Parlamentare 2024: Çfarë ofron LSDM-ja dhe koalicioni për të rinjtë?

Na ndajnë edhe pak ditë nga zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë së Veriut. Derisa partitë vijojnë fushatën e tyre, Portalb.mk ka analizuar programet e tyre për atë se çfarë ofrojnë për të rinjtë. Më poshtë kemi analizuar programin e koalicionit “Për Ardhmëri Evropiane” të udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë së Veriut (LSDM). Në programin zgjedhor LSDM-ja […]

Parlamentare 2024: Çfarë ofron LSDM-ja dhe koalicioni për të rinjtë?
Kandidatët për deputetë nga koalicioni "Për Ardhmëri Evropiane" të udhëhequr nga LSDM. Foto: Fatmir Bytyqi (profili zyrtar në Facebook)

Na ndajnë edhe pak ditë nga zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë së Veriut. Derisa partitë vijojnë fushatën e tyre, Portalb.mk ka analizuar programet e tyre për atë se çfarë ofrojnë për të rinjtë. Më poshtë kemi analizuar programin e koalicionit “Për Ardhmëri Evropiane” të udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë së Veriut (LSDM).

programin zgjedhor LSDM-ja për të rinjtë jep shumë premtime për fusha të ndryshme, fjala “të rinj” në programin e tyre përmendet gjithsej 254 herë.

Arsim

LSDM-ja zotohet për cilësi dhe investime në arsim se do të përafrojë arsimin me kërkesat e tregut të punës përmes krijimit të një sistemi që do u mundësojë të rinjve të fitojnë aftësi dhe njohuri për t’ju përgjigjur sfidave nga tregu gjithnjë e më dinamik i punës.

Ata zotohen se do mbështesin nxënësit e klasës së parë dhe nxënësit e vitit të parë në shkollat e mesme në fillim të vitit shkollor me vauçerë prej 6 mijë denarësh dhe 9 mijë denarësh.

Disa nga premtimet e tyre për arsimin janë si vijon:

  • Bursa për nxënës të shkollave të mesme,
  • Subvencionimi i materialeve shkollore dhe mjeteve mësimore,
  • Ushqime të subvencionuara për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme,
  • Promovimi i punës së nxënësve të talentuar dhe me perspektivë,
  • Ekskursion arsimor falas,
  • Transport publik falas,
  • Mbështetja e vazhdueshme e nxënësve me aftësi të kufizuara në arsimin fillor dhe të mesëm,
  • Nxitja e interesit të studentëve për t’u regjistruar në fakultetet e mësimdhënies,
  • Përmirësimi i kushteve në konviktet e studentëve,
  • Arsim i përballueshëm, i qasshëm dhe cilësor për të gjithë të rinjtë,
  • Zbatimi i Garancisë Evropiane,
  • Kurrikula që nxisin kreativitetin, motivimin dhe të menduarit kritik,
  • Futja e edukimit seksual gjithëpërfshirës në shkolla.

“Do të mbajmë studentët më të mirë dhe do të avokojmë për angazhimin e të rinjve në institucionet e arsimit të lartë dhe shkencor në vend. Ne përpiqemi dhe avokojmë për barazinë gjinore në punësimin e të rinjve. Me këtë masë vazhdojmë me punësimin e studiuesve dhe shkencëtarëve të rinj në vend dhe me përtëritjen e stafit”, thuhet në program.

Tregu i punës

Për katër vitet e ardhshme LSDM thotë se do ndihmojnë të rinjtë që të hyjnë me dinjitet në tregun e punës, kështu duke ofruar 200 euro për punësimin e parë për të rinjtë nën moshën 26 vjeçare.

LSDM zotohet se do të angazhohet për të motivuar të rinjtë për punë sezonale dhe të parandalojë daljen e të rinjve në vende të tjera për punë sezonale.

Premtim tjetër është edhe miratimi Ligjit të ri për Marrëdhëniet e Punës, i cili do të rregullojë punën nga shtëpia dhe punën në distancë, në mënyrë që të takojmë të rinjtë që i përdorin këto mundësi pune për kompanitë vendase apo të huaja.

Ndihma financiare

Për të rinjtë fermerë LSDM zotohet se do të japë grante deri në 10 mijë euro, me paralajmërime për rritje deri në vitin 2026. Ata zotohen se do të ofrojnë përkrahje të vazhdueshme për fermerët e rinj.

Ndihmë tjetër financiare është edhe lirimi nga tatimi për kompanitë e reja të formuara nga të rinjtë deri në 29 vjet, përderisa qarkullimi nuk kalon 4 milionë denarë.

Gjithashtu ata zotohen edhe për apartamente për çiftet e reja, konkretisht subvencionim të një përqindjeje të caktuar të kostos së banesës.

Mbajtja e të rinjve në vend

LSDM zotohet se do të zbatojë politika të harmonizimit të kërkesës dhe ofertës së fuqisë punëtore në tregun e punës sa i përket kuadrove me arsim të lartë nga profile të caktuara (mjekë, informatikë, inxhinierë mekanikë, inxhinierë ndërtimi etj.) dhe personel me arsim të mesëm profesional (infermierë, teknikë mekanikë, ndërtimi dhe elektrikë).

“Kjo qasje e fokusuar do të adresojë mungesat e aftësive dhe do të inkurajojë të rinjtë që të kërkojnë mundësi këtu në shtëpi”, thuhet në programin e LSDM-së.

Rini aktive dhe standarde të reja

LSDM-ja thekson se është e përgatitur që Garancia për Rininë të mbulojë 35 mijë persona dhe për herë të parë të prezantohet softueri për punën e të rinjve, krijim i një sistemi për mbështetje psikosociale të të rinjve dhe promovim të shëndetit mendor.

Ata zotohen për zhvillimin e softuerit “Youth job – E-Youth job” , ku përmes tij, nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët do të mund të fitojnë njohuri, mundësi dhe të krijojnë pavarësi ekonomike.

Zotim tjetër është ngritja e Youth Cool Tour Centers , si institucione të specializuara që do të zhvillojnë nevojat kulturore të të rinjve, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre dhe mbajtjen e tyre në vend.

Disa nga zotimet tjera përfshijnë:

  • Promovimi i pjesëmarrjes së të rinjve,
  • Kujdesi për shëndetin mendor të të rinjve,
  • Programe për forcimin financiar të standardit të jetesës së të rinjve,
  • Transporti publik i disponueshëm dhe i qasshëm,
  • Formimi i Ministrisë së Rinisë.

Sistem funksional edhe për të rinjtë

“Duam luftë konsekuente kundër krimit, korrupsionit të lartë dhe nepotizmit, që do të mundësojë shtetin e së drejtës dhe institucionet që i shërbejnë pa kushte qytetarëve”, thuhet në program.

Ndër të tjera ata zotohen edhe për mundësi të veçanta për ngritjen e kapaciteteve për liderët e rinj në partitë politike.

“Në veçanti, zhvillimi i mekanizmave dhe trajnimeve që do të inkurajonin vajzat dhe gratë e reja të marrin pjesë në procesin zgjedhor, aktivitetet politike dhe aktivitetet e tjera drejtuese”, thuhet në programin zgjedhor të LSDM-së.

NATO, BE, bashkëpunim ndërkombëtar

Në programin e LSDM-së përmenden edhe dy organizatat strategjike, NATO dhe BE, ku ata zotohen se do të përfshijnë edhe të rinjtë në këtë drejtim përmes aktiviteteve të ndryshme. Por edhe në nismat tjera rajonale dhe më gjerë si dhe në diplomaci.

“Ne do të mbështesim në mënyrë aktive procesin e krijimit të zyrave dypalëshe për bashkëpunim rinor, si dhe të gjitha aktivitetet dhe projektet e zyrave që do të mundësojnë shkëmbimin e përvojave dhe lidhjen e të rinjve tanë me të rinjtë e vendeve fqinje”, thuhet në program.

Rini sportive

LSDM-ja në program zotohet për perspektivë sportive në vend.

“Meqenëse vetëm 15% e nxënësve janë të përfshirë në aktivitete jashtëshkollore sportive, në bazë të këtyre rezultateve mund të konstatojmë se sporti është i pamjaftueshëm i pranishëm në kohën e lirë të të rinjve”, thuhet në program.

Ata zotohen për ndërtimin e një qendre atletike dhe tenisi.

Shëndet

LSDM në program zotohet se do të hapë qendra rajonale për trajtimin e fëmijëve dhe të rinjve me autizëm në Shkup, Manastir, Shtip, Tetovë, Strumicë, Kavadar dhe Strugë.

Gjithashtu ata në program zotohen për qendra të këshillimit online për mbështetje psiko-sociale me fokus te të rinjtë.

Jo duhanit

LSDM në program zotohet për parandalim të fillimit të duhanit te të rinjtë si dhe promovim dhe mbështetje e abstinencës te të rinjtë.

Portalb.mk deri tani ka publikuar edhe programin e koalicionit VLEN se çfarë përmban për të rinjtë, ndërsa ditëve në vijim do të publikojmë edhe programet e partive tjera politike dhe atë se çfarë ofrojnë për të rinjtë.

Kujtojmë që zgjedhjet parlamentare do mbahen me 8 maj së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.