Sindikalistët në Maqedoninë e Veriut paralajmëruan protesta për 2 prill dhe 1 maj

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë paralajmëron disa protesta në periudhën e ardhshme. Më 2 prill, LSM do të protestojë para Gjykatës së Lartë për shkak të vendimit të marrë nga kjo gjykatë për konfiskimin e Shtëpisë së Punëtorëve, ndërsa më 1 Maj – Ditën Ndërkombëtare të Punës do të organizojë protestën tradicionale të 1 Majit, […]

Sindikalistët në Maqedoninë e Veriut paralajmëruan protesta për 2 prill dhe 1 maj
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë paralajmëron disa protesta në periudhën e ardhshme. Më 2 prill, LSM do të protestojë para Gjykatës së Lartë për shkak të vendimit të marrë nga kjo gjykatë për konfiskimin e Shtëpisë së Punëtorëve, ndërsa më 1 Maj – Ditën Ndërkombëtare të Punës do të organizojë protestën tradicionale të 1 Majit, e cila do të dërgojë një mesazh që punëtorët presin të paktën 450 euro pagë minimale në 100 ditët e para të qeverisë së re dhe kthimin e ushqimit dhe transportit, raporton MIA.

“Më 2 prill do të organizojmë një protestë para ndërtesës së LSM-së që do të përfundojë para Gjykatës së Lartë për t’u treguar gjyqtarëve se duhet të tregohen të guximshëm dhe të nxjerrin shpejt një vendim të ri me të cilin do t’ia kthejnë punëtorëve Shtëpinë e punëtorëve, duke pasur parasysh se LSM vetëm një muaj më parë ka dorëzuar në Gjykatën Themelore Civile Shkup propozim për përsëritjen e procedurës bazuar në provat e reja. Të martën do t’i inkurajojmë që të ndryshojnë vendimin e turpshëm për konfiskimin e Shtëpisë së Punëtorëve dhe dhënien e saj shtetit. Shteti nuk ka nevojë për ndërtesë tjetër, ka nevojë për punëtorë dhe sindikata, tha kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov në konferencë për shtyp.

Trendafilov informoi se është dërguar kërkesë edhe në Gjykatën Kushtetuese për shkak se Gjykata e Lartë nuk e ka respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 1992, ku thuhet se shteti nuk ka të drejtë të konfiskojë pasurinë e sindikatave.

“Jemi në dispozicion të gjyqtarëve kushtetues nëse na thërrasin për të dëgjuar argumentet tona. Në rast nevoje do të nënshkruajnë jo vetëm 17 anëtarët e sindikatës në LSM, por edhe të 70 mijë anëtarët e sindikatës, tha Trendafilov.

Gjykata e lartë më 9 nëntor të vitit të kaluar miratoi vendim me të cilin LSM-së i është konfiskuar Shtëpia e Punëtorëve, pas së cilës udhëheqësia e LSM-së ka kërkuar dorëheqjen e gjyqtarëve që kanë marrë vendimin dhe kanë paraqitur propozimin për shkarkimin e tyre në Këshillin Gjyqësor.

Ndryshe, me harmonizimin e ri, paga minimale në vitin 2024 është rritur për 3.613 denarë në vlerë bruto, gjegjësisht 2.392 denarë në vlerë neto.