Vazhdon edhe sot greva e specializantëve privatë, nuk janë të kënaqur me vendimin e qeverisë

Specializantët privatë, të pakënaqur me vendimin e djeshëm nga seanca e qeverisë, sot kanë vazhduar grevën që kanë nisur dy ditë më parë. Gjatë ditës së djeshme specialistët privatë bënë të ditur se hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrin varen nga vendimi që pritej të merrte qeveria gjatë seancës, transmeton Portalb.mk. Mbrëmë, pas përfundimit […]

Vazhdon edhe sot greva e specializantëve privatë, nuk janë të kënaqur me vendimin e qeverisë
Protesta e specializantëve privatë para Ministrisë së Shëndetësisë. Foto: Asociacioni i specializantëve dhe mjekëve të rinj (ASMR)

Specializantët privatë, të pakënaqur me vendimin e djeshëm nga seanca e qeverisë, sot kanë vazhduar grevën që kanë nisur dy ditë më parë. Gjatë ditës së djeshme specialistët privatë bënë të ditur se hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrin varen nga vendimi që pritej të merrte qeveria gjatë seancës, transmeton Portalb.mk.

Mbrëmë, pas përfundimit të seancës së qeverisë, specialistët privatë në Facebook kanë bërë të ditur se greva do të vazhdojë edhe sot pasi siç thonë ata, asnjë kërkesë e tyre nuk është zgjidhur dhe kanë qenë të njëjtat premtime false që kanë dëgjuar disa herë.

“As Qeveria dhe as Ministria nuk kanë kërkuar mendim nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve se a mund të plotësohet ndonjë nga kërkesat tona, siç është propozuar nga ne në vetë mbledhjen. Që do të thotë se për momentin nuk ka asnjë dëshirë nga ana e tyre për të zgjidhur problemet tona”, thuhet në postimin në Facebook të Shoqatës së Mjekëve specializantë – ShMS.

Nga aty bëjnë të ditur se do të kenë koordinim dhe se do të informojnë menjëherë për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren.

Greva e specializantëve privatë vazhdoi pavarësisht vendimit të qeverisë nga seanca e djeshme menjëherë pas zgjedhjeve për përgatitjen e një propozimi për zgjidhje ligjore që do të parashikojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e përgjithshme të specializantëve të mjekësisë që paguajnë specializimin me fondet e tyre.

Qeveria, siç shtohet, në bashkëpunim aktiv me specialistët, deri tani ka shfaqur shqetësim të madh për avancimin e statusit të tyre dhe është e vendosur të vazhdojë në këtë drejtim.

Specializantët privatë përsëritën kërkesat e tyre për rritje të kompensimit, i cili aktualisht arrin në 26 mijë denarë, dhe kërkojnë që ai të jetë në nivelin e pagës mesatare të mjekut në një institucion publik shëndetësor. Ata po ashtu kërkojnë sigurim shëndetësor dhe zgjidhje për statusin e tyre, për të cilin thonë se aktualisht janë të papunë pa sigurime shëndetësore dhe pensione me kontratë pune.

Në ditën e parë të grevës, specializantët privatë njoftuan se do të ndërpritet vetëm nëse marrin garanci me shkrim dhe nëse në seancën e Qeverisë kalon vendimi që pas datës 8 maj do të plotësohen kërkesat e tyre.

Greva do të thotë që ata nuk kryejnë fare detyrën e tyre, nuk paraqiten në detyrë dhe në autoambulanca, pra bëhet fjalë për bojkot të plotë të procesit të punës.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri tha në ditën e parë të grevës tha se mbështet kërkesat e specializantëve privatë për rritje të pagës që marrin çdo muaj, si dhe për sigurim shëndetësor, por megjithatë u kërkoi atyre që të bëjnë durim që zgjedhjet të kalojnë dhe pastaj të zgjidhen problemet.

Demiri për grevën tha se ajo ka prapavijë politike, për të cilën dje ka marrë përgjigje nga specializatët privatë, të cilët thonë se nuk kanë kartelë nga asnjë parti politike.