Donald Trump përballet me procesin e parë penal gjyqësor ndaj një ish-presidenti amerikan

Të hënën në Nju Jork nisi përzgjedhja e jurisë në procesin gjyqësor ndaj ish-Presidentit Donald Trump, nën akuzat për falsifikim e të dhënave të biznesit me qëllimin për të fshehur pagesat për të siguruar heshtjen e aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, mbi një lidhje të dyshuar jashtëmartesore me të, raporton VOA. Zoti Trump është […]

Donald Trump përballet me procesin e parë penal gjyqësor ndaj një ish-presidenti amerikan
Fotografia e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, e bërë në burgun e Fultonit, më 24 gusht 2023. Foto: Zyra e Sherifit të Fultonit

Të hënën në Nju Jork nisi përzgjedhja e jurisë në procesin gjyqësor ndaj ish-Presidentit Donald Trump, nën akuzat për falsifikim e të dhënave të biznesit me qëllimin për të fshehur pagesat për të siguruar heshtjen e aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, mbi një lidhje të dyshuar jashtëmartesore me të, raporton VOA.

Zoti Trump është ish-presidenti i parë amerikan që përballet me akuza penale dhe nëse dënohet, rrezikon të vuajë dënim me burg.

Ai pritet t’i ndjekë sot procedurat nga tryeza e të pandehurit, në një gjyq që mund të mbahet katër ditë në javë, për rreth një muaj e gjysmë.

Zoti Trump, i cili ka shërbyer si president prej fillimit të vitit 2017 deri në janar të vitit 2021, ka kritikuar vazhdimisht proceset penale ndaj tij. Javën e kaluar në platformën e tij sociale “Truth Social” ai shkruante se një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë në vend dhe se ai po detyrohej të ulej të hënën përpara një gjykatësi të korruptuar e që e urrente pa fund atë, siç shkruante zoti Trump.

Ish-Presidenti është i detyruar të jetë i pranishëm gjatë seancave gjyqësore, gjë që me gjasë do ta pengojë atë të vazhdojë fushatën për zgjedhjet e nëntorit, për një periudhë të madhe kohore.

Zoti Trump po përpiqet të rimarrë Shtëpinë e Bardhë, pas humbjes në 2020 ndaj Presidentit aktual Joe Biden. Zoti Trump pretendon pa fakte se ai humbi zgjedhjet në atë vit, për shkak të parregullsive e manipulimeve të mëdha gjatë procesit.

Zoti Trump akuzohet për fshehjen e një pagese prej 130,000 dollarësh bërë yllit të filmave për të rritur Stormy Daniels, pak përpara zgjedhjeve të 2016-ës, me synimin për të siguruar heshtjen e saj lidhur me pretendimet e kësaj të fundit, për një marrëdhënie jashtëmartesore.

Prokurorët kanë përmendur gjithashtu edhe rastin e ish-modeles së revistës “Playboy”, Karen McDougal, e cila pretendon se ka patur një lidhje 10-mujore me zotin Trump në mesin e viteve 2000. Zonja McDougal është paguar me 150,000 dollarë nga kompania mëmë e tabloidit “National Enquirer”, për të siguruar eksluzivitetin në publikimin e kësaj historie, e cila gjithësesi nuk u publikua kurrë, sipas dyshimeve, me kërkesë të zotit Trump.

Ish Presidenti i ka mohuar marrëdhëniet me të dyja gratë si dhe të 34 akuzat me të cilat përballet në çështjen e Nju Jorkut, përfshirë atë se udhëzoi ish-avokatin e tij Michael Cohen, që të paguante zonjën Daniels e më pas e rimbursoi atë gjatë vitit të parë të presidencës së tij në vitin 2017. Paratë u regjistruan si rrogë mujore e shpenzime ligjore për zotin Cohen.

Secila nga akuzat mbart mundësinë e një dënimi me katër vjet burg. Pritet që zoti Trump të apelojë vendimin nëse do të shpallej fajtor.

Rasti i Nju Jorkut është një nga katër paditë penale të pashembullta me të cilat përballet ish-presidenti Trump, që përfshijnë 88 akuza, të cilat ai i ka hedhur të gjitha poshtë.