Osmani pas takimit me shefin e ri të EULEX: Kosova aspiron integrimin në institucionet euroatlantike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefin e ri EULEX-it, z. Giovanni Pietro Barbano, të cilin e përgëzoi për fillimin e mandatit të tij. Në takim me z. Pietro Barbano, Presidentja Osmani theksoi se bashkëpunimi me EULEX-in në suaza të mandatit aktual të këtij misioni dhe me institucionet tjera […]

Osmani pas takimit me shefin e ri të EULEX: Kosova aspiron integrimin në institucionet euroatlantike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefin e ri EULEX-it, z. Giovanni Pietro Barbano, të cilin e përgëzoi për fillimin e mandatit të tij.

Në takim me z. Pietro Barbano, Presidentja Osmani theksoi se bashkëpunimi me EULEX-in në suaza të mandatit aktual të këtij misioni dhe me institucionet tjera ligjzbatuese në vend është jashtëzakonisht i rëndësishëm, e në veçanti në këtë periudhë.

Tutje, Presidentja Osmani theksoi se Kosova, si vend që aspiron integrimin në institucionet euroatlantike, është e përkushtuar për koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm për të garantuar integritetin profesional dhe zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare.

Në takim, Presidentja foli po ashtu mbi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar për tejkalimin e sfidave të sigurisë, si dhe në mbrojtjen e të drejtave të grave, fëmijëve dhe komuniteteve joshumicë.

Nga ana e tij, Barbano tha se do të vazhdojë të mbështesë institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë.

“Barbano shprehu përkushtimin e tij për të vazhduar mbështetjen e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë drejt rritjes së pavarësisë, qëndrueshmërisë dhe pajtueshmërisë me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira, përmes komponentëve të ndryshëm të mandatit të EULEX-it”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.