Haradinaj, thirrje popullit: Ju që e doni Kosovën, binduni se shkarkimi i Kurtit është detyrë kombëtare

Lideri opozitar, Ramush Haradinaj, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti pas video-mesazhit të këtij të fundit, ku i doli në krah ministres Rozeta Hajdari për skandalin në MINT, ndërsa sulmoi prokurorët, gjyqtarët dhe mediat. Haradinaj tha se Kurti po e lufton sistemin e drejtësisë të vendit të vet, si dhe mediat që “po ia zbulojnë […]

Haradinaj, thirrje popullit: Ju që e doni Kosovën, binduni se shkarkimi i Kurtit është detyrë kombëtare

Lideri opozitar, Ramush Haradinaj, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti pas video-mesazhit të këtij të fundit, ku i doli në krah ministres Rozeta Hajdari për skandalin në MINT, ndërsa sulmoi prokurorët, gjyqtarët dhe mediat.

Haradinaj tha se Kurti po e lufton sistemin e drejtësisë të vendit të vet, si dhe mediat që “po ia zbulojnë hajnitë”.

Ai u ka bërë thirrje publike qytetarëve që ta rrëzojnë Qeverinë Kurti, çka tha se tashmë është shndërruar në “detyrë kombëtare”.

“Ç‘është ky kryeministër që e lufton sistemin e drejtësisë të shtetit të vet e i mbron “dosllarët” e krimit! Ç’është ky njeri që e sulmon median e shtetit ku vet është kryeministër, veç pse ato ia zbulojnë hajnitë e miqtë matrapazë! Ky njeri që vjedhjen e bukës së popullit, mundohet ta mbulojë me “borën e parvjeme”! Çka duhet të ndodhë tjetër që ju që keni votë, që keni za, që keni mendje e zemër dhe që e doni Kosovën, të bindeni se shkarkimi i këtij njeriu, sot është detyrë kombëtare!”, ka shkruar ai në Facebook.

Për aferën me rezerva shtetërore, Haradinaj pati një tjetër reagim gjatë ditës, ku po ashtu kërkoi të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për rrëzimin e qeverisë aktuale.

“Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një njeri të sëmurë për pushtet, të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, e që nuk dorëhiqet, obligohet mobilizimi i të gjithë atyre që e dojnë Atdheun dhe që përfaqësojnë interesat e vendit dhe qytetarëve, pa dallime partiake. Thirrja e seancës së jashtëzakonshme për shkarkimin e qeverisë përmes mocionit të mosbesimit, është zgjidhja e vetme për të shpëtuar vendin dhe për t’i hapur rrugë qeverisë së unitetit kombëtar dhe zgjedhjeve të reja”, ka shkruar Haradinaj.

Kujtojmë se krejt këto reagime vinë pas arrestimit të të dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe Ridvan Muharremit që po konsiderohet njeri i afërt me kryeministrin Kurti.

Ministrja Rozeta Hajdari deklaroi sot para mediave se beson në pafajësinë e dy zyrtarëve të arrestuar, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë furnizimit me rezerva shtetërore.

Në të njëjtën kohë, kryeministri Kurti tha se ka besim të plotë te ministrja Hajdari.