të hyra nga donacionet prej 1.093.995 denarësh (pothuajse 18 mijë euro) nga 31 persona. Vetë Vankovska ka dhuruar 184.300 denarë në llogarinë e saj të fushatës. Deputetët nga “E majta”, Dimitar Apasiev dhe Borisllav Kërmov kanë dhuruar nga 153.250 denarë. Sekretarja e përgjithshme e të majtës, Jovana Mojsoska, nga ana tjetër, nga buxheti i saj ka ndarë 61.200 denarë për fushatën zgjedhore të Vankovskës.

Mjaft e pasur është llogaria e donacioneve e kandidates për kryetare të përkrahur nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska Davkova, për të cilën janë transferuar para nga llogaria e VMRO-DPMNE-së në llogarinë zgjedhore nga gjithsej 526 persona fizikë, me çka janë mbledhur 19.950.000 denarë ose mbi 325 mijë euro.

Për fushatën e Siljanovska Davkovës ka dhuruar deputetja Ane Llashkoska – 150.000 denarë, Sonja Tarchulovska – 200.000 denarë, deputetja Dafina Stojanoska – 44.000 denarë, Rashela Mizrahi – 100.000 denarë, ndërsa një nga shumat më të mëdha ka dhuruar Aleksandar Nikolloski – 360.000 denarë. Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski ka dhuruar 100.000 denarë, ndërsa kryetari i Komunës së Gazi Babës Boban Stefkovski 200.000 denarë.

Raporti i dytë i dorëzuar nga Davkova është bosh, me pretendim se nuk ka pasur donacione në dhjetëditëshin e dytë të fushatës.

Mjaft boshe janë edhe raportet e kandidatit Bujar Osmani nga “Fronti Evropian” i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), i cili ka dorëzuar raport bosh për 10 ditët e para të fushatës, ndërsa për 10 ditët e dyta është deklaruar se kompania TDK Hakkomerc ka dhuruar 185.000 denarë, ndërsa 4.100.000 denarë janë transferuar përmes llogarisë partiake të BDI-së, pa specifikuar personat fizikë që kanë dhuruar. Sipas kësaj, donacionet në llogaritë e transaksionit për fushatën zgjedhore të Osmanit arrijnë në rreth 69 mijë euro.

Kandidati i koalicionit “Vlen”, Arben Taravari ka dhuruar 183.000 denarë në llogarinë bankare për fushatën e tij zgjedhore. Nga partia “Alternativa” në llogarinë bankare për fushatën zgjedhore janë transferuar donacione nga persona fizikë në vlerë prej 600.000 denarësh në një rast, ndërsa në rastin e dytë 1.800.000 denarë. Nga ana tjetër, nga Aleanca për Shqiptarët janë transferuar 250.000 denarë. Sa i përket personave fizik, në llogarinë transaksionale për fushatën zgjedhore janë pranuar donacione nga pesë persona në vlerë prej 521.900 denarësh. Sipas kësaj, numri i përgjithshëm i donacioneve për fushatën presidenciale, sipas dy raporteve, arrin në 3.354.900 denarë ose rreth 55 mijë euro.

Sipas dy raporteve, Taravari për reklama dhe propagandë ka shpenzuar 1.414.987 denarë (rreth 23 mijë euro), ndërsa të hyrat e përgjithshme nga fushata zgjedhore janë mbi 700.000 euro.

Për fushatën e Stevço Jakimovskit, kandidati i Opsionit qytetar për Maqedoninë (GROM) kanë dhuruar rreth 20 persona, ndërsa ai vetë ka dhuruar 150.000 denarë. Dobrila Andonovska, nënkryetare e GROM-it, ka dhuruar 100.000, ndërsa shumat e personave të tjerë që kanë dhuruar janë nga 30.000 ose nga 60.000 denarë. Numri i përgjithshëm i donacioneve në llogarinë zgjedhore të Jakimovskit, sipas dy raporteve, arrin në 986.000 denarë ose rreth 16 mijë euro.

Raportet përfundimtare për shpenzimet e përgjithshme të kandidatëve zgjedhorë në rrethin e parë të zgjedhjeve parlamentare duhet të publikohen në ueb faqen e KSHZ-së.

Përveç donacioneve që shkojnë në llogaritë e kandidatëve, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka llogaritur se për shkak të zgjedhjeve paralele, për reklama politike të paguara do të nevojitet një shumë rekorde nga buxheti i shtetit – 10.6 milionë euro. Sipas llogarive të “Prizma-s”, rreth 25 për qind ose maksimumi 2.7 milionë euro do të shpërndahen nëpër portalet që janë regjistruar në KSHZ dhe 11 mediave të shkruara.

Një portal, nga një pjesëmarrës në zgjedhje, mund të marrë reklama më së shumti deri në 15 mijë euro. Pjesa e mbetur prej 75 për qind e shumës së llogaritur nga KSHZ-ja do të paguhet për reklama në 37 televizione dhe 35 radio që janë regjistruar në regjistrin për reklama politike me pagesë.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet me 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.