Maqedonia e Veriut, bashkësponsore e rezolutës për Srebrenicën në OKB

Maqedonia e Veriut do të jetë bashkësponsore e një rezolute në Kombet e Bashkuara (OKB) për shpalljen e 11 korrikut si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995, tha të hënën ministri i Jashtëm maqedonas, Bujar Osmani, raporton Radio Evropa e Lirë. Rezoluta do të paraqitet më 17 prill para Asamblesë së […]

Maqedonia e Veriut, bashkësponsore e rezolutës për Srebrenicën në OKB
Srebrenica, Bosnje dhe Hercegovinë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Maqedonia e Veriut do të jetë bashkësponsore e një rezolute në Kombet e Bashkuara (OKB) për shpalljen e 11 korrikut si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995, tha të hënën ministri i Jashtëm maqedonas, Bujar Osmani, raporton Radio Evropa e Lirë. Rezoluta do të paraqitet më 17 prill para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe do të votohet më 2 maj.

“Në pritje të 30-vjetorit të gjenocidit që do të përkujtohet në vitin 2025, ku humbën jetën të paktën 8.372 njerëz dhe po aq familje u shkatërruan, ne i bëjmë thirrje Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të miratojë rezolutën e mëposhtme për ta shënuar 11 korrikun çdo vit si një ditë ndërkombëtar”, tha Osmani.

Maqedonia e Veriut u bashkohet Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe disa vendeve të tjera si bashkësponsore të kësaj rezolute.

Sipas Ministrisë së Jashtme maqedonase, deri më tani rezoluta është mbështetur nga më shumë se 17 vende, duke përfshirë Slloveninë, Italinë, Lihtenshtajnin, Irlandën, Finlandën, Holandën, Shqipërinë, Turqinë, Jordaninë, Malajzinë, Kilin dhe Zelandën e Re.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë. Krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Beogradi zyrtar, prej vitesh, kundërshton miratimin e rezolutave apo deklaratave që krimin në Srebrenicë e cilësojnë si gjenocid.